Tetovë, problemi me qentë endacak mbetet pa zgjidhje

Komuna e Tetovës ende nuk ka zgjidhjen të problemit me qentë endacak. Ajo fajin për këtë çështje e adreson te kontrabanduesit me qen, kurse nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) thanë se nuk ka as denoncime e as dëshmi që këta qen po sillen nga jashtë, shkruan Portalb.mk.

Mjetet financiare (500.000 denarë) të cilat u ndanë në buxhetin e Komunës së Tetovës për zgjidhjen e problemit me qentë endacak për vitin 2019 përfunduan në hapjen e një qendrës për grumbullimin e qenve endacak, me kapacitet për vetëm 20 qen.

Megjithatë, nga Komuna e Tetovës thanë se kjo qendër nuk është e mjaftueshme dhe se për propozim buxhetin e vitit 2020 do të parashihen më shumë mjete për zgjidhjen e kësaj problematike.

Ata fajin e hedhin te kontrabanduesit me qen, të cilët sipas tyre i sjellin këta të fundit nga qytete të ndryshme të shtetit.

Për vitin 2019 kemi ndarë grant prej 500.000 denarësh, por e pamë se këto mjete nuk janë të mjaftueshme, dhe për vitin 2020 planifikojmë më shumë mjete. Është evidente që ne vërshohemi me qen nga qytete tjera, dhe ky fakt neve si Komunë na krijon një kosto të papërballueshme financiare” deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Megjithatë, nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) atë që këta qen po sillen nga jashtë e konsiderojnë si thashetheme, ngaqë kjo nuk është e dëshmuar e as denoncuar.

“Deri te nuk ka arritur asnjë denoncim deri sot për atë se këta qen po sillen nga jashtë, ne nuk mund të ndërmarrim asgjë pa i pasur denoncimet e qytetarëve andaj pikërisht për këtë arsye edhe nuk ka pasur dënime për këtë rast. Ne apelojmë deri te qytetarët që në momentin kur të dëshmojnë diçka të tillë, ta denoncojnë për arsye se është shumë e rëndësishme” thanë nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB), Tetovë.

Foto: Alsat

Përkundër faktit që tani në dy buxhete me radhë gjenden mjete jo të mëdha për zgjidhjen e këtij problemi, ky fenomen vazhdon të jetë aktual dhe situata është alarmante.

Nga Qendra për Shëndetësi Publike, na thanë se vetëm për vitin 2019 numri i personave të cilët janë vaksinuar si pasojë e kafshimit nga qentë endacak, mesatarisht është 30. Mirëpo sipas tyre, ky numër është shumë i madh në qoftë se numërohen ata persona të cilët nuk janë vaksinuar, por kanë marrë trajtime tjera.

Për dallim nga Tetova që ka vetëm një qendër për grumbullimin e qenve endacak edhe atë për 20 qen, Komuna e Gostivarit para disa ditësh bëri hapjen e qendrës së dytë për qentë endacak me kapacitet prej 30 boksesh dhe tre hapësira ndihmëse, kurse deri tash kanë arritur të bëjnë kastrimin dhe sterilizimin e 350 qenve, nga 700 të identifikuar në këtë qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button