VMRO-DPMNE kërkoi që Qeveria ta iniciojë ratifikimin e anëtarësimit në NATO përpara shpërndarjes së Kuvendit

Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së deri te Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar kërkesë që në afat sa më të shkurtër deri te Kuvendi ta dorëzojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes Veri-atlantike dhe të hyrjes së Maqedonisë në NATO, me qëllim që siç thonë ata të mos vijë deri në anulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, njofton Portalb.mk.

Në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, Qeveria është ajo që e dorëzon propozimin për ratifikim deri te shtëpia legjislative.

“Iniciativa jonë ka për qëllim që ta shpejtojë dhe ta sigurojë ratifikimin e Marrëveshjes për hyrje në NATO nga ana e Kuvendit, përpara se i njëjti të shpërndahet, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 12 prill të vitit”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ata kanë apeluar deri te kryeparlamentari Talat Xhaferi, që iniciativën ta dërgojë deri te Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Xhaferi u përgjigj se të njëjtën kërkesë do ta dërgojë deri te Qeveria.

“Duke e shqyrtuar kërkesën e deputetëve, vlerësoj se për një çështje të tillë, Kuvendi nuk është kompetent për një çështje të tillë, pasi që e njëjta është kompetencë e Qeverisë. Ne do t’ia adresojmë organit kompetent, gjegjësisht Qeverisë”, tha Xhaferi.

Ndryshe, sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se Protokolli për hyrjen e RMV-së në NATO pret të ratifikohet në fillim të vitit 2020.

Procesi i ratifikimit të Protokollit nga shtetet anëtare erdhi pasi që ai fillimisht është nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Pasi të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë Protokollin në Kuvendet e tyre, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s. Pa e ratifikuar protokollin për hyrje të RMV-së në NATO ka mbetur vetëm Spanja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button