Gazifikimi është investim i dështuar, energjinë diellore e keni tre herë më të lirë se ajo nga centrali nuklear në Belene

Nëse të ardhmen energjetike Maqedonia duhet ta bazojë në gazifikim, ashtu si po shtyjnë politikanët apo tranzicioni duhet të orientohet drejt burimeve tjera të energjisë, biseduam me profesorin Neven Duiq nga Universiteti i Zagrebit, ekspert për sistemet e energjisë dhe burimeve të rinovueshme që këto ditë ishte në Shkup, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse Maqedonia nuk planifikon termocentrale të reja, ajo tani-për-tani po mbështetet në to. Gazifikimi është zgjidhja më shpresëdhënëse ekologjike që politikanët po na e ofrojnë.

– Gazi është zgjidhje kalimtare energjetike, por tranzicioni është kah fundi. Banka Evropiane për Investime njoftoi, disa ditë më parë, se pas vitit 2021 nuk do të financojë më projekte që lidhen me gazifikimin. Gazi gjatë 20 viteve të fundit u desh ta zëvendësojë thëngjillin, por jo të përdoret për ngrohje, pasi gazi nuk është aspak zgjidhje e mirë për ngrohje në aspektin e efikasiteti i energjetik. Nuk ka emetim të grimcave, por edhe më të mirë janë sistemet e centralizuara të nxehtësisë që nuk prodhojnë grimca të dëmshme PM e nga ana tjetër ato lehtë mund të adaptohen ndaj burimeve të rinovueshme dhe janë më të mirat kur përdorin nxehtësinë si mbeturinë e disa proceseve energjetike. Pra, nëse përdoret gazi, ai duhet të përdoret në kogjenerime, ngrohja e shtëpive të bëhet me tepricën e atyre e kogjenerimeve (kogjenerim = energjia e nxehtësisë që shfaqet si një nënprodukt në procesin e fitimit të energjisë elektrike me djegien e karburanteve të ndryshme v.j.), ndërsa rryma të përdoret për balancimin. Era dhe energjia diellore janë karburantet e së ardhmes.

Kjo tingëllon si një e ardhme e largët në Maqedoni, ku pyjet akoma janë duke u prerë për gazifikim. A është ende duke u gazifikuar diku në Evropë?

– Kjo është logjikë plotësisht e gabuar në këtë moment. Këtu ekziston presion i fortë politik për gazifikimin, megjithëse është një teknologji e dështuar në të cilën, për momentin, është shumë e gabuar të investohet, sepse pas 20 vitesh ajo infrastrukturë do të duhet të nxirret. Merrni shembullin e Holandës, i cili ishte vend ku 90 përqind e popullsisë ngrohej me gaz, vitin e kaluar e ndaloi ngrohjen e ndërtimeve të reja me gaz, Britania pas vitit 2025 i ndalon bojlerët me gaz. Pra, po shkojmë drejt nxjerrjes së rrjetit të gazsjellësit, sepse nuk ka të ardhme, ndërsa gazi po shtyhet me forcë si ndonjë zgjidhje nga e cila përfitime kanë vetëm importuesit e gazit! E kemi shembullin e Kroacisë ku kudo që ka arritur gazi, njerëzit kanë refuzuar të lidhen. Dalmacia është pothuajse i gazifikuar dhe për fat të mirë, populli po reziston, askush nuk dëshiron të lidhet në rrjetin e gazsjellësit dhe tani është një investim i madh i dështuar. Për klimë më të butë, inverterët janë zgjidhje e shkëlqyeshme dhe më ekonomike, ndërsa pompat e nxehtësisë janë gjithashtu një zgjidhje e mirë. Unë në banesën time në Zagreb e kam fikur gazin dhe e kam vendosur atë.

Dhe do të jemi akoma të varur nga importi i gazit…

– Absolutisht, ndërsa me sa e di unë, Maqedonia e paguan çmimin më të lartë në Evropë për import të gazit!

Duke parë se ku po shkon bota e zhvilluar, Maqedonia me varësinë e saj nga qymyri duket sikur ka ngecur në shekullin e 19-të. A është aq i kushtueshëm tranzicioni që duhet të na sjellë direkt në shekullin XXI?

– Në këtë moment Maqedonia është në një udhëkryq kur duhet të vendosë se si të vazhdojë tutje. Cilëndo zgjidhje që e zgjedh, duke pasur parasysh që termocentralet janë në gjendje mjaft të keqe, ky tranzicion do të kushtojë. Thjeshtë, askush nuk mund më tej të jetojë mbi bazën e investimeve të bëra në kohën e socializmit. Por, të gjitha përllogaritjet tregojnë se tani është shumë më lirë të kalosh në energji të rinovueshme dhe të kapërcesh investimet e gabuara që vetëm do t’ju tërheqin në humbje më vonë. Gjithashtu duhet, që kohë-pas-kohe  të investohet pak edhe në riparimin e centraleve ekzistuese derisa të përfundojë procesi i tranzicionit me qëllimin që brenda dhjetë vitesh ato të fiken.

Diskutimi për efektet e hidrocentraleve të vogla që po ndërtohen në lumenjtë e fundit të pastër malorë në Maqedoni dhe Ballkan në përgjithësi është goxha i nxehtë, duke i artikuluar me këmbëngulje ato si një “burim të rinovueshëm” për prodhim të  energjisë. Cili është efekti i HEC-eve të vogla, e cilat janë dëmet?

– Krahasoni dy lloje të burimeve të energjisë së rinovueshme, të themi ujin dhe erën, një turbinë me erë prej, të themi, 40 megavat Bogdanci, e cila funksionon 2,000 orë në vit dhe një HEC i vogël prej 40 MW, i cili, për shkak të zvogëlimit të rrjedhës së ujit në lumë 2,000 orë në vit. Një shtyllë kërkon një bazë 10 deri në 10 metra dhe, sipas direktivave të BE-së, duhet të keni kujdes nëse ka ndonjë specie të mbrojtur zogjsh në zonë. Nëse e bëni një HEC-i në një lumë që më parë ka qenë i paprekur, e keni shkatërruar plotësisht lumin. Për të ndërtuar një mulli të madhe me erë, në Evropë do t’ju kushtojë 30 euro për megavat orë, në Maqedoni – 60 euro për megavat orë, ndërsa dyshoj se keni ndonjë HEC-i që është më i lirë se 100 euro për megavat orë. Deri më tani kryesisht hidrocentralet janë ndërtuar në të gjithë lumenjtë ku ishte i qëndrueshëm ekonomikisht. Hidrocentralet, të cilat nuk janë të ndërtuara në liqene akumuluese, kanë pak efekt në sistemin e energjisë.

Cili është sistemi energjetik me kosto më efektive për Maqedoninë, panelet diellore apo diçka tjetër?

– Energjia diellore, për të cilën kostoja e investimit ka rënë mjaft e ulët dhe kap shumën rreth 40 euro deri në 15 euro për megavat-orë për projekte më të mëdha, absolutisht është e logjikshme në Maqedoni. Pra është shumë më e lirë se qymyri, apo është tre herë më i lirë se energjia bërthamore nga Belene, për të cilën Maqedonia është duke menduar! Kjo energji aq shpaguhet sa që tashmë keni tenderë për panelet diellore me subvencione zero, madje edhe investitorët janë të gatshëm t’i paguajnë shtetit për të prodhuar energji elektrike fotovoltaike! Absolutisht shpaguhet dhe ia vlen të bëhen projekte të mëdha të termocentralit fotovoltaik siç është ai në Osllomej, ku do të përdoret toka që tashmë është e shkatërruar nga termocentrali, por shpaguhet edhe ndërtimi mbi çati. Kostoja e energjisë elektrike në Maqedoni është ende relativisht e ulët, gjë që e zvogëlon efektivitetin e projekteve të tilla, por unë parashikoj që për maksimum pesë vjet në Maqedoni do të shpaguhet fotovoltaikët të instalohen mbi çati. Për ta bërë tranzicionin më të lehtë tani duhet të fillohet me subvencione stimuluese për qytetarët dhe kompanitë që duan të përdorin fotovoltaikët dhe të kanë sipërfaqe më të mëdha me çati.

Makinat elektrike, me sa duket, nuk do të jenë pjesë e realitetit tonë për një kohë të gjatë…

– Ekziston një mendim se ato janë shumë të shtrenjta për Ballkanin, por mos harroni se ne kryesisht blejmë makina të dorës së dytë nga Perëndimi, ku ai treg po rritet me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe për rreth pesë vjet ata me siguri do të derdhen në këto anë, e për atë duhet të fillojë të ndërtohet infrastrukturë adekuate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button