KUJTESA PA HARRESË

Kur Irene Funesi erdhi në vete pasi qe gremisur nga kali, ndjeu se “e tashmja e deri edhe kujtimet më të largëta, më të parëndësishme, kishin një shumëllojshmëri dhe një qartësi të papërballueshme“. Kujtesa e Funesit ishte bërë “si kosh plehrash”. Ai kishte “më shumë kujtime se ç’kanë patur të gjithë njerëzit që kur është krijuar bota” dhe “kujtonte jo vetëm çdo gjethe e çdo pemë të çdo mali, por edhe çdonjërën nga herët që e kishte parë apo imagjinuar“. Por ai ishte i paaftë “për të konceptuar ide të përgjithshme apo platonike“. Madje, e kishte të vështirë të flinte. “Të flesh do të thotë t’i fshihesh botës“. Ëndrrat e tij “ishin si zgjimet tona“.

***

“Funesi ose njeriu i kujtesës”, nga Jorge Borges-i, është bërë simbol i epokës digjitale; i botës së fluksit marramendës të informacioneve. Funesi kujton gjithçka, por nuk mund të vlerësojë asgjë. Kujtesa totale nuk arrin t’i filtrojë informacionet, as nuk mund të arsyetojë asgjë.

“Interneti është si Funesi: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të gënjeshtërtën, që është një risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë”, thotë Umberto Eko.

Shumësia marramendëse e informacioneve, që pranohen pa gjykim kritik, është pothuajse e njëjtë me mungesën e informacioneve.

Nëpërmjet internetit, veçanërisht pas shfaqjes së rrjeteve sociale, nuk i fshihemi botës. Bëhemi krijesa pa privatësi, sepse duam ta ndajmë me të tjerët në emër të lavdisë pa mund.

Në epokën digjitale bëhemi objekte manipulimi. Me ne luajnë “peshkatarët e shpirtrave“, siç thotë Gjuro Shushnjiqi. Ata na sajojnë një botë virtuale, të cilën e pandehim si botë reale. Kështu hyjmë në botën e matriksit.

***

Për brezin e ri interneti është pjesë e pandarë e botës së tyre. Për brezin paraprak, kjo botë shpesh është edhe e frikshme. Brezi që ka jetuar para dhe në kohë interneti, i gjetur ndërmjet Galaktikës Gutenberg dhe Galaktikës Digjitale përjeton traumë. Ai ka frikë se e humb një model kulturor e jetësor, njëkohësisht ka frikë nga modeli i ri kulturor dhe jetësor.

Interneti ofron gjëra të dobishme; mundëson të kemi qasje nëpër arkiva dhe biblioteka virtuale; të lexojmë manuskripte, kodekse, atlase, enciklopedi të moçme apo të shohim harta ku ruhen edhe shenjat e kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme. Megjithatë, gjërat e përjetshme shpirtërore, krijuar prej gjenive, nuk lidhen me teknologjinë e zhvilluar. Letërsia ose filozofia e antikitetit është krijuar pa internet, pa rrymë, pa media elektronike.

Të heqësh dorë nga interneti duket e pamundur, por edhe sikur të mos ishte sërish  letërsia, arti, filozofia nuk do ta ndjenin këtë mungesë.

Për mua është e neveritshme ideja që të kem celular dhe qasje të përhershme dhe, me sa di, të jem i vëzhguar gjatë gjithë kohës. Më befason fakti se si miliona njerëz nuk distancohen nga Facebook-u dhe nuk thonë: “Nuk dua të jem pjesë e tij”. Nëse më duhet një informacion atë e kërkoj nëpër libra, në bibliotekë. E di se është punë më e ngathët dhe se mjetet moderne mund ta shpejtojnë këtë proces, por në letërsi nuk mund t’i shpejtoni gjërat”, thotë Gunter Grasi.

***

Bota e sotme nuk ka gjetur zgjidhje për lajmet e rrejshme. Secili mund ta krijojë një medium pa impresum dhe pa merakun e peshës së përgjegjësisë profesionale, morale apo juridike. Mediat mund të të kryqëzojnë, të të linçojnë, të ta vënë shenjën e Kainit. Pastaj fillon funksionimi i diktaturës dhe i tiranisë së turmës. Formula e së drejtës romake: “ta dëgjojmë edhe palën tjetër” ose kryefjala: “goditmë, por lërmë të shprehem”, nuk merren parasysh nga mediat që janë shndërruar në “Hyde Park”.

Në kohën kur secili mund ta krijojë një medium, pa plotësuar ndonjë kriter profesional, nuk mund të flasim për lirinë që mbaron aty ku fillon liria e tjetrit, ose për lirinë ashtu sikurse e përkufizonte Faik Konica: ta bësh atë që ta thotë mendja dhe që ta ndjen shpirti, mjafton askujt të mos i bësh keq. Duhet folur për lirinë arbitrare me pamje demoniake; për “lirinë” që ta linçosh tjetrin, ta heshtësh tjetrin, ta gënjesh tjetrin.

Jetojmë në kohën e “lirisë” për të gënjyer, kurse gënjeshtra na humb besimin dhe aftësinë për të vepruar.

“Nëse ju gënjejnë prore, atëherë si pasojë nuk është se do t’u besohet gënjeshtrave, por pse askush nuk do të besojë në asgjë. Kjo ndodh sepse gënjeshtrat, për nga thelbi, doeomos duhet të ndryshohen dhe qeveria që gënjen doemos duhet që ta shkruajë historinë e vet, duke e nisur gjithçka nga e para. Kështu lind jo vetëm një gënjeshtër – me të cilën do të jetoni deri në fund të jetës – por edhe një sasi e madhe gënjeshtrash, varësisht nga fryn era politike. Dhe një popull që nuk mund t’i besojë askujt, ai nuk mund të vendos. Ai është i privuar jo vetëm nga kapaciteti për të ndërmarrë ndonjë aksion, por edhe nga kapaciteti për të menduar dhe gjykuar. Dhe me këtë popull ju mund të bëni çfarëdo që dëshironi”, thotë Hannah Arendt.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button