Një në katër të rinj janë të varur nga celularët, raportohet në hulumtimin e fundit

Mesatarisht 23 për qind e fëmijëve apo të rinjve – përafërsisht një në katër prej tyre – kanë një përdorim “problematik” të celularëve, thuhet në një hulumtim të kohëve të fundit, shkruan Euronews, transmenton Portalb.mk.

Ndër të tjera raportohej se, varësia ndaj “telefonëve inteligjentë”, ku përfshihet edhe ndjesia e ankthit që vjen si pasojë e mungesës së celularit apo neglizhimi i aktiviteteve të tjera për të shpenzuar kohë në celular – është i dëmshëm për shëndetin mendor.

Njerëzit që kanë përdorim problematik të telefonëve, kishin më tepër depresion, ankth, stres si dhe probleme për të fjetur.

Hulumtuesit kanë rishikuar 41 studime të botuara që nga viti 2011, në të cilat janë vrojtuar 41 mijë e 871 adoleshentë dhe të rinj nga Azia, Evropa dhe Amerika.

“Shqyrtimi që kemi bërë studion jo vetëm përdorimin e tepërt, por e trajton fenomenin nga këndvështrimi i sjelljes së një të varuri kundrejt telefonëve. Kemi parë se ka një lidhje reciproke midis përdorimit problematik të celularëve dhe rezultatit të ulët të shëndetit mendor,” ka thënë Dr. Ben Carter nga Instituti i Psikiatrisë, Psikologjisë dhe Neuroshkencës në kolegjin e Londrë s“King’s College”.

Pjesa më e madhe e përdoruesve problematikë kanë pranuar se pjesën më të madhe të kohës e shpenzojnë nëpër rrjete sociale.

Ndërsa, vajzat e moshës 17 deri 19 vjeç janë më të prirura për të pasur varësi ndaj telefonëve.

Autorët e këtij studimi thanë se ka nevojë për ndërgjegjësim të publikut në lidhje me përhapjen e përdorimit problematik të telefonëve dhe shëndetit mendor.

“Smartphone-t do të jenë këtu përgjithmonë dhe është e nevojshme të kuptohet përdorimi problematik i tyre”, tha autori Dr. Nicola Kalk nga kolegji i Londrës “King’s College”.

“Nuk e dimë nëse është telefoni në vetvete që shkakton varësi tek njerëzit, apo janë aplikacionet që ata përdorin”.

Autorët gjithashtu kanë thënë se studimi i kësaj teme është i nevojshëm për të përcaktuar dëmin e mundshëm mbi shëndetin mendor edhe për brezat e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button