Në Madrid fillon samiti botëror për klimën

Udhëheqësit politikë dhe zyrtarët për çështje të klimës po takohen në Madrit në një samit të Kombeve të Bashkuara për klimën, që do të zgjasë dy javë, për të diskutuar krizën në rritje të ndryshimeve klimatike, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së, Antonio Guterres bëri thirrje për më shumë vullnet politik për të punuar kundër ndryshimit të klimës, duke paralajmëruar se njerëzimi ka hyrë në një “luftë kundër natyrës” që “duhet të ndalet”.

Guterres i bëri këto komente më 1 dhjetor, një ditë para fillimit të samitit.

Tani, tha ai, toka po ballafaqohet me fatkeqësi natyrore më të shpeshta dhe vdekjeprurëse, thatësira dhe ngritje të niveleve të detërave.

Guterres gjithashtu njoftoi se po emëronte Mark Carney, guvernatorin aktual të Bankës së Anglisë, si të dërguar të posaçëm për veprimet klimatike dhe financimin e klimës.

Carney do të fillojë në këtë post në janar, duke zëvendësuar ish kryetarin e bashkisë së New York-ut, Michael Bloomberg.

“Në 12 muajt e ardhshëm, është thelbësore që ne të sigurojmë plane më ambicioze në nivel kombëtar në veçanti për uljen e emitimit të gazërave serë”, tha Gutteres.

Pothuajse çdo vend në botë tani ka nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjen e klimës në Paris dhe nën kushtet e paktit ata të gjithë do të duhet të vendosin premtime për masa të reja sa i përket ndryshimeve klimatike para fundit të vitit 2020.

Rreth 50 udhëheqës botërorë pritet të marrin pjesë në takimin në Madrid në përpjekje për të të përfunduar përpilimin e rregullave për zbatimin e paktit të Parisit, të cilat përfshijnë angazhimet e vendeve për të zvogëluar emetimet e tyre të gazrave serë.

Shtetet e Bashkuara, kontribuesi i dytë më i madh në botë i gazit serë, do të dërgojë një ekip diplomatik në samit,por asnjë zyrtar i lartë i administratës së presidentit, Donald Trump nuk do të jetë i pranishëm.

Sidoqoftë, kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, do të kryesojë një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve në këtë samit.

Presidenti Trump në vitin 2017-ë njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga marrëveshja e Parisit.

Ndërkohë, organizata për mbrojtjen e fëmijëve “Save the Children” thotë se ndryshimet klimatike kanë bërë që miliona njerëz në Afrikë të përballen me uri.

Organizata thotë se 33 milionë njerëz janë në nivele emergjente të pasigurisë ushqimore për shkak të cikloneve dhe thatësirave.

Kjo konferencë , ose siç quhet COP25, ishte planifikuar të mbahej në Kili, por u anulua nga qeveria për shkak të trazirave civile që po zgjasin tash e disa javë.

Pastaj, Spanja vendosi të jetë mikëpritëse e këtij aktiviteti, në të cilin do të jenë të pranishëm 29,000 zyrtarë dhe aktivistë të mjedisit, gjatë dy javëve të bisedimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button