Kur plagjiatura fut në humnerë informatat e verifikuara

Burimi: KriThink

Ritransmetimi i lajmeve, duke përvetësuar të njëjtat, duke mos treguar se kush është autori, është plagjiaturë. Si pasojë, shpesh janë futur në humnerë informatat e sakta. Kur kësaj skeme i shtohet edhe elementi “riaktualizim i ngjarjeve të vjetra”, atëherë krijohet ambient ideal për dezinformim të publikut. I tillë është lajmi që do ta recensojmë, i cili arriti deri në Radiotelevizionin e Kosovës.

RTK: Zbulohet se Zaevin dhe Selën deshën t’i vrasin rusët

Linku deri te artikulli: “ZBULOHET SE ZAEVIN DHE SELËN DESHËN T’I VRASIN RUSËT

Data e publikimit: 19.11.2019

Data e recensionit: 21.11.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Kushti i anonimitetit – alibi që media t’i ikë verifikimit të informatës

“ZBULOHET SE ZAEVIN DHE SELËN DESHËN T’I VRASIN RUSËT”, është titulli i lajmit që u transmetua nga RTK-ja. Duke e pasur parasysh faktin se kjo media është jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut, vend në të cilin ka ndodhur sulmi në Kuvend më 27 prill të 2017-s, ishte një shtytje për të parë burimet e cituara. Informata është transmetuar me “burime në kushte të anonimitetit”. Kjo nuk e amniston median, sepse në situata të “proceseve të rëndësishme politike, siç është sulmi në Kuvend, informatat duhet të bazohen në “burime relevante dhe të bazuara në fakte”, që do të thotë të përfshijë qëndrime nga më shumë palë relevante, që në këtë rast do të ishin prokuroritë ose ministritë.

“‘Dihet edhe emri i oficerit rus të inteligjencës, që po e udhëhiqte operacionin me ndihmën e serbit Goran Zivalevic, gjithashtu oficer i inteligjencës serbe në Shkup. Inicialet e tij janë V.F., i cili po shërbente në një shtet fqinj të Maqedonisë së Veriut. Koordinimi ishte bërë pak ditë më parë, së pari në një vend bregdetar në Bullgari, ku gjenden vilat e oficerëve të shërbimit të inteligjencës ruse të ushtrisë̈ (e njohur si GRU). Plani është detajizuar në Beograd një ditë më vonë në një shtëpi private’, ka thënë për këtë në kushte anonimiteti një ish-zyrtar i shërbimit të brendshëm të maqedonasve”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Plagjiatura futi në humnerë informatën e verifikuar

Meqë burimi nuk ishte relevant dhe informata nuk ishte verifikuar, ishte shtytje që të bëhet një kërkim shtesë. U pa se teksti ishte copy-paste e disa artikujve gazetaresk të publikuara në portale të Maqedonisë së Veriut. Shpërndarja e informatës nga më shumë media kishte bërë të njëjtat të zhvillonin plagjiaturë, sepse përveç se nuk citonin veten, nuk e citonin edhe njëra-tjetrën.

Nga këtu u krijua qëndrimi, se ishte “plagjiatura ajo që e futi në humnerë informatën e verifikuar”.

Ky qëndrim fuqizohet më shumë, ngaqë asnjë institucion relevant si në Maqedoninë e Veriut por edhe në Serbi kohës së fundit nuk ka publikuar informacione të tilla. Nga ana tjetër, informatat e fundit që lidhen me njërin nga të personat e apostrofuar në artikull, Goran Zhivaleviq dhe që kanë të bëjnë me rastin e sulmit të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, janë që nga viti 2018-të.

Manipulim me informata të vjetra dhe fakte selektive!

Duke analizuar të gjitha këta elemente, vijmë në përfundimin se media me çdo kusht ka tentuar të manipulojë publikun me konceptin “Fakte selektive” duke plasuar vetëm informata që kanë të bëjnë me skenarin ruso-serb, i cili nuk është diçka e re, dhe duke plasuar informata të paverifikuar, që është në kundërshtim me parimet e gazetarisë profesionale, objektive e hulumtuese. Është krijuar ambient ideal për dezinformim të publikut, sepse artikulli riaktualizon ngjarje të vjetër.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button