Katër ditë pas tërmetit tragjik në Shqipëri, bilanci i viktimave mbeti i pandryshuar

Katë ditë pas tërmetit tragjik i cili mori 50-të jetë njerëzish, bilanci i viktimave mbeti i pandryshuar, transmeton Portalb.mk.

DITA E PARË: Një tërmet i fuqishëm e goditi Shqipërinë, u regjistruan 25 viktima
DITA E DYTË: Tërmeti tragjik i 26 nëntorit në Shqipëri, numri i viktimave arriti në 30-të
DITA E TRETË: Moti i ligë e kaploi Durrësin, numri i viktimave arriti në 50-të

Të lënduar vazhdojnë të jenë mbi 900 persona të tjerë, ndërkaq operacionet sot janë zhvilluar vetëm në rrënojat e hotel ‘Mira Mare’.

Siç raporton “Ora News”, fillimisht ishin ekspertët malazezë që pezulluan gjatë pasdites kërkimet.

Më pas ekipet franceze, italiane dhe zvicerane kryen edhe një kontroll me qen, por duke parë se nuhatja e tyre ishte përqendruar vetëm në zonën ku më herët janë nxjerrë viktimat e tjera ata thonë se me shumë mundësi qeni ka nuhatur gjakun e mbetur të personave që janë nxjerrë.

Nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes ndërkohë thuhet se “kërkimet te “Miramare” janë ndërprerë për sot, por nuk janë mbyllur. Rinisin nesër”.

Bilanci është 24 të vdekur në Durrës, 24 në Thumanë dhe 2 në Kurbin. Ndërkohë, gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Durrës, Tiranë, Laç dhe Lezhë.

Vijojnë ndihma financiare, ushtarake dhe prej ekspertësh

Për të sanuar dëmet materiale dhe për realizuar operacion të kërkimit dhe shpëtimit, ndihma financiare dhe ushtarake janë dërguar dhe po dërgohen nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Italia, Greqia, Franca dhe Turqia, Mali i Zi, Serbia dhe Kroacia. Për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve dhe për gjendjen e objekteve pas tërmetit, në Shqipëri janë dërguar edhe ekspertë të ndërtimtarisë. E ndërkaq, kryeministri Edi Rama ka shprehur nevojën urgjente për ndihma monetare.

Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, ka publikuar xhirollogaritë bankare ku mund të dërgohen donacione për sanim të dëmeve nga tërmetet.

Ato janë:
IBAN ne ALL (Lek): AL29 2121 1016 0000 0000 0030 0001
IBAN ne EUR : AL72 2121 1016 0000 0000 0030 0003
IBAN ne USD: AL02 2121 1016 0000 0000 0030 0002

Dhe kur operacionet e kërkim shpëtimit po shkojnë drejt fundit, Qeveria e Shqipërisëka nisur përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet. Rama ka njoftuar, se deri tash janë mbledhur 5 milionë euro e mbi 1 milion dollarë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë së Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar gjithashtu se çadrat e ngritura në Thumanë dhe në Laç do të hiqen dhe banorët do të akomodohen në hotele.

Ndërsa për banorët e Bubqit tha Rama ata nuk do të largohen, por do të ngrihen çadra të një tjetër kategorie, pasi banorët në këtë zonë janë të lidhur me blegtorinë dhe nuk mund të braktisin zonat.

“Në qarkun e Durrësit janë 1260 persona të akomoduar, nga të cilët deri tani janë 625 në hotele dhe 360 në palestrat e shkollave. Të tjerët janë në çadra apo tek të afërmit. Në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra, për ta ka filluar transporti nga kampet për në hotele në Shengjeni”, tha ai, përcjellin mediat në Shqipëri.

Sipas tij, në Qarkun e Tiranës 3480 persona janë pa strehë, ndërsa në Berat 250 persona.

Në Durrës janë evidentuar 701 banesa të dëmtuara, 12 te shkatërruara, 176 pallate të dëmtuara.

Në Tiranë banesa 15 të shkatërruara, 239 të dëmtuara, 8 pallate janë jashtë përdorimit.

Rama tha se ky është bilanc fillestar, ndërsa theksoi se sot vijnë ekipet e para te inspektorëve teknikë për të bërë një analizë të dëmeve së bashku me ekspertët shqiptarë.

Sa i përket kontributeve Rama tha se shuma e grumbulluar është goxha inkurajues, por për shkak se bankat janë të mbyllura nuk mund të thuhet sa është bilanci i plotë.

Tërmeti prej 6.4 ballë i 26 nëntorit të 2019-s, konsiderohet të jetë më i fuqishmi që pas vitit 1979 dhe i pesti në botë për këtë vit. Pas Shqipërisë, tërmete të fuqishme e kanë goditur edhe Greqinë, dhe Bosnje e Hercegovinën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button