MORT E FESTË BASHKË

Fati deshi që gëzimin e festës më të rëndësishme të kombit – Ditës së Flamurit, sivjet ta përjetojmë bashkë me dhimbjen e madhe për shkak të humbjes së shumë jetëve njerëzore, qindra të lënduarve dhe shkatërrimit të një numri të jashtëzakonshëm të shtëpive e godinave në qytetet/vendbanimet e gjendura në zonat afër epiqendrës së tërmetit, si: Durrësi, Kruja, Thumani, Tirana, Shijaku, Lezha…

Janë të shumtë ata që thonë se dëmet e shkaktuara nga ky tërmet i rëndë janë më të mëdhatë që ka përjetuar ndonjëherë Shqipëria dhe shqiptarët. Për nga pasojat e tmerrshme dhe për nga forca shkatërruese që ka goditur Durrësin dhe zonat përreth tij, me gjasë ky është tërmeti i dytë, pas atij të vitit 1267, që e shkatërroi tërësisht qytetin antik bregdetar. Sipas albanologut e studiuesit të madh Robert Elsit, i cili i referrohet veprës “Historia” të historianit nikeas George Pachymeres (1242-1310), edhe atëbotë katastrofa qe e papritur dhe e jashtëzakonshme për të lejuar që dikush të mbijetonte duke u arratisur. Për shumë njerëz, ishte si një ëndërr: ata nuk e zbuluan kurrë se nga çfarë ngjarje u zhdukën. Fëmijë të vegjël dhe bebe, që nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur, u varrosën nën rrënoja…

Pa u ndalur më gjatë në tërmetet e lashtësisë, po përmendim me këtë rast vetëm goditjet shkatërrimtare që përjetoi Shqipëria përgjatë 200 viteve të fundit. Kështu, mbështetur në të dhënat e djeshme të Shqiptarja. com: më 1851 humbën jetën mbi 400 beratas dhe u shembën qindra ndërtesa; më 1855 u shkatërrua gati tërësisht Shkodra me rrethinë; më 1919 pësoi dëme të mëdha zona e Leskovikut dhe Konicës; më  1920 në Elbasan u rrënuan 173 shtëpi, vdiqën 14 njerëz dhe u plagosën rëndë qindra të tjerë; më 1959 në Lushnjë, Fier, Berat… u shkatërruan afër 1000 shtëpi; më 1967 në zonën Librazhd – Dibër u dëmtuan 177 fshatra dhe mbi 6000 ndërtesa, vdiqën 12 njerëz dhe afër 200 u plagosën, kurse, më 1979 tërmeti vrau 40 njerëz nga Shkodra e Lezha dhe dëmtoi mbi 17000 shtëpi.

Fatmirësisht, tani është kohë tjetër dhe në raste tragjedishë si kjo e fundit është i jashtëzakonshëm solidariteti i shteteve të botës dhe gatishmëria për të ndihmuar të dëmtuarit me të gjitha mjetet e mundshme. Këtë e ilustruan/ilustrojnë më së miri kolonat e automjeteve të ushtrisë së Kosovës me ekipe speciale të kërkim-shpëtimit, ekipet profesionale të gjetjes dhe shpëtimit të njerëzve të mbetur nën rrënoja nga Italia, Maqedonia, Turqia, Greqia, Kroacia, Rumania, Serbia…;  radhët e pafundme të kamionëve të mbushur me ndihma gjithfarëllojëshe për më të goditurit nga kjo katastrofë natyrore; përpjekjet e pandalshme të ekipeve mjekësore për shpëtimin e jetëve të të plagosurve; gatishmëria e shteteve të botës për të ndihmuar materialisht Shqipërinë; ndihmat e ardhura nga biznesmenët shqiptarë; vënia në disponim e hoteleve dhe shtëpive gjithandej trojeve shqiptare për njerëzit e mbetur pa kulm mbi kokë; mbledhja dhe dërgimi i ndihmave në para, ushqime e veshmathje nga rinia studentore shqiptare dhe bashkëvuajtja gjithëpopullore me familjarët e viktimave të tërmetit të 26 nëntorit të kobshëm, pasojat e të cilit akoma nuk janë llogarritur mirëfilli.

Përtej të gjithave, tërmeti katastrofal dëshmoi, kush e di për të satën herë, se populli shqiptar është një në festa e në morte të mëdha, pavarësisht kastragjelave që kanë rrokur kazmat e fragmentarizimit të etnisë, sipas reçetave të huaja. Tërmeti, përfundimisht, na bëri më të vetëdjishëm sa të vegjël jemi të ndarë dhe sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button