Cristiano nuk është i lumtur në Madrid

Cristiano Ronaldo, pas ndeshjes ndaj Manchester City, u shpreh i lumtur për kalimin e grupit nga ana e Real Madrid në Ligën e Kampioneve, por u tregua enigmatik mbi të ardhmen e tij në klubin madrilen. 

Kur u pyet nësi ishte i kënaqur në Madrid, sulmuesi portugez nuk u përgjigj, por thjesht buzëqeshi.

Gazeta AS publikoi para disa ditësh se Cristiano Ronaldo nuk është aspak i lumtur me trajtimin që i kanë rezervuar drejtuesit e lartë të klubit, të cilët nuk e mbrojnë ashtu siç bëjnë drejtuesit katalanas me Messin. Sipas sportives spanjolle, Cristiano po mendon largimin sapo të përfundojë ky sezon.

Rasti i fundit ishte ndaj Levantes: në vend që klubi të kërkonte më shumë mbrojtje për Cristianon pas ndërhyrjes së ashpër të David Navarros që e çau në vetull portugezin, klubi lëshoi një komunikatë zyrtare për të mbrojtur imazhin e Pepes për sherrin që ky i fundit nisi me Ballesteros, kapitenin e Levantes. 

Gjithashtu Cristiano nuk e kupton se si nuk ishte mes lojtarëve më të mirë të kampionatit spanjoll të sezonit të kaluar edhe pse fitoi titullin me Realin dhe shënoi plot 46 gola. Sipas tij, faji për këtë i shkon klubit që nuk ka ndikuar sa duhet në Federatë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button