Rritja e popullsisë kërkon 50 për qind rritje të prodhimit të ushqimit

Prodhimi global i ushqimit duhet të rritet 50 për qind për të përmbushur nevojën e popullatës në rritje, tha ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, Bekir Pakdemirli, raporton Anadolu Agency (AA).

Pakdemirli ka folur në Takimin e 35-të Ministror të Komitetit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (COMCEC).

“Unë besoj se ky takim do të rrisë vetëdijen për zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit”, tha Pakdemirli, sipas një deklarate të Ministrisë të mërkurën vonë.

Duke përmendur se 820 milionë njerëz vuajnë nga uria në botë, ai tha se ushqimi dhe prodhimi bujqësor janë bërë një çështje e rëndësishme në axhendën ndërkombëtare.

“Të gjithë palët e interesuara në bujqësi, pylltari dhe peshkim duhet të përfshihen”, tha ministri, duke shtuar se: “Në këtë kontekst, ne kemi përgatitur një Raport të Vendit i cili synon të zbulojë situatën aktuale në sistemin e qëndrueshëm të ushqimit të Turqisë dhe aktivitetet që lidhen me promovimin e këtyre sistemeve”.

“Turqia është e gatshme të ndajë njohuritë dhe përvojën e saj me vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) në mënyrë që të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin në fushat e ushqimit dhe bujqësisë mbi një bazë të përbashkët”, tha më tej ai.

COMCEC, e cila është me seli në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, dhe kryesohet nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, u krijua gjatë samitit të tretë islam të mbajtur në vitin 1981 dhe u bë funksional në vitin 1984.

Si platforma më e lartë ministrore për OBI-n, organizata e dytë më e madhe ndër-qeveritare pas OKB-së, COMCEC synon të përmirësojë lidhjet ekonomike dhe tregtare midis vendeve anëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button