Takimi Kurti-Mustafa, ende pa marrëveshje përfundimtare (VIDEO)

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë zhvilluar takimin e parë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në takimin që u mbajt nga ora 16:00 në Kuvendin e Kosovës morën pjesë krerët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, bashkë me deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës nga të dyja partitë.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, e ka quajtur këtë takim konstruktiv derisa ka njoftuar se janë dakorduar për pikat e programit qeverisës.

Kurti ka thënë se nesër do të mbahet takimi i radhës për t’i përmbyllur çështjet e ngelura nga grupet punuese të të dyja partive.

“U dakorduam se do të takohemi intensivisht ne, dy kryetarët e dy subjekteve, sepse doemos do ta bëjmë marrëveshjen e cila do të shënojë një kapitull të ri në Republikën e Kosovës me një kulturë tjetër qeverisëse, me një program zhvillimor, për drejtësi ligjore e sociale dhe për integrime evropiane, duke i dhënë prioritet gjithmonë qytetarit të republikës, pa dallim”, tha Kurti.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e ka cilësuar si shumë të frytshëm, konstruktiv dhe përmbajtjësor takimin me Kurtin.

Me t’u takuar me Kurtin, Mustafa ia uroi fitoren si parti e dalë e para në garën zgjedhore.

“Ne konstatuam bashkërisht se ajo çfarë është punuar nga grupet punuese gjatë kësaj periudhe kohore në përafrimin dhe harmonizimin e programit qeverisës pothuajse është përfunduar, mbetet që edhe nesër të definohet përfundimisht, dhe ne u pajtuam për çështjet që duhet të përfundohen. Ndërkaq, ne shohim arsye të plotë, shohim vullnet nga të dyja palat që të vazhdojmë intensivisht këto ditë, të mbajmë kontakte të rregullta, në mënyrë që të përcaktojmë edhe përgjegjësitë tona në qeverisjen e ardhshme, me qëllim që ajo qeveri të jetë e suksesshme dhe të jetë në interes të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Dje pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ, VV përmes një postimi në Facebook njoftoi se deri të hënën pritet të lidhet marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në.

Në bazë të rezultateve të subjekteve politike nga KQZ, VV ka fituar 29 ulëse në kuvend, ndërsa LDK 28 ulëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button