RMV, ekziston rreziku që mbrojtja e të dhënave personale të pësojë kthim prapa

Pothuajse një vit e gjysmë pasi kemi paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi është shqyrtuar dhe ndryshuar në masë të madhe, ai është hartuar dhe harmonizuar me GDPR (Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtje të të Dhënave të Bashkimit Evropian) dhe është koha fundit që të miratohet, sepse tani vetëm duhet të votohet në parlament. Shpresojmë se ligjin nuk do ta pengojnë faktorë që tani po kërcënojnë, përkatësisht pengesën politike – Parlamenti të mos e votojë para se të shpërndahet për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, tha Igor Kuzevski nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (DMDhP) në tryezën e sotme të rrumbullakët “Harmonizimi ligjor” i GDPR dhe Direktivës së Policisë 2016/680 në Legjislacionin Kombëtar ”, që u mbajt në kuadër të Konferencës së 15-të ndërkombëtare „E-Society.mk – Institute të hapura dhe llogaridhënia” në Shkup në organizim të Fondacionit Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.

Ai paralajmëroi se ligjin i ri, edhe sikur të kalojë në Parlament menjëherë, atë e kërcënon edhe një pengesë tjetër, mbase më serioze, përkatësisht që Drejtoria ende nuk ka drejtor, gjysmë viti pas dorëheqjes së mëparshme, gjë që e vështirëson punën shumë.

“Pavarësisht kur do të hyjmë në BE, ne duhet ta respektojmë GDDR para së gjithash për ne. E pamë se askush nuk mund të jetë imun ndaj dëmtimeve, e patëm atë si me kryeministrin tonë, Kancelaren gjermane Merkel, Presidentin e Kosovës … Ligji është i krehur nen pas neni, paragraf pas paragrafi, deri në dispozitat përfundimtare dhe besoj e shpresoj se do të miratohet sa më shpejt, për të mirën tonë. Në qoftë se nuk emërohet drejtor dhe nuk miratohet ligji, do të kemi një regjim kalimtar në të cilin DMDhP do të duhet t’i japë jetë këtij ligji përmes akteve nënligjore. Por mungesa e drejtorit do të na pengojë për ta bërë këtë, pasi nuk do të kishte njeri që t’i sillte zyrtarisht. Kjo do të mundësonte që të gjithë kontrolluesit të kenë justifikim për atë se nuk bëjnë asgjë në lidhje me kontrollin e asaj se si grumbullohen dhe trajtohen të dhënat personale”, tha Kuzevski.

Në tryezën e rrumbullakët morri pjesë edhe Viktor Dimovski, drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK), i cili tha se si një organ i ri ata janë akoma në proces të përpilimit të akteve nënligjore, por janë të kujdesshëm që të respektojnë rregulloret evropiane. Dimovski siguroi se ata me siguri do të përpiqen të jenë maksimalisht transparentë për punën e tyre.

“Sipas ligjit ASK duhet të bashkëpunojmë me DMDhP, ato sipas ligjit janë kontrolluesit tanë. Ne i bëmë hapat e parë me organet kompetente parlamentare të mbikëqyrjes dhe për tre muaj, pasi filluam të funksionojmë, kemi pasur gjithsej 6 takime me dy organet e mbikëqyrjes parlamentare të shërbimeve të sigurisë, më shumë se çdo takim tjetër më parë. Është një ilustrim i gatishmërisë sonë për të bashkëpunuar me të gjithë organet e kontrollit dhe do të jemi plotësisht të hapur për bashkëpunim dhe mundësimin e kontrollit nga DMDhP. Shpresoj që problemet e tanishme së shpejti do të tejkalohen dhe ata do të jenë në gjendje për ta kryer plotësisht funksionin e tyre”, tha Dimovski.

Në tryezën e rrumbullakët morri pjesë gjithashtu Jan Elerman, specialist për mbrojtje të të dhënave personale, përkatësisht Oficer për mbrojtje të të dhënave personale nga Europoli, i cili paralajmëroi se keqpërdorimi i të dhënave personale, pavarësisht kornizat e mira ligjore, si GDDR mund të ndodhë në vazhdimësi edhe në vendet e BE-së dhe ato jashtë BE-së. Elerman tha se situata në BE dhe jashtë BE-së nuk dallon shumë edhe për sa i përket imazhit të keq të zyrtarëve për mbrojtjen e të dhënave personale në sytë e zyrtarëve, të cilët i perceptojnë ata si një lloj “torturuesi” dhe njerëz që vazhdimisht u vendosin ndërkëmbëza.

“Por një oficer i mirë e sheh punën e tij si polic në polici dhe kjo duhet të përfshijë faktorin e besimit dhe ai duhet të shikojë atë se i ndihmon organizatës. Por kjo është ndonjëherë e vështirë, sepse zyrtarin për mbrojtjen e të dhënave shpesh e kërkojnë për këshilla vetëm pasi të kenë filluar mbledhjen e të dhënave – tha ai.

Në debat morën pjesë edhe Dragana Stojkoviq nga Zyra e administratorit për qasje të lirë te informacionet me karakter publik dhe mbrojtje të të dhënave personale nga Serbia, dhe prof. Dr Trpe Stojanovski nga Fakulteti i sigurisë në universitetin e Manastirit, ndërsa i  moderuar nga Elena Stojanovska nga Fondacioni “Metamorfozis”.

Sipas profesorit Trpe Stojanovski, si një nga ata me njohuri më të thella në këtë çështje, megjithëse tani ka shumë legjislacion dhe dokumente, gjërat janë më keq.

“Nuk do të thotë që në të kaluarën, kur nuk kishte korniza të tilla ligjore, policia nuk është kujdesur për të dhënat personale. Kujdes jashtëzakonisht i lartë i kushtohej trajtimit të këtyre të dhënave dhe është ka pasur kujdes për diskrecion, qasje profesionale gjatë përdorimit të tyre. Ato ishin udhëzime të brendshme me fuqi ligjore, por ato duhet të analizohen nga prizmi i atij momenti shoqëror, në atë kohë në një sistem njëpartiak, përkatësisht sistem totalitar”, tha Stojanovski.

Ai përmendi qysh prej vitit 2005 është përfshirë në hartimin e rregulloreve të duhura për mbrojtje të të drejtave të qytetarëve, siç është ligji për policinë dhe ligji për punët e brendshme dhe megjithëse përpjekjet për ndryshime legjislative janë bërë në mirëbesim dhe me konsultime dhe transponim të legjislacionit evropian, megjithatë, zbatimi në praktikë tregon shumë dobësi dhe patjetër do të duhet të ndërmerren masa.

Ai përsëriti se megjithëse legjislacioni tani është vendosur mirë, aplikimi në terren është “në nivelin e dytë ose të tretë”.

“Themelet janë hedhur, por duhet të rregullohen më mirë dhe ky mesazh duhet t’i adresohet menaxhmentit më të lartë në institucionet kombëtare. Prandaj, “Metamorfozis”, që “është kujdestare” e kësaj çështjeje, që është më e rëndësishme sesa publiku e imagjinon, tregon se shoqëria civile, e cila është e përgatitur mirë në këtë çështje, duhet të dëgjohet nga shteti dhe vërejtjet duhet të zbatohen”, tha Stojanovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button