U përuruan shtatoret e Shaban, Hamëz e Adem Jasharit në Drenas

Në sheshin “Fehmi Lladrovci” në qendër të Drenasit është përuruar shtatorja me komandantin legjendar Adem Jashari, vëllain Hamëz Jashari dhe babanë e tyre Shaban Jashari, raporton Anadolu Agency (AA).

Me një ceremoni ku kanë marrë pjesë anëtarë të familjes Jashari, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, si dhe mysafirë të tjerë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, përurimi i shtatorëve u bë pikërisht në ditën e lindjes së Adem Jasharit, më 28 nëntor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në këtë ditë të festës së pavarësisë së Shqipërisë, të festës së flamurit kombëtar, të ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “është sublimuar gjithë angazhimi për çlirim të vendit”.

Thaçi tha se sheshi “Fehmi e Xhevë Lladrovci” po madhështohen sot me përurimin e shtatores së Shaban Jasharit, Hamëz Jasharit e Adem Jasharit.

“Sot në këtë shesh po vendosen emblemat e UÇK-së, identiteti dhe krenaria e kombit shqiptar. Sot po vendosen shtatoret e kujtesës së krenarisë së kombit, por para së gjithash edhe e mesazhit për të ardhmen e sigurt të shtetit të Kosovës dhe gjithë popullin shqiptar”, tha Thaçi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se falë luftës dhe heroizmit të heronjve Jashari, “ne sot e kemi ngritur në këmbë atdheun tonë, Republikën e Kosovës, që është e arritura më e madhe e patriotizmit shqiptar, pas pavarësisë së Shqipërisë”.

“Është i veçantë ky 28 nëntor, sepse këta tre burra na bashkojnë sot në këtë shesh duke na bërë një me zemër, ashtu siç ishim e do të jemi gjithmonë. Lufta heroike e UÇK-së, ballë komandantit legjendar Adem Jashari, shënon rimëkëmbjen tonë si komb dhe na kujton nëpër breza e krahina se kush jemi, duke na nxitur që të krijojmë vepra të mëdha së bashku, edhe shekujt që vijnë”, tha Haradinaj, i cili tha se tani detyra është që të ruhet liria, sovraniteti i shtetit e të mbrohen të arriturat kombëtare.

Djali i madh i Shaban Jasharit, njëherësh vëllai i Adem e Hamëz Jasharit, Rifat Jashari, në këtë tubim tha se shpreson që këto shtatore të mbahen me nder.

Ai shfrytëzoi rastin për t’i ngushëlluar “vëllezërit dhe motrat nga Shqipëria” për tërmetet që morën jetë e plagosën njerëz, gjë për të cilën u mbajt edhe një minutë heshtje.

Manifestimi i përurimit të shtatorëve të heronjve kosovarë u mbajt nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Së bashku me vëllain e tij, Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe ,të cilat e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij, për të shënuar një rast mjaft unikat në historinë e luftërave.

Adem Jashari mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”. Titulli “Hero i Kosovës” iu dha atij në vitin 2008 nga Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button