fbpx

Mes lotësh, artistët dhe Parklandi e hapi punktin donator dhe i thanë Shqipërisë: Nuk jeni vetëm

Fatkeqësia natyrore e në Shqipëri ka bashkuar kompaninë Parkland, artistë si Altuna Sejdiu – TUNA, Filloreta Raçi – FIFI, Loreta Kaçka – Lori, Besjana Kasami – Big Mama dhe Mimoza Mustafa Kryeziun, të cilët kanë hapur sot punkt donacioni për të mbledhur ndihma për sanim të dëmeve në Durrës. Iniciativa ka marrë mbështetjen edhe të Kryqit të Kuq, Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, transmeton Portalb.mk.

Edhe ky moment nuk arriti të kalojë pa praninë e lotëve të shkaktuara si rezultat i gjendjes së rënduar në Shqipëri.

“Nuk jeni vetëm. Do e ndajmë si gjithmonë gëzimin, hidhërimet dhe dhimbjet së bashku. Sot jemi mbledhur që të ndihmojmë sado pak vuajtjet e familjarëve, të shtrijmë dorën e solidaritetit për të dhënë mesazhin: “Nuk jeni vetëm”. Bashkë do ta kalojmë edhe këtë sfidë të bashkuar”, tha Tuna.

Ndërkaq, sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti ka njoftuar se aktivitetet që do të vijojnë pas  grumbullimit të donacioneve në këtë punkt, do të jenë në drejtim të sanimit të pasojave që janë shkaktuar, ngaqë për operacionet e kërkimit dhe shpëtimit nuk ka nevojë për më shumë ekipe.

“Në emër të Kryqit të Kuq kam ardhur ta mbështes këtë iniciativë. Ne kemi qëllim të mirë dhe se jemi këtu për të treguar mirëkuptim, solidaritet dhe humanizëm ndaj njerëzve që pësuan. Detyra ime këtu është që të japë instruksione për aktivitetet e nevojshme që duhet të ndërmerren në këtë situatë. Mund të ju njoftoj, se nga informacionet e mia jozyrtare, se aktivitetet rreth shpëtimit dhe kërkimit të personave të humbur dhe që kanë ngelur nën rrënoja, sot kanë përfunduar, sepse tashmë është njoftuar se nuk kërkohen njerëz shtesë të cilët mungojnë në familje. Prandaj, nga këtu e nesër jemi të fokusuar që të realizojmë aktivitetet drejt sanimit të pasojave nga katastrofa. Por do të fokusohemi më shumë në grumbullimeve të mjeteve në formë parash, sepse konsiderojmë se është ndihma më efikase dhe direkte. Deri tash janë grumbulluar 2 milionë e 460 mijë denarë kjo nga telefonatat në numrin e Kryqit të Kuq”, tha Saiti.

Ndërkaq pronari i Parklandit, Enver Maliqi bëri thirrje që këtë lloj aktiviteti ta praktikojnë edhe kompanitë e tjera.

“Unë si pronar i kompanisë sime dhe me të punësuarit e mi, angazhimin për të ndihmuar do ta bëjmë edhe personalisht. Kjo bëhet me qëllim, që të jetë shembull që ky veprim të ndiqet edhe nga kompanitë tjera. Pa dallim se a do të krijoni punkte donatore në kompanitë e juaja, sikur ne që e bëjmë sot, apo do të organizoheni në mënyrë tjetër, besomëni se humanizmi është ajo që na bën njerëzor, na afron dhe na premton ardhmëri më të mirë”, tha Maliqi.

E këngëtarja FIFI, nuk arriti ta përmbajë veten. Ajo duke treguar atë çfarë janë duke e përjetuar shqiptarët pas tërmetit, u vërshua nga lotët.

“Unë e kum përjetuar dy herë tërmetin. Është ndjerë shumë në Tiranë. Dje kam ardhur për t’u stabilizuar në Prishtinë, se ishte e frikshme. Nuk dua të bëj shumë propgandë për t’i tmerruar njerëzit e tjerë, por realisht ato tërmete janë shumë të frikshme, dhe njerëzit janë duke i bërë shumë keq emocionalisht. Unë s’kisha me i thënë shteti fqinj, por nëna Shqipëri. Dhe ajo vërtetë ka nevojë mu ndihmu, dhe jo vetëm Durrësi, por edhe pikat tjera që janë prekur nga tërmeti. Unë jam duke u dridhur, se realisht është shumë e frikshme”, tha FIFI e cila e nuk arriti ta përfundojë fjalimin ngaqë lotët ia vërshuan fytyrën

Emocionet nuk arriti t’i shmang as Lori, e cila bashkë me Big Mamën dhe Mimoza Mustafën bënë thirrje që aktivitetit t’i bashkohen edhe artistët tjerë dhe shkupjanët që nuk kanë donuar deri tash. Kanë shprehur edhe ngushëllime dhe kanë dërguar lutje që të lënduarit të shërohen sa më shpejtë. Ata nuk kanë dashur të tregojnë se nëse kanë ndihmuar deri tash, ngaqë “është personale”.

Ndërkaq, drejtori i OEMVP-së, Nebi Hoxha njoftoi se kjo organizatë me të marrë lajmin për tërmetin, ka realizuar mbledhje urgjente ku kanë hapur tre punkte për grumbullimin e ndihmave, si në Shkup, Tetovë dhe Strugë. Ata kanë hapur edhe xhirollogari, ku vetëm 24 orët e para kanë grumbulluar mbi 100 mijë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button