Shqipnisë sime t’luhatun (VIDEO)

Kur dridhesh ti
Ne s’bajmë gjumë Shqipni
Se tutemi po vdes
E rrajë jetimash mbesim
Të duem edhe kur vërshohesh
Ujnash
Edhe kur digjesh
Zjarresh
Edhe kur mallkohesh nesh
Kur luhatesh
Dridhesh e përkundesh
Tërmetesh
Si zogj t’futemi n’gji
E lutemi
Vetëm ti t’mos vdes
Ne
S’bajmë gjumë kur ti dridhesh
Se veç Ty t’kemi Shqipni

2

Kamë t’forta ke moj Shqipni
ato kurrë s’t’u dridhën
as kur t’përpimë kosovarqe
as kur t’vërshuem çamërisht

as kur t’vramë me ikje

Zemër t’fortë ke moj Shqipni
ajo kurrë s’t’u thye
as kur u pehate regjimesh
as kur u dridhe zotnash
Ti dhimbjet na i more
e s’vdiqe

se ne u lutëm për ty

Duer t’forta ke moj Shqipni
Ti s’na len m’u dridhë
kur mbesim gërmadhave
kur qajnë fëmijët e cijasin qentë
na merr ngrykë na përkund
n’gurin e gjinit t’mos vdesim

se t’kemi vetëm Ty

Këtë poezi e ka shkruar artisti Çun Lajçi, në Prishtinë, më 27 nëntor 2019-të për të kujtuar dhe shprehur dhimbjen për pasojat që tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s, ia shkaktoi Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button