Prishtina hap shtëpitë dhe hotelet për t’i pranuar të prekurit nga tërmeti

I mbijetuan një tërmeti vdekjeprurës, por mbetën pa strehim.

Pas një nate tejet të rëndë të kaluar në ambient të jashtëm, shumë familje nga Shqipëria në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, kanë arritur në Prishtinë, raporton KTV.

Të tronditur nga ajo që përjetuan, të mbijetuarit e kësaj fatkeqësie thonë se panë vdekjen me sy.

Një tjetër nënë e cila mezi arriti t’i nxirrte fëmijët nga shtëpia, e cila pësoi të çara nga tërmeti, përmes transportit të grupit të tifozëve Plisat këtë të mërkurë, u akomodua në një hotel i cili ofroi strehim për shumë familje nga Shqipëria.

Abdullah Qaushi, i cili gjatë luftës u strehua në Shqipëri, hotelin e tij këtë të mërkurë e ofroi në dispozicion të familjeve që kishin nevojë për akomodim.

Por, vetëm pak orë më vonë, shumë qytetarë të Prishtinës dhe qyteteve të tjera e vërshuan këtë hotel, duke ofruar strehim për këto familje.

Disa prej tyre morën banesa me qira që t’i akomodonin ata, të tjerë ofruan shtëpitë e tyre, e pati edhe të atillë që i zbathën edhe këpucët për të mbijetuarit e këtij tërmeti.

Derisa grupi i tifozëve të futbollit Plisat, të cilët që nga mbrëmë, kanë nisur të dërgojnë ndihma në Shqipëri dhe kanë transportuar drejt Prishtinës familje të cilat kanë pasur nevojë për strehim, thonë se kanë vazhdimisht thirrje dhe kërkesa nga kosovarët, të cilët po ofrojnë ndihma dhe strehim.

Pos ndihmës në strehim, shumë nisma janë bërë edhe për të mbledhur fonde për të mbijetuarit e tërmetit, ku deri tani, në raste të ndara janë mbledhur më shumë se 1 milion euro përmes “GoFundMe”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button