“Ra ky mort e u pamë”

Nuk di të ketë pasur ditë zie kur ky titull i Ismail Kadaresë përputhet më mirë me realitetin. Janë këto ditë zie që nxinë të kuqen e flamurit, ditën e të cilit duhej ta festonim sot. Është pikërisht ajo festë e flamurit që na bashkon të gjithëve rreth simboleve tona fundamentale kombëtare, ajo ditë, që pavarësisht kush jemi e ku ndodhemi të gjithëve na rreh zemra njësoj.

Kësaj rradhe nuk na bashkoi festa por na bashkoi solidariteti. Tragjedia që kaploi Shqipërinë zgjoi solidaritetin e përgjithshëm gjithkund ku jetojmë dhe tek gjithësecili prej nesh. Të gjithë u aktivizuan dhe u mobilizuan për të dhënë ndihmën e parë dhe esenciale për viktimat e këtij tërmeti tragjik. Të gjithë, pa përjashtim, u bashkuan me një dëshirë e një qëllim që të ndihmojnë vëllezërit e motrat të cilët përjetuan këtë gjëmë të madhe. Janë këto momente solidariteti që vërtet ngrisin moralin se vlerat njerëzore nuk janë shuar, se lidhjet vëllazërore nuk janë shkëputur, se përkrahja mes nesh nuk është harruar. Sa shpejt reagojmë kur ka tragjedi të tilla. Çfarë aktiviteti të madh tregojmë edhe në aspekt individual por edhe në aspekt institucional. Sa solidarë jemi kur na godet e keqja. Sa pozitive është kjo, sa ngushëlluese për të gjithë ata që humbën më të dashurit por edhe për ata që pësuan dëme të mëdha, sa e rëndësishme është të kuptojnë që nuk janë vetëm, që ne të gjithë marim pjesë në dhimbjen e tyre dhe bëjmë të pamundurën për ta lehtësuar sado pak atë dhimbje. Sa bukur do të ishte të jemi më solidar edhe në kohëra normale, jo vetëm në raste të fatkeqësive natyrore. Sa mirë do të ishte të përkrahim pak më shumë njëri tjetrin kur nuk dridhet toka poshtë këmbëve tona, e të mos harrojmë se dhimbja e dikujt prej nesh është dhimbje e të gjithëve e suksesi i dikujt prej nesh është sukses i të gjithëve.

Ra ky mort u pamë mirë se kush jemi, jo vetëm ne shqiptarët por i gjithë Ballkani. Ra ky mort për të treguar se kur duam mund të jemi solidarë dhe ky solidaritet tejkalon kufinj administrativ, etnikë e shtetërorë. Ra ky mort e pamë qeveritë e shteteve të ndryshme të japin ndihma të mëdha dhe institucione të pushteteve të ndryshme të përkrahin fuqishëm viktimat e një tragjedie. Ra ky mort dhe u pa solidariteti ndëretnik e ndërshtetëror. Ra ky mort dhe pamë miqtë tanë që flasin gjuhë të ndryshme prej nesh e me të cilët jo gjithmonë pajtohemi për gjithçka, të shprehin përkrahjen e tyre të parezervë. Ra ky mort dhe u pa njerëzia tek njerëzit me të cilët ndajmë tokën, ajrin, shtetin…

Ra ky mort dhe u pa edhe ligësia në shpirtin e disave. Disa që mundohen të gjejnë arsyetim hyjnor në atë që ndodhi. Disa të “gjithëdijshëm” të cilët e “dinë” edhe si mer frymë Zoti dhe janë më se të sigurtë që me këtë akt ai “i dënon” shqiptarët dhe përkrahësit e tyre. Ra ky mort e u pa që ligësia tek njeriu nuk ka fund, që fjalët vrasëtare të mbushura me përbuzje dhe urrejtje nuk njohin kufi e që idiotësia është e pakufi, ashtu si ka konstatuar edhe vet Ajnshtajni.

Ra ky mort për të parë se njerëzia është më e madhe se sa ligësia. Ra ky mort për të na bërë më të fortë, jo vetëm si komb, por si banorë të këtyre vendeve ku i kemi të njejtat halle. Sepse ajo që ndodhi para dy ditësh në Durrës e Thumane, ka ndodhur në Shkup dekada më parë e mund të ndodhte në shtepinë e secilit prej nesh.

Ra ky mort për të na shkundur e për të na bërë të mendojmë pak më shumë. Vallë a duhet të presim vetëm mortet të na zgjojnë ndjenjën e solidaritetit? Vallë a duhet patjetër të sillemi si ujq ndërmjet nesh e kur na godet fatkeqësia të përmendemi e të vajtojmë së bashku?

Viktimat e kësaj tragjedie u prehshin në paqe. Ndërsa ne të tjerët gjetshim paqen mbi dhe, para se të bashkohemi me ta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button