Reisi Sulejman Rexhepi nuk do të gjykohet për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes ndaj maqedonasve

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, reis Sulejman Rexhepi nuk do të gjykohet për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes ndaj maqedonasve, por as për përçmim të popullit maqedonas, njofton Portalb.mk.

“Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, duke vepruar në lëndën, ka miratuar vendim për hedhjen poshtë të padisë, pasi që nuk ekzistojnë dyshime të bazuara se i paraqituri i ka kryer veprat penale “ Përçmim të popullit maqedonas dhe anëtarëve të komunitetit” nga neni 179 dhe “Shkaktim të urrejtjes, jotolerancës në bazë të diskriminimit racor, fetar ose tjetër” sipas nenit 319 të Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria për Portalb.mk.

Ata shtojnë se i paraqituri, askund nuk përmend drejtëpërdrejtë “populli maqedonas”, por as përfaqësuesit e komunitetit me qëllim që t’i përçmojë.

Në lidhje me padinë për gjuhë të urrejtjes, është dëgjuar gjykatësja dhe vetë e ka pranuar se nuk ndjehet e rrezikuar dhe nuk njeh gjuhë të urrejtjes në fjalët e të paraqiturit.

Prokurori kompetent ka theksuar se nëse palët e dëmtuara vlerësojnë se eventualisht u është bërë dëm të nderit dhe reputacionit me deklaratat e të paraqiturit, mund të realizojnë mbrojtje në procedurën për konstatimin e përgjegjësisë qytetare për ofendim ose shpifje përpara Gjykatës Civile.

Të dëmtuarit kanë të drejtë që të ankohen në Prokurorinë e Lartë të Shkupit.

Për kryetarin e BFI-së ka lëndë për gjuhë të urrejtjes në dy raste. Rasti i parë ishte në fillim të muajit prill kur ai në hedhjen e gur-themelit të xhamisë në fshatin Arnaqi i ka ofenduar maqedonasit.

“Kemi vend në Llazhec të Manastirit mbi 100 vjet nuk kanë xhami. Merrni me mend çfarë egërsirash janë ky popull që bashkëjetojmë me këto. Këto janë egërsira të pashembullta, prandaj nuk kanë identitet edhe s’do të kenë kurnjëherë. Pa marrë parasysh se krejt ne kemi dashur t’u ndihmojmë, nuk ndihmohet i pashpirti, nuk vetëdijesohet. Vendi Llazhec, kush e di dhe kush jo, është katund multientik ka muslimanë, ka edhe ortodoksë, ka maqedonas ose si e ndiejnë veten ato nuk e di unë si e quajnë dhe shqiptarë. Ka dy kisha, numri i banorëve është i barabartë, ka dy kisha dhe asnjë xhami. Xhamia ku ka figuruar e ka vendin dhe ai është vakuf, pronë e Bashkësisë Fetare Islame. Njëqind dallavere të nëntokës i bëjnë, ende nuk janë vetëdijesuar, me izën të Zotit, InshAllah Zoti nuk ma merr shpirtin pa e hedhur gurthemelin në Llazhec”, deklaroi Rexhepi, për të cilën deklaratë Komiteti i Helsinkit ka dorëzuar padi penale.

LEXO: Reisi Sulejman Rexhepi është paditur për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes ndaj maqedonasve

Më vonë Rexhepi është arsyetuar se është interpretuar gabimisht, gjegjësisht se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Sipas tij, fjalët “popull egërsirë dhe pa identitet” nuk kanë qenë për maqedonasit, por vetëm për banorët e fshatit Llazhec.

Vetëm dhjetë ditë më vonë, reisi ka pasur edhe një deklaratë, të cilën Prokuroria e ka ngjitur në lëndën e parë dhe do të kërkojë nëse ka pasur gjuhë të urrejtjes. Këtë herë, deklarata e Rexhepit ishte në periudhën e trazirave në kreun e BFI-së dhe kanë të bëjnë me gjykatësen e cila miratuar vendim se BFI-ja ka reis të ri.

“Dëgjova se ka problem me shëndetin. Nuk më vjen keq, të tillat le të vdesin”, deklaroi reisi.

Me vendimin e Prokurorisë, reisi shpëtoi nga gjykimi.

LEXO: Prokuroria: Deklarata e Rexhepit për gjykatësen hetohet bashkë me gjuhën e urrejtjes kundër maqedonasve

Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, personi që “shpërndan materiale raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik”, dënohet me burg prej 1 deri në 5 vjet.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button