Hulumtim në RMV: 86% e qytetarëve mendojnë se politika ndikon që të rriten ndasitë mes etnive

86% nga 300 të anketuar janë shprehur se politika ndikon që të rriten ndasitë mes etnive të ndryshme kurse 49.3% prej tyre si faktor kryesor për këtë, konsiderojnë se janë rrjetet sociale. Këto janë disa nga rezultatet e hulumtimit “Sjellja etike e të rinjve në një mjedis multikulturor” e cila u prezantua sot në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi “Sjellja e të rinjve në një mjedis multikulturor” i realizuar nga Instituti Maks Van Der Stoel (UEJL) dhe Instituti per Hulumtim, Inovacion dhe Zhvillim e që u prezantua nga nga Pajtim Thaçi edhe Veronika Kareva kishte për qëllim të vazhdojë praktikën e zhvillimit të të kuptuarit të vlerave kulturore midis të rinjve në mjedise multikulturore, njohje të ndërsjellë të vlerave dhe dallimeve, si dhe njohje me praktikat e mira nga shoqëritë demokratike të zhvilluara.

Rezultatet e pritura të këtij projekti janë identifikimi i dallimeve kulturore dhe zakonet kulturore të të tjerëve, të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë duke zhvilluar vlera etike dhe kulturore në shoqëri si dhe të promovojë edukimin e barazisë ndërkulturore dhe edukimin e vlerave etike.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) potencoi se njohja e vlerave multikulturore është shumë e rëndësishme, ai tha se ky projekt do ta sfidojë Universitetin që në të ardhmen të bëje edhe hulumtime tjera në këtë drejtim.

“Ky projekt paraqet fazën e dytë të një projekti i cili ka filluar vitin e kaluar, mendoj se është shumë i rëndësishëm për arsye se ka të bëje me sjelljet etike të të rinjve në ambientet multikulturore. Ne si Universitet i Evropës Juglindore jemi model për aspektin multikulturor dhe multigjuhësor, andaj konsideroj se kjo duhet të promovohet në suaza të konceptit një shoqëri për të gjithë, konsideroj se rezultatet që do të publikohen sot do të na sfidojnë që në të ardhmen të bëjmë hulumtime shtesë në këtë drejtim” tha rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Abdylmenaf Bexheti.

HULUMTIMI:

Në këtë hulumtim janë përfshirë gjithsej 300 persona, të anketuarit ishin nga rajoni i Pollogut, gjegjësisht qytetet si Tetova dhe Gostivari dhe vendbanimet që gravitojnë përreth.

  • A mund të gjitha etnitetet të bashkëjetojnë në Maqedoni? (88,7%) kishin mendim pozitiv.
  • A mendoni se është etike vendosja e nofkave/llagapeve të ndryshme pjesëtarëve të etniteteve dhe kulturave tjera? (79%) konfirmuan se një veprim i tillë nuk është etik.
  • A mendoni se njohja/të mësuarit e gjuhës dhe kulturës së një etnikumi tjetër ndikon në tejkalimin e barrierave dhe paragjykimeve mes etniteteve? (68,3%) e pohuan këtë konstatim.
  • Sa ndikojnë rrjetet sociale në sjelljet etike kundrejt etnive tjera? (49,3%) u përgjigjën se ndikojnë shumë, ndërsa (45,3%) pohuan se rrjetet sociale ndikojnë pak në këtë drejtim.
  • Cila është mënyra më e mirë për të shmangur paragjykimet e të rinjve në mjediset multikulturore? (46%) theksuan se kjo arrihet përmes shoqërimit.
  • A mund të funksionojnë paralelet etnikisht të përziera? (72%) u përgjigjën pozitivisht.
  • A mendoni se është një avantazh të jetuarit në një vend multikulturor? (82.3%) e të anketuarve pohuan pozitivisht se të jetuarit në një vend multikulturor paraqet avantazh.

Nga rezultatet e këtij hulumtimi, rezulton që shumica janë të mendimit që në Maqedoninë e Veriut mund të bashkëjetojnë të gjitha bashkësitë etnike, (68%) janë të mendimit se njohja e gjuhës së bashkësive tjera etnike luan rol pozitiv në tejkalimin e paragjykimeve kurse mbi (60%) e të rinjve mendojnë që etika luan rol të rëndësishëm në veprimet e të rinjve në mjediset multikulturore. Të anketuarit janë shprehur qartë se të jetuarit në një vend multietnik paraqet përparësi të theksuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button