OJQ-të kërkuan urgjentisht të emërohen drejtorët e agjencive, komisioneve dhe trupave “të bllokuara” në Kuvend

Organizatat joqeveritare sot kanë kërkuar që urgjentisht deputetët të zgjedhin drejtorët, kuadrin e institucioneve dhe trupave rregullatorë të cilat janë bllokuar nga “mosmarrëveshjet politike” në Komisionin për çështje dhe emërime në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për institucionet siç thanë ata, “me rëndësi për demokracinë e shoqërisë”, si: Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, Enti Shtetëror i Revizionit, Këshilli Programues i Radiotelevizionit të Maqedonisë, Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediale Audio dhe Adiovizuele, Këshilli Gjyqësor dhe Mekanizmit të jashtëm për kontroll civil ndaj policisë në kuadër të Avokatit të Popullit.

Sipas tyre, moszgjedhja e drejtorëve dhe kuadrit pamundëson realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve

“Zgjedhjet dhe emërimet në shumë trupa janë bllokuar në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, për çfarë këto institucionet nuk mund t’i përmbushin detyrimet e tyre, t’i realizojnë reformat në fushat e tyre dhe në përputhje të promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve për të mbikëqyrë punën e pushtetit ekzekutiv dhe t’i zbatojnë zgjidhjet ligjore të reja”, thanë shoqatat.

Pas kësaj kërkese urgjente, qëndrojnë dhjetë rrjete të shoqatave të qytetarëve të cilat bashkërisht paraqesin 100 shoqata dhe iniciativa të cilat në mënyrë aktive punojnë në përparimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Përndryshe, Portalb.mk paraprakisht e ka trajtuar zvarritjen e zgjedhjes së drejtorit të Agjencisë për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik.  Zgjedhja e drejtorit do të hapte rrugën e funksionalizimit të Agjencisë dhe implementimin e Ligjit të ri që pritet të hyjë në fuqi më 30 nëntor të 2019-s, por kjo është peng i “mosmarrëveshjeve politike”. Sipas gazetarëve dhe njohësve të çështjes të transparencës, tërë kjo situatë hapë mundësinë për ndryshim të Ligjit në fjalë. Edhe pse ende s’është formuar, Agjencinë e pret shqyrtimi i 680 ankesa të parashtruara deri më 11 nëntor 2019. 

Zgjedhja e drejtorit të Agjencisë, u kërkua sot edhe në Konferencën “e-shoqëri.mk”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button