Xhaçka: Vazhdojnë operacionet për shpëtimin e qytetarëve të bllokuar

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një konferencë për media ka deklaruar se po vazhdojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit dhe se prioritet i autoriteteve është “shpëtimi i çdo jete që mund të shpëtohet”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Xhaçka theksoi se është e pamundur që në këtë moment të përpilohet një panoramë e detajuar e dëmeve, pasi siç theksoi ajo, ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Shqipërinë në 40 vitet e fundit.

“Ky ishte tërmeti më i fortë që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979 dhe goditja e mëngjesit të sotëm është shoqëruar nga 250 pasgoditje, të cilat sipas ekspertëve sizmiologë pritet të vijojnë, shpresojmë me intensitet më të ulët siç është trendi, deri në stabilizimin e pllakave tektonike”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se deri më tani është raportuar se 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së godinave, duke theksuar se ky bilanc mbetet të konfirmohet zyrtarisht nga strukturat përkatëse të shëndetësisë.

“Në godinat e shembura vazhdon puna e kërkim shpëtimit, pasi një numër qytetarësh rezulton të jenë ende të bllokuar, nderkohë që për disa të tjerë nuk ka raportime nëse janë ndodhur apo jo në banesa, në momentin e lëkundjeve të tokës. Falë ndërhyrjeve të ekipeve të specializuara, 45 persona kanë mundur të shpëtohen duke u nxjerrë nga rrënojat e duke u dërguar për ndihmë mjekësore”, tha Xhaçka.

“Ekspertët më të mirë të emergjencave civile të Turqisë përkrah ekipeve shqiptare”

Ministrja e Mbrojtjes gjithashtu tha se mijëra efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, ekipet e zjarrfikësve të bashkive, dhjetra ekipeve mjekësore dhe qytetarë të shumtë janë angazhuar në terren dhe janë në gatishmëri të plotë. Ajo shtoi se ndihma të mëdha kanë ardhur edhe nga vendet tjera.

“Prej disa orësh, ekipeve tona të kërkim shpëtimit, të cilat po punojnë pa ndërprerje në Durrës e Thumanë, i janë bashkuar mbi 200 efektivë, ekspertët më të mirë të emergjencave civile të ardhur nga Italia, Greqia, Franca, Turqia, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Rumania”, tha Xhaçka, duke shtuar se edhe SHBA-të përmes Zyrës Rajonale të Asistencës për Fatkeqësitë Natyrore do të asistojnë për nevojat në terren.

Ajo gjithashtu tha se pranë stadiumit në Durrës dhe fushës së sportit në Thumanë nisi ngritja e 300 çadrave për strehimin e afro 1.000 banorëve, si dhe është vënë në dispozicion edhe Shtëpia e Pushimit të Ushtrisë në Durrës me kapacitet 200 persona.

Aktualisht, ministrja e mbrojtjes tha se 90 palestra në Tiranë, Durrës, Krujë e Lezhë të cilat po pershtaten për të akomoduar familjet e pastreha.

Sot, Shqipëria u godit nga dy tërmete të fuqishme, me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë 6,3 në thellësi 10 kilometra dhe më vonë me një magnitudë 5 në Kepin e Rodonit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button