Rama: Mirënjohje për heronjtë e kësaj dite

Kryeministri Rama ka shprehur mirënjohje për heronjtë e kësaj dite të cilën e konsideron si një “ditë të paharrueshme dhimbjeje kombëtare”.

Rama ka shpërndarë një video gjatë operacionit të vështirë për nxjerrjen e një personi nga rrënojat nga specialistët që po punojnë në terren.

Kryeministri falënderon “njerëzit e zakonshëm që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, të Zjarrfikëseve; Bluzat e Bardha, që aq rëndom i përgojojmë si s’ka më keq në ditët me diell dhe që prej orësh të gjata po shpëtojnë jetë e po kurojnë plagë të rënda”.

Gjithashtu kryeministri nuk harron të falenderojë edhe trupat speciale të Kosovë, të cilat sipas tij “u bënë shëmbëlltyra heroike e bashkimit në dhimbje e në sakrificë të kombit tonë”.

“Puna vazhdon me shpresën për të gjetur të mbijetuar të tjerë mes rrënojave. Me bashkëpunimin e vendeve mike, forcat e të cilave po zbarkojnë në Rinas, vazhdojmë këtë betejë këmbëngulëse e sfilitëse, në kërkim të jetës që ende merr frymë nën gërmadhat e natës më të keqe që kemi kaluar si popull prej kushedi se sa vitesh”, thotë në mbyllje të reagimit të tij Kryeministri Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button