Tetovë: Banorët me vite kërkojnë nga Komuna asfaltimin e rrugës, me vetëfinancim s’mund të bëjnë shumë (FOTO)

Hera e fundit kur është shtruar me asfalt rruga “116” në Tetovë ka qenë para pavarësisë së Maqedonisë (1991), ajo aktualisht është në gjendje të tmerrshme. Mbi 200 banorë të kësaj lagje kanë nënshkruar një kërkesë e cila më pas i është dërguar Komunës së Tetovës, të njëjtit nuk kanë marrë asnjë përgjigje edhe pse letrën e kanë dorëzuar thuajse para një muaji. Nga Komuna e Tetovës nuk japin datë konkrete për fillimin e punimeve në këtë rrugë, shkruan Portalb.mk.

Rruga 116, Tetovë.
Rruga 116, Tetovë.

Rruga 116 e cila ndodhet në afërsi të varrezave të qytetit është e mbushur përplot me gropa, asfalt të dëmtuar të cilat pamundësojnë kalimin e disa veturave të banorëve të kësaj lagje. Faktin se kjo rrugë është e lënë pas dore, e vërtetojnë edhe mbeturinat të cilat gjenden në secilin cep të kësaj lagje.

Hera e fundit kur është shtruar asfalt në këtë rrugë ka qenë para pavarësisë së Maqedonisë (1991), kurse arnimi është bërë në vitin 1998, pikërisht atëherë kur është instaluar sistemi i kanalizimit të cilin e kanë paguar banorët e lagjes nga xhepi i tyre.

Banorët e kësaj lagje disa here me radhë kanë kërkuar nga institucionet kompetente që ta rregullojnë të njëjtën, mirëpo kërkesat e tyre nuk janë përfillur. Kësaj radhe ata kanë formuluar një kërkesë në të cilën nënshkrues kanë qenë mbi 200 banorë të lagjes, me anë të së cilët kërkojnë nga Komuna e Tetovës që në mënyrë urgjente të intervenojnë në asfaltimin e kësaj rruge.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë nga dita kur këta banorë e kanë dorëzuar lutjen e tyre deri te Komuna e Tetovës, ata ende nuk kanë marrë përgjigje për këtë. Ata janë pesimist duke marrë parasysh faktin se kjo nuk është hera e parë që kërkojnë diçka të tillë.

“Nuk është hera e parë që bëjmë diçka të tillë, ne vazhdimisht kemi kërkuar nga Komuna e Tetovës të fillojë punimin për shtrimin e asfaltit dhe restaurimin e infrastrukturës në të, por asnjëherë nuk na janë përgjigjur. Kësaj radhe kemi deponuar deri te Komuna një kërkesë të cilën e kanë nënshkruar mbi 200 banorë të lagjes, ka mbi tre javë që e kemi dorëzuar mirëpo nuk kemi marrë asnjë përgjigje ende” theksoi një nga banorët e lagjes për Portalb.mk.

Rruga "116", Tetovë.
Rruga “116”, Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb, nuk komentuan për atë se pse nuk janë përgjigjur pozitivisht apo negativisht banorëve të kësaj lagje, ata thanë se kanë dërguar dy inxhinier të bëjnë matjen e rrugës, duke mos dhënë afat konkret se kur do të fillojnë punimet për asfaltimin e kësaj rruge.

“Rruga 116 është tamponuar nga vet banorët, komuna ka dërguar dy inxhinier të bëjnë matjen e rrugës, shqyrtohet mundësia ndërmjet pllakave të begatonit dhe asfaltimit” deklaruan shkurtë nga Komuna e Tetovës.

Rruga 116, Tetovë.
Rruga 116, Tetovë.
Rruga 116, Tetovë.
Rruga 116, Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button