Takimi Dimitrov-Dendias: RMV-në dhe Greqinë e pret e ardhme e përbashkët, nëse ndaj saj veprohet me qëllim të mirë

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias është pritur në takim nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Nikolla Dimitrov, pas së cilit ka vlerësuar se edhe pse zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është duke ecur me hapa të ngadalshëm, ajo i ka përmirësuar raportet e të dyja shteteve. Sipas tij, do të kontribuojë në krijimin e ardhmërisë së përbashkët, nëse ndaj saj veprohet me qëllim të mirë, transmeton Portalb.mk.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është duke u zhvilluar me vonesa të dukshme nga të dy palët, por është fakt se ai në mënyrë dramatike i ka përmirësuar raportet mes të dyja shteteve”, tha Dendias.

Që marrëveshja të jetë hap para për ardhmërinë e përbashkët, Dendias vlerësoi se do të ndikojë edhe puna e komisioneve të përbashkëta për çështje të historisë dhe gjeografisë.

“Biseduam me zotëriun Dimitrov në lidhje me punën më të shpejtë të komisioneve. Por, nga zemra, nga Shkupi dua të them se pavarësisht këtyre procedurave, të cilat duhet të ndodhin, ardhmëria ynë do të ishte e shkëlqyeshme nëse e shohim me qëllim të mirë”, tha Dendias.

Edhe ministri Dimitrov u ndal në rëndësinë e arritjes dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila sipas tij ka rritur potencialin e të dyja shteteve në aspekt të ekonomisë, sigurisë dhe politike.

“Marrëveshja praktikisht hapi potencial të madh për bashkëpunim mes të dyja shteteve fqinje. Për fat të keq, çështjen e madhe nuk arritën ta zgjidhim në vitet e 90-ta, por është mirë që çështja ka mbetur prapa nesh dhe sa më shumë shfrytëzojmë nga potenciali që është hapur në aspekt ekonomik, të sigurisë dhe të zbatimit politik të marrëveshjes, që gjeneratat e ardhshme do të habiten dhe do ta kenë të vështirë ta kuptojmë se si mund të humbasim tri dekada nga raportet e tona për këtë çështje”, tha Dimitrovi, i cili shtoi se realizimi i zgjedhjeve të parakohshme nuk do ta pengojë zbatimin e kësaj Marrëveshje.

Greqia edhe sot ka përsëritur mbështetjen e saj ndaj RMV-së në hapjen e negociatave anëtarësuese me Bashkimin Evropian.

“Greqia e mbështet hyrjen e Maqedonisë së Veriut dhe të shteteve tjera në Ballkanin Perëndimor. Ky është qëllim i përbashkët. Fillimi i negociatave është hap i rëndësishëm, dhe kjo për Greqinë është qëllim i vlefshëm. E kuptojmë zhgënjimin për shtyrjen, por duhet të shikohet para. E rëndësishme është të zbatohen vlerat evropiane, kurse ne ofrojmë bashkëpunim të plotë”, tha Dendias.

Në takim, ata kanë diskutuar edhe për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral, për takimin e parë të ekspertëve të shkëmbimit tregtar dhe për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button