Përpjekja e tetovarëve dhe shkupjanëve për shkolla shqipe më 1909

Sipas vendimit të Kongresit të Manastirit 1908, në disa qytete duhej të themeloheshin klube shqiptare që do të angazhoheshin për hapjen e shkollave shqipe. -Një klub i tillë, sipas gazetës “Lirija” të Selanikut, ishte hapur në Tetovë, në dhjetor të vitit 1909. -Shkollë me mësim në gjuhën shqipe ishte hapur në Idadije të Shkupit, njofton kjo gazetë

Përpjekjet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe kanë qenë të kahershme. Sipas një faksimileje nga gazeta shqipe “Lirija”, që botohej çdo të shtunë në Selanik dhe që mban datën 19 dhjetor 1909, mund të shihet në mënyrë të dokumentuar se këto përpjekje për shkolla shqipe janë bërë edhe në Tetovë, menjëherë pas unifikimit të ABC-së në Manastir, më 14-22 nëntor të vitit 1908. Obligimin për hapjen e shkollave shqipe e kanë marrë përsipër klubet shqiptare, që asokohe formoheshin në disa qytete.

Në lajmin shumë të shkurtër të kësaj gazete, të shkruar në gjuhën shqipe, që raportohet për Tetovën, të cilën asokohe e quanin Kallkandelen, pa ndonjë sqarim shtesë se për cilën shkollë është fjala, në një transkriptim të lirë, thuhet: “Klubi shqip (titulli i lajmit v.j.) Një letër na gëzon duke na dhënë lajmin e bukur se në Kallkandelen u themelua një klub. Shokët (anëtarët v.j.) e këtij klubi qenkan më tepër se pesëdhjetë. Zotit Abdurrahman beut që po përpiqet për këtë gjë, Zoti i shtoftë fuqinë”. Me kaq mbyllet lajmi, pa treguar detaje të tjera për fatin e këtij klubi dhe përpjekjeve të shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe.

Për këto klube, jep detaje shtesë publicisti Nijazi Muhamedi, i cili thotë se këto klube janë themeluar në mbështetje të vendimeve të Kongresit të Manastirit, 22 nëntor 1908. Në një faksimile tjetër që bën fjalë për një lajm nga Shkupi, po të kësaj date, bëhet e ditur hapja e mësimit shqip në Idadije të Shkupit, por aty është kërkuar që të përdoret alfabeti arab.

Lajmi për Shkupin botohet, me titull: “Në Shkup”

“Jemi shumë të lumtur se në Shkup gjuha shqipe një javë para Bajramit u vu në shkollën Idadijedhe mësues u bë miku ynë, zoti Bedri Ipeku. Shqipja do të vihet që me kohë në shkollat e Shkupit, sikundër që atë e vënë dhe në idadijet dhe në readijet e tjera, po për fat të keq gjer më sot kryesia sundimtare (mexhlisi idare) e vilajetit e ka lënë pas, duke qenë se në Shkup bota do shqipen me shkronja të Turqisë (arabe v.j.). Edhe këtu puna mbeti gjer sot, sa u kuptua fort mirë dhe prej fanatikëve dhe prej qeverisë që gjuha shqipe do mësuar me shkronjat e saj. Për këtë gjë urojmë dhe klubin e Shkupit, që po bën shërbime të mëdha”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button