fbpx

Pranvera e mallkuar arabe

Pas Pranverës Arabe dhe rrëzimeve, mposhtjeve të diktatorëve dhe tiranëve në Tunizi, Egjipt dhe Libi, i erdhi radha edhe diktatorit dhe despotit sirian Bashar al-Assad. Shumë studjues ekspertë të Lindjes së Mesme mendonin se dinastia e al-Assad-ve do të përfundonte si e gjithë diktatorëve e tiranëve të tjerë. Pastaj Pranvera Arabe do të vazhdonte në Algjeri, Marok dhe Arabi Saudite. Pas 8 vite luftimesh, masakrash e gjenocidi mbetën 400 mijë të vrarë, gjysma e popullsisë refugjatë, të shpërndarë nëpër kampe në Turqi, Liban, Jordani e në vendet e Europës Perëndimore, Mirëpo despoti famëkeq e tirani bizar edhe me tej mbeti në pushtet. Edhe pse Bashar al-Assad-i mbeti i palëkundur, sipas politologëve dhe analistëve, Siria nuk do të jetë si më parë. Bisedimet sekrete  mes Basharit dhe opozitës siriane që kanë si ndërmjetësues Vladimir Putinin synojnë që Siria të mos shpërbëhet, por sistemi autoritar e totalitar të zëvendësohet me një federatë. Pas zgjedhjeve Siria do të jetë një shtet multikulturor dhe multi-etnik. Disa etnitete si druzët, turkmenët dhe kurdët do të kenë më shumë të drejta. Në bisedime opozita e ka garantuar Moskën se do te vazhdojë të jetë aleate tradicionale si më parë dhe do të vazhdojë të ketë bazat ushtarake në Detin Mesdhe.

XXXX

Për më se tetë vite Siria u shndërrua në tokë të djegur, në skëterrë, kataklizëm dhe apokalips. Gjatë gjithë luftës qytetare civile Siria u pë poligon dhe arenë luftimesh; ajo u shndërrua në terren luftimesh mes sekteve rivale dhe të gjithë fuqive të mëdha ushtarake amerikane, ruse dhe turke. Muslimanët sunit u financuan dhe u furnizuan me armatime nga Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit Persik. Luftëtarët mercenarë nga Afganistani, Azia Qëndrore, xhihadistët, ish-luftëtarë të Alkaedës dhe të organizatës xhihadiste të Al-Nusras – të gjithë muslimanë Sunni, janë në konflikt me shumicën e Iranit Shi’it (Shia). Mercenarë nga Azerbajxhani, Jemeni dhe Iraku u bashkuan me Hezbullahun. Në fund u shfaq ISIS-I, i cili u shtri nga Iraku, mori shumicën e territoreve dhe shpalli Kalifatin, shtetin Islamik në Lindjen e Mesme.

XXXX

“Armiku i armikut tim është miku im”

Dekada me radhë Partia Komuniste Kurde (PKK) mbështetej në ideologjinë marksiste-leniniste dhe ishte e lidhur ngusht me ish-Bashkimin Sovjetik. Për amerikanët ata ishin grupe terroriste. Për të luftuar terroristët dhe ISIS-in amerikanët gjetën si aleatë forcat guerrile dhe milicët kurdë. Qysh në vitin 2014 në pjesën veriore të Sirisë me ndihmën e PKK kryengritësit kurdë shpallën autonominë. Njësitë e forcave kurdistane të Sirisë, të stërvitura nga amerikanët, luftuan kundër ISIS Levantit. Më në fund forcat e ISIS Levantit u mundën dhe u asgjësuan. Gjatë luftës forcat kurde humbën më se 12 mijë ushtarë.

“Largimi i amerikanëve”

Presidenti amerikan Donald Trump e përmbushi premtimin e tij për t’i tërhequr ushtarët amerikanë nga Siria. Sipas gazetës Nju Jork Tajms (New York Times), në bisedimet sekrete mes Erdoganit dhe Tramp-it ishte vendosur që pas largimit të trupave amerikane, ofensiva ushtarake turke do të hynte në pjesën veriore të Sirisë. Donald Trump-i i ka dhënë dritën e gjelbër Erdoganit me kusht që operacioni të ishte “blic” dhe tërheqja e amerikanëve të përfundonte sa më shpejt. Mirëpo për kurdët kjo ishte tradhëti, thikë pas shpine.

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane kurdët mbetën pa shtet. Më se 30 milionë kurdë u ndanë në pesë shtete: rreth 20 përqind në Turqi, 10 përqind në Siri, 15 përqind në Irak, 5 përqind në Iran dhe një pjesë në Armeni. Sot kurdët të vetmin shtetformim kanë Kurdistanin në Irakun verior. Që pas luftës në Irak, kurdët e Irakut kanë presidentin e tyre, parlamentin e tyre dhe më se njëqind mijë ushtarë. Kurdët në përgjithësi janë të pasur. Kurdët e Irakut kanë si aleat Turqinë.

XXX

Deri tani NATO-ja nuk ka bërë ndonjë reagim ndaj ofensivës ushtarake turke në pjesën veriore të Sirisë. Presidenti amerikan Donald Trump nëpërmjet twitter-it ka përdorur gjuhë të ashpër diplomatike ndaj Erdoganit duke e quajtur të marrë dhe të çartur. Sulmi i Trump-it ka qenë si dyluftim kauboj në filmat ‘Western’. Erdogani e hodhi në koshin e plehrave letrën që i dërgoi Presidenti Trump. Donald Trump-i e ka sulmuar Erdoganin duke e kërcënuar se në të ardhmen Turqia mund të suspendohet nga NATO-ja dhe se do ta shkatërrojë ekonominë turke duke e akuzuar se Ankaraja ka shkelur parimet, ka thyer kriteret si antare e NATO-s duke blerë nga Rusia avionë ushtarakë dhe raketa ES-400. Por Ankaraja është përgjigjur se për blerjen e armatimeve ushtarake nga Rusia shkaku ka qenë se Turqia donte të blinte avionë ushtarakë EF-38, por Pentagoni nuk i ka lejuar. Kështu që ishte faji i tyre dhe jo i Turqisë.

E gjithe kjo katrahurë ishte si kacafytje gjelash dhe karikaturë e dy liderëve botërorë.

Erdogani tenton që me një dorë të mbajë dy shalqinë. Ai në arenën ndërkombëtare është bërë mjeshtër mashtrimi. Erdogani është i bindur se Turqia nuk mund të suspendohet nga NATO-ja. Sipas tij, më shumë Amerika dhe BE kanë nevojë për Turqinë se Turqia për Perëndimin.

“Armiku im është armiku i armikut tim”

Tani Erdogani, sipas një shprehjeje popullore, ka në dorë edhe arrën edhe gurin. Manovrimi politik i Erdognit është se po qe se Bashkimi Europjan ndërmerr masa dhe sanksione kundër Turqisë, atëherë Ankaraja do të dëbojë 2 milionë e gjysëm refugjatë që Turqia është duke i mbajtur me paratë e taksapaguesve turq. Gjithashtu, mbi 12 milionë refugjatë sirianë janë duke bredhur nëpër kampet e shteteve ballkanike. Rreth 7 mijë refugjatë gjënden në Bosnjë në kushte katastrofike që presin të depërtojnë në Perëndim.

Pas ofensivës ushtarake të forcave turke, mbi 10 mijë ish luftëtarë të ISIS-it gjënden në burgjet në enklavat e provincës veriore të Sirisë. Tani Ankaraja po përpiqet që t’i kthejë ata në vendet e tyre të origjinës. Shumë nga këto grupe  terroriste kanë ardhur nga Perëndimi dhe Ballkani. Ekziston rreziku që me lirimin e këtyre grupeve ushtarake të ISIS-it, ata të fillojnë rigrupimin e riorganizimin dhe këta grupe terroriste të shpërndara të fillojnë sulme terroriste në Lindjen e Mesme dhe në Perëndim.

XXXX

Fushata dhe ofensiva e forcave ushtarake turke, pas marrjes së shumë qyteteve dhe fshatrave të banuara nga popullatë me shumicë turke, tenton të krijojë një “tamp zone”.  Në të ardhmen Ankaraja ka planifikuar që mbi dy milionë refugjatë të  transferohen, të shpërngulen në këto pjesë. Qëllimi dhe prioriteti i Ankarasë është që të ndryshojë strukturën demografike. Në të ardhmen kjo provincë do të jetë heterogjene, multi-etnike. Si projekt Turqia në këtë territor do të ndërtojë qytete (industriale) me fabrika. Sipas strategjisë dhe planit, do të ndërpritet kordoni mes kurdëve të Turqisë dhe të Sirisë. Në të ardhmen kurdët e Turqisë së bashku me kurdët e Sirisë në dekadat e ardhshme do të kenë autonomi; dhe në fund, sipas aspiratave dhe kauzës së kurdëve, ata do të formojnë shtetin kurd. Ky project i Turqisë është i vështirë për t’u realizuar. Kurdët, si popull nomad, do të vazhdojnë luftën guerile. Në të ardhmen Turqia duhet t’i ulë armët dhe populli kurd të fitojë autonominë.

Taip Erdogani, për ndërmarrjen e ofensivës ushtarake në pjesën veriore të Sirisë ka pasur përkrahjen nga nacionalistët dhe shumica e popullatës. Në këtë rast edhe opozita do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë si Presidenti Taip Erdogan.

Nga të gjithë lojtarët, aktorët që kanë marrë pjesë në këtë luftë, si një nga luftrat më të tmerrshme dhe më barbare pas Luftës së Dytë Botërore, Rusia ka dalë më e fituar. Në të ardhmen, me largimin e amerikanëve, faktor dominues dhe arbitër në Siri do të jetë Rusia. Në Lindjen e Mesme, pas Rusisë faktorë determinues do të jenë Turqia dhe Irani. Dy rivalët kryesorë të botës islame në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite dhe Irani, do të vazhdojnë ekspansionin, dominimin dhe hegjemoninë ndaj shteteve mslimane sunite dhe shi’ite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button