Një tërmet i fuqishëm e goditi Shqipërinë, u regjistruan 25 viktima më 26 nëntor

Në detin Adriatik dhe Shqipëri në vazhdimësi janë duke u regjistruar tërmete, të cilat numrin e viktimave e kanë dërguar deri në 25. Më i fuqishmi mbetet ai i orës 4 të mëngjesit, me lartësi prej 6.4 ballë, i cili ka zgjatur 30 sekonda dhe ka qenë i thellë deri në 40 kilometra, transmeton Portalb.mk.

Të plagosur nga tërmeti janë më shumë se 600 persona, ndërsa që prej mëngjesit të djeshëm dhe deri sot, 27 nëntor, raportohet se janë regjistruar mbi 300 lëkundje.

Si pasojë e tërmeteve, janë hospitalizuar mbi 600 persona të lënduar, ndërkaq janë regjistruar edhe dëme të mëdha materiale. Është ndërprerë procesi arsimor për sot dhe nesër.

Njësitet ushtarake dhe policore kanë arritur të shpëtojnë mbi 43 individë.

U paralajmëruan ndihma financiare dhe ushtarake

Për të sanuar dëmet materiale dhe për realizuar operacion të kërkimit dhe shpëtimit, ndihma financiare dhe ushtarake janë dërguar dhe po dërgohen nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Itali, Greqia, Franca dhe Turqia.

Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, ka publikuar xhirollogaritë bankare ku mund të dërgohen donacione për sanim të dëmeve nga tërmetet.

Ato janë:
IBAN ne ALL (Lek): AL29 2121 1016 0000 0000 0030 0001
IBAN ne EUR : AL72 2121 1016 0000 0000 0030 0003
IBAN ne USD: AL02 2121 1016 0000 0000 0030 0002

Në lidhje me këtë, ministri në detyrë, Gent Cakaj ftoi të gjithë të ofrojnë ndihmën e tyre.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme fton të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe bizneset të ofrojnë ndihmën e tyre në këtë moment solidariteti për qytetarët në nevojë të prekur nga tërmeti”, tha Cakaj.

Tërmeti prej 6.4 ballë, konsiderohet të jetë më i fuqishmi që pas vitit 1979 dhe i pesti në botë për këtë vit.

Tërmetet janë ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, kurse nuk kanë munguar reagime nga krerët shtetërorë si nga Shqipëria por edhe jashtë saj, ndërkaq në media botërore kjo ngjarje ka zënë ballinën e tyre.

Pas Shqipërisë, tërmet i fuqishëm e ka goditur edhe Bosnje e Hercegovinën, në lartësi prej 5.4 ballë të shkallës së Rihterit.

David Sasoli
David Sasoli

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli ka shprehur mbështetjet ndaj popullit shqiptar, e kurse Forcat e Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara, ka njoftuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një postim në rrjetet sociale, Sassoli thotë se ndodhet me popullin shqiptar në këtë situatë të vështirë.

“I gjendem pranë vëllezërve dhe popullit shqiptar. Europa është në tuaj”, shkruan David Sassoli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka telefonuar kryeministrin Edi Rama, për t’u informuar për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Thaçi bëri të ditur se në emër të qytetarëve të Kosovës i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta Ramës, për viktimat që pësuan nga tërmeti.

“Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”, shkroi Thaçi në Facebook.

Nikos Dendias
Nikos Dendias

Shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias ka deklaruar se i qëndron pranë popullit të Shqipërisë.]

“E shprehim përkrahjen e Greqisë për popullin dhe Qeverinë e Shqipërisë për pasojat nga tërmeti që e sulmoi fqiun tonë”, tha Dendias.

E ndërkaq lajmin për viktima, e ka konfirmuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura, – shkruan Rama në Fb. – Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Është një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë,të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje së bashku. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë”, ka deklaruar Rama.

Titujt e mediave botërore

CNN për Shqipërinë
“Euronews” për Shqipërinë

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button