Në Iran u mbajtën marshe pro-qeverisë, kërcënohet SHBA-ja

Mijëra mbështetës të udhëheqësisë së Iranit kanë marshuar të hënën në Teheran, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitje të protestave më të dhunshme kundër qeverisë, për më shumë se një dekadë në Republikën Islamike.

Qindra mijëra iranianë të klasës punëtore kanë nisur protestat më 15 nëntor, pas rritjes së çmimeve të naftës për 50 për qind, si dhe për përkeqësim të kushteve të jetesës, pas rivendosjes së sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.

Protestuesit shumë shpejt kanë rritur kërkesat e tyre, duke kërkuar edhe largimin e liderëve nga pozitat kyçe.

Si pasojë e dhunës së javës së kaluar, rreth 100 banka dhe ndërtesa janë djeguar dhe dhjetëra persona janë vrarë nga forcat e sigurisë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters, transmeton REL.

Komandanti i forcave elite në Gardën Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite që të mos shtyjnë Teheranin drejt një hakmarrjeje shkatërruese.

“Ne jemi përmbajtur. Ne kemi treguar durim kundrejt veprimeve armiqësore te Amerikës, regjimit zionist (Izraelit) dhe Arabisë Saudite kundër Iranit. Mirëpo ne do t’i shkatërrojmë ata nëse kalojnë vijat tona të kuqe”, u ka thënë Salami protestuesve pro-qeveritarë.

Televizioni shtetëror ka shfaqur pamje nga turma duke bërtitur “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”.

Kjo protestë është promovuar nga televizioni shtetëror nga dita e diel, në përgjigje të deklaratave perëndimore, në të cilat është treguar solidaritet me protestuesit që kanë shprehur pakënaqësi për rritje të çmimit të naftës.

Zemërimi në Iran është rritur për shkak të rënies së vlerës së valutës dhe rritjes së çmimit të produkteve bazike për jetesë, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Pas largimit nga kjo marrëveshje, SHBA-ja ka kthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit.

Qeveria ka thënë se rritja e çmimeve do të ndikojë në mbledhjen e 2.55 miliardë dollarëve në vit si subvencione për 18 milionë familje që kanë të ardhura të ulëta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button