IKD: Emërimet në AKI të kundërligjshme, Thaçi dhe Haradinaj rehatuan militantët politikë (VIDEO)

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj e kanë emëruar Kreshnik Gashin drejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), derisa Burim Ramadanin Inspektor të Përgjithshëm të AKI-së.

Ky vendim ka nxitur shumë reagime. Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se këto emërime janë antikushtetuese dhe pazar i PAN-it të vjetër.

Në ndërkohë, këto emërime nuk janë pritur mirë edhe nga shoqëria civile.

Yll Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se këto vendime janë të kundërligjshme dhe nuk janë legjitime.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka pritur me shqetësim emërimet që ndodhën sot nga kryeministri në largim në bashkëpunim me presidentin e Kosovës. Ne konsiderojmë që këto vendime janë të kundërligjshme dhe pa legjitimitet”.

“Nga këtu shihet që partitë politike që e kanë pasë pushtetin deri tani po vazhdojnë tendencën e tyre që të mbajnë institucionet, edhe ato më vitale si institucionet e sigurisë”.

Zeka në një lidhje në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se emërimet e drejtorit dhe Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së bien ndesh me Kushtetutën dhe Ligjin për AKI-në.

“Këto vendime bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht nenin 129 i cili thotë se AKI është institucion i paanshëm dhe apolitik. Gjithashtu, bien ndesh me Ligjin për AKI-në që ka një dispozitë të njëjtë që thotë se punonjësit e këtij agjencioni nuk duhet të jenë politikë dhe nuk duhet të marrin direktiva nga partitë politike”.

“Me emërimet e sotme pamë që kemi njerëz të politikës që u emëruan në pozitat kyçe të këtij institucioni të sigurisë”.

Ai ka insistuar se emërimet që sot janë bërë nga presidenti dhe kryeministri në largim janë krejt politike.

Madje, ai ka thënë se Kreshnik Gashi që nga sot është drejtor i ri i AKI-së është i afërt me presidentin Hashim Thaçin, derisa ka thënë se dihet që Burim Ramadani që është emëruar si Inspektor i Përgjithshëm në këtë agjencion është militant i AAK-së.

“Ligji për AKI-në përcakton që Inspektori i Përgjithshëm duhet të emërohet 20 ditë pasi të përfundojë mandati i tij, qoftë me dorëheqje apo sipas ligji. Ne kemi pozitën vakante të Inspektorit të Përgjithshëm që gati një vit dhe kjo qeveri nuk ka gjetur kohë që ta emërojë dikë në këtë pozitë”.

“Tani në fund të mandatit kur nuk ka legjitimitet për marrjen e vendimeve pasi zgjedhjet kanë përfunduar dhe pritet mandatari i ri dhe këto pozita kyçe duhet t’ japin përgjegjësi kryeministrit të ri, atëherë kryeministri në detyrë dhe presidenti kanë gjetur që t’i rahatojnë militantët politikë”.

“Kreshnik Gashi konsiderohet se është i afërt me PDK-në, konkretisht me presidentin Hashim Thaçi. Derisa presidenti Hashim Thaçi ishte në pozicionin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Gashi ishte emëruar Sekretar i Përhershëm, kurse kjo bindje forcohet edhe me emërimin si Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së”.

“Burim Ramadani është një militant i AAK-së. Ai ka kryer shumë funksione në kuadër të AAK-së, si Sekretar i Përgjithshëm, si zëvendësministër i Mbrojtjes derisa së fundmi ishte ne listën e kandidatëve për deputetë. Ai nuk mori votat e nevojshme për deputet, por kryeministri në detyrë u përkujdes që ta pozicionojë në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button