Prania e “Shvercerave” në TKM, policia ende pa konstatim, ja çfarë ka ndodhur (VIDEO)

 premten (22 nëntor) në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë (TKM) ka pasur dy manifestime. I pari ka qenë Manifestimi për Ditën e Alfabetit Shqip i organizuar nga Qeveria e Maqedonisë, ndërsa i dyti ka qenë për shënimin e festës së 30-vjetorit të grupit të tifozëve “Shvercerat” në Shkup në organizim të tyre.
Problemi qëndron në manifestimin e dytë, ku sipas pamjeve që shpërndahen në rrjetet sociale, tifozët kanë qenë të zhurmshëm me disa skadime nacionaliste. Madje, drejtoresha e TKM-së thotë se kanë shkaktuar dhe dëme materiale, por policia ende nuk ka konfirmuar gjë, shkruan Portalb.mk. Ajo thotë se kjo është bërë me lejen e deputetit të BDI-së, Artan Grubi.

Edhe pse të kontaktuar disa herë, policia ende nuk ka dhënë versionin zyrtar se çfarë ka ndodhur në pjesën e dytë të natës së 22 nëntorit në TKM. Sipas pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, ata mes tjerash, kanë brohoritur duke përdorur nacionalizma të tipit “Shqipëri etnike”, “ata kanë histori të rreme”, që mediat e kanë transmetuar si të drejtuar ndaj maqedonasve si dhe janë ngjitur edhe në parmakë.

Drejtoresha e TKM-së, Simona Ugrinovska për SDK-në, thotë se ka pasur dëme materiale, karrige të dëmtuara dhe stoli të prishura. Por, këtë nuk e ka konfirmuar policia. Ata mbeten të pakapshëm.

Nga ana tjetër, gazetari Furkan Saliu ka shkruar se nuk ka parë dëme materiale dhe ka bërë këtë xhirim.

Edhe tifozët “Shvercerat” e kanë mohuar shkaktimin e dëmeve materiale. Në një kumtesë të tyre, ata thonë se kjo është tendencë për njollosjen e emrit të tyre.

“Ashtu siç hymë të organizuar në objektin e teatrit ashtu të organizuar lëshuam objektin, dhe gjatë daljes kontrolluam mos rastësisht është shkaktuar ndonjë dëm, por nuk konstatuam ndonjë gjë të tillë”, thonë mes tjerash në publikimin e tyre në Facebook.

Drejtoria e TKM thotë se nuk e ka ditur për praninë e tifozëve

Ministria e Kulturës ka njoftuar se Drejtoria e TKM-së nuk ka qenë e njoftuar për praninë e grupit të tifozit të klubit të futbollit “Shkupi”, “Shvercerat” në TKM.

Sipas asaj që thuhet në njoftimin e Ministrisë, ditën e 22 nëntorit, për në TKM kanë qenë të njoftuar për dy ngjarje, atë të shënimit të Ditës së Alfabetit Shqip dhe shfaqjen e filmit dokumentar, duke mos specifikuar se çfarë tematike do të ketë filmi dhe për çfarë qëllimi shfaqet.

“Konsiderojmë se në institucionet duhet të sillemi siç kërkohet nga kodet e sjelljes në një institucion kulturor. “, thanë nga Ministria.

Drejtoresha e TKM-së, Simona Ugrinovska tha se është deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi që e ka lejuar këtë.

“Për ngjarjen e dytë, koordinator është Artan Grubi dhe ai më tha se do të ketë vetëm projektim të një filmi dokumentar”, thotë ajo.

Grubi, mes tjerash në një postim në Facebook, e mohon përfshirjen e tij në organizim, nuk jep përgjigje pse drejtoresha e ka thirrur pikërisht atë, dhe i jep tjetër kahje çështjet, duke përfshirë ngjarjet e 27 prillit.

“Shvercerët” e pranojnë se ata kanë qenë organizator. Në një prononcim për Portalb.mk thanë se Grubin e kanë thirrur si tifoz.

Kryetari i Çairit, Visar Ganiu ka qenë në mbrëmje. Ai për Portalb tha se ka qenë si mysafir i ftuar për të marrë mirënjohjen për kontributin që e ka dhënë në atë klub.

“Në atë organizim, prej momentin që kam hyrë, që ka qenë ora 21:35, nuk ka pasur diçka të keqe. Ka pasur këngë që kanë kënduar, por s’ka pasur aso thirrje siç raportohet. Para se të vijmë ne, nuk mund as të japë deklaratë, sepse skam qenë pjesëmarrës. Unë kam qenë i fundit që kam shkuar atje. Personi i shërbimin që është marrë me pjesën time, më ka treguar se kur është dashur të shkoj unë, dhe unë kam shkuar atëherë, pasi janë mbledhur të gjithë. Unë sa kam qenë brenda, nuk kam parë ndonjë sjellje të pahijshme. Nëse ka pasur diçka më herët, pa arritur ne, ne nuk mund të flasim për atë. Atë duhet ta tregojnë të tjerët. Ne si komunë nuk jemi pjesë e organizimit, as nuk kemi lidhje me këtë punë. Unë kam ftesë prej anës së “Shvercerave”, dhe ma kanë bërë të ditur se do të më japin mirënjohje, dhe kam shkuar”, tha Ganiu.

Qeveria e Maqedonisë përmes kumtesës kërkoi përgjegjësi për siç thonë “organizimin e keq dhe joadekuat të ngjarjes” duke thënë se presin nga organizatorët të sanojnë “dëmin e shkaktuar”.

Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev tha se nëse në Teatër ka dëme, duhet të paguhen dhe dikush të bart përgjegjësi.

“Çdo akt vandal duhet të dënohet. Nëse në Teatër ka dëme, duhet të paguhen dhe dikush të bart përgjegjësi. Ajo është pronë shtetërore, askush nuk ka të drejtë ta thyejë inventarin. Unë isha i informuar se marrë pjesë në pjesën e parë të aktiviteteve, dhe ajo është pjesa e shënimit të Ditës së Alfabetit Shqip. Isha i pranishëm aty dhe dola pas koktejit. Më treguan se ka pjesë të dytë, për të rinjtë. Pjesa e dytë doli se nuk ka qenë aq manifestim kulturor. Duhet të bartin përgjegjësi personat përgjegjës për atë punë”, tha Zaevi.

Reagoi sulmuesi i Kuvendit!

Kjo ka ngjallur reagime të shumta, kryesisht nga pjesëtarë të partisë së VMRO-DPMNE-së, ku Aleksandër Nikollovski ka kërkuar dorëheqje të drejtorisë së TKM-së. Ajo çfarë ka ngjallur vëmendjen më të madhe në publik, është fakti se videoja ku shihet se si “Shvercerat” brohorasin në atë mënyrë, është publikuar nga tenori Igor Durllovski i cili është i akuzuar për përfshirjen e tij në terrorin e 27-prillit të 2017-s në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button