Conte injoron Ikardin dhe lëshon “thumba”

Antonio Konte nuk mund ta fshehë lumturinë në fundin e fitores bindëse të Interit kundër Torinos. “Fakti që nuk pësuam gol më bën shumë të lumtur. Treguam cilësi dhe forcë në aspektin mbrojtës dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse në fund të fundit gola kemi shënuar”, tha fillimisht trajneri zikaltër përpara mikrofonave.

Lajmi i keq për dëmtimin e Barelës solli diçka të mirë… Borha Valeron. Impakti i tij në fushën e lojës ishte pozitiv. Trajneri nuk i kurseu fjalët e mira për veteranin spanjoll. “U fut në fushë dhe tregoi profesionalizmin e tij. Është kënaqësi për mua që të stërvis njerëz dhe lojtarë si ai dhe Dimarko. Nuk është kurrë e lehtë të punosh pa luajtur. Borha bëri një pjesë të dytë të shkëlqyer dhe jam i kënaqur për të dhe debutimin e Dimarkos. Tani shpresoj që Barela të mos ketë asgjë serioze. Është një luftëtar i rëndësishëm dhe kemi nevojë për të në betejën e radhës. Duhet të japim më shumë sesa maksimumin, sepse emergjenca në skuadër vazhdon. Këta lojtarë janë për t’u falënderuar, por jam i lumtur sepse puna, sakrifica dhe stërvitjet taktike, në fund të fundit paguhen me rezultate”, vazhdoi Konte, transmeton Albsport.al.

Konte e zgjat shikimin edhe te lojtarët e tjerë të Interit, që po bëjnë mjaft mirë si të huazuar, por ka vendosur të injorojë Mauro Ikardin dhe Gabigolin. “Fati i tyre u takon drejtuesve, por këtë vit janë larguar futbollistë si Ikardi, Naingolan dhe Perisiç. Prej tyre nuk kemi materializuar asgjë dhe mund të jenë një çek i mirë për ne. Në këtë kohë le të shijojmë Lautaro Martinezin dhe Lukakun, të cilët janë e ardhmja dhe mund të sigurojmë sulmin për 7-8 vitet e ardhshme”, theksoi ai.

Ëndrra e madhe mbetet titulli kampion në Itali, por Konte nuk nxiton. “Ne po shkojmë përtej pritshmërive të fillimit të sezonit. Ne duhet të tregojmë gjoksin sepse po bëjmë më mirë sesa disa skuadra, që janë më mirë se ne në letër. Nëse Interi nuk do të ishte pjesë e këtij kampionati, atëherë titulli do të ishte vendosur që në nëntor. Jam krenar për atë që po bëjnë këta futbollistë”, shtoi Konte. Nuk mund të mungonte një koment në lidhje me ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Slavias së Pragës. “Do të bëjmë maksimumin për të tentuar kualifikimin deri në fund. Do të shkojmë të luajmë një ndeshje të madhe dhe të largohemi pa pengje. Pastaj, të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka përfunduar trajneri i Interit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button