1839 të punësuar me Marrëveshjen kornizë, mbi 900 ende qëndrojnë në shtëpi

Pjesa më e madhe e të punësuarve sipas Marrëveshjes Kornizë apo 831 persona do të përfundojnë në 15 ministri. Të tjerët do të sistemohen në 175 institucione shtesë. Mirëpo, ende një pjesë e madhe e të punësuarve me marrëveshjen kornizë qëndrojnë në shtëpi dhe marrin pagë, shkruan Portalb.mk.

Ministria për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave e kryeson listën për nga numri i nëpunësve shtetëror të sistemuar sipas Marrëveshjes kornizë. Deri më shtator të këtij viti, sipas të dhënave te të cilat ka arritur REL, gjithsej 1839 nëpunës shtetëror janë sistemuar në 190 institucione shtetërore, ndërsa pjesa më e madhe e tyre apo 831 persona do të bëhen pjesë e pesëmbëdhjetë ministrive, përkatësisht të gjithë në përbërje të Qeverisë përveç në ministrinë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive që është kompetente për zbatimin e Marrëveshjes kornizë.

Në ministrinë për bujqësi janë sistemuar 128 punonjës, tetë më pak apo 120 kanë përfunduar në MPB. Pastaj vjen ministria e ekonomisë me 90 nëpunës dhe ministria e drejtësisë me 86. Më poshtë në listë janë ministria e mbrojtjes me 65 të punësuar dhe ministria e financave me 64. Në vendin e fundit të listës gjendet ministria për vetëqeverisje lokale me 8 punësime sipas marrëveshjes kornizë.

Ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive Sadulla Duraki para dy muajve deklaroi se 928 të punësuar, sipas Marrëveshjes kornizë edhe më tutje do të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa do të marrin rrogë.

“Qeveria aktuale kushte vendim për sistemim të 938 nëpunësve administrativ dhe për 519 prej tyre ka filluar procedurë edhe atë në të gjithë resorët që janë në nivel qeveritar, kemi përgjigje dhe bëjmë selektim në fazë të parë. Besoj se faza e parë do të kalojë pa asnjë problem dhe më pas do të kalojmë në fazën e dytë, me ç’rast me vendim qeveritar duhet të bëhet sistemim i 938 nëpunësve administrativ”, deklaroi Duraki për TV 21.

Deri në publikimin e këtij teksti, nga ministria, nuk kemi pranuar përgjigje për atë se çka do të ndërmerret për ata 938 punonjës që kanë mbetur në shtëpi dhe nëse nëpunësit e sistemuar i plotësojnë nevojat e institucioneve. Nuk kemi marrë përgjigje, as nga ministria për bujqësi e as nga MPB-ja ku janë sistemuar numri më i madh i punonjësve sipas marrëveshjes kornizë, lidhur me faktin nëse ata janë ndërmarrë dhe a shkojnë në punë.

Profesori universitar Temellko Risteski konsideron që procesi i sistematizimit të tyre shkon ngadalë dhe deri më tani ky proces është dashtë të jetë i përfunduar.

“Zgjidhja e atij problemi, përkatësisht plotësimi i atij obligimi kontraktues ende zvarritet. Ky është fakt dhe nuk ka dyshim. Shpenzohen paratë e qytetarëve, për njerëz të cilët nuk punojnë, e qëndrojnë në shtëpi. Duhet të punojnë, të krijojnë vlerë të re duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe për atë të pranojnë pagë. Këta nuk e bëjnë atë, ndërsa marrin rrogë. Paga merret për punë, jo për mos punë”, thotë Risteski.

Sipas tij, ata duhet të sistemohen në vende të tilla të punës që do të mundësojnë të shfrytëzohen maksimalisht sipas përgatitjes tyre profesionale.

“Duke pasur parasysh numrin e tyre të madh parashtrohet pyetja nëse do të arrihet që të shfrytëzohen maksimalisht në pajtim me përgatitjen e tyre profesionale dhe në pajtim me parimin – njeriu i vërtetë në vendin e vërtetë. Shpresoj që nëse insistohet gjatë kohës kjo do të arrihet dhe mund të arrihet që ata njerëz vërtetë të shfrytëzohen në mënyrë efikase”, plotëson Risteski.

Pas ministrive, nga institucionet tjera paraprinë Drejtoria e doganave me 62 punësime të tilla, Fondi për shëndetësi me 58, Qendra për menaxhim me kriza ku janë sistemuar 47 persona, si dhe 43 në Entin Shtetëror për Statistikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button