Mogherini ka dënuar sulmet ndaj civilëve në Siri

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka dënuar sulmet e fundit ndaj civilëve në Siri nga forcat qeveritare dhe aleatët e tyre rusë, duke i quajtur këto sulme si “të papranueshme”, njofton REL.

“Sulmet e fundit në një kamp të personave të zhvendosur brenda vendit dhe bombardimi i një ndërtese për ndihmë në afërsi të kufirit me Turqinë, paraqet një tjetër përshkallëzim të situatës tashmë të përkeqësuar”, tha Mogherini në një deklaratë për media.

“Sulmet pa dallim në struktura kyçe të civilëve, përfshirë këtu edhe ndërtesa të mjekësisë dhe të edukimit nga regjimi sirianë dhe aleatët e tij, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, tha Mogherini.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Lodër, tha se të paktën 21 civilë, përfshirë dhjetë fëmijë, u vranë më 20 nëntor nga bombardimet e qeverisë të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe Rusisë në provincën Idlib.

“BE-ja sërish i bën thirrje të gjitha palëve në konfliktin sirian të cilat janë të obliguara të respektojnë Ligjin ndërkombëtar humanitar dhe ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në mënyrë të barabartë, ata obligohen që të sigurojnë qasje të papenguar humanitare për të gjithë njerëzit në nevojë”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara më 9 nëntor dënuar sulmet ajrore nga forcat siriane që mbështeten nga Rusia, që Uashingtoni tha se kishin për cak civilët në veriperëndim të Sirisë.

Më 8 nëntor, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Rupert Colville u tha gazetarëve se mbi 60 ndërtesa shëndetësore janë sulmuar në provincën Idlib në gjashtë muajt e fundit.

Ai ka shtuar se duket se këto sulme kanë qenë të qëllimshme nga forcat që lidhen me Qeverinë siriane. Rusia ka mohuar se ka goditur zonat e civilëve.

Rusia dhe Irani janë aleatët kyçë të Qeverisë siriane në luftën civile që nisi më 2011 dhe që prej atëherë ka lënë të vdekur mbi 400 mijë persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button