Mungojnë defektologë në shkollat fillore në Tetovë, zëvëndësohen nga persona joadekuatë

Nga gjithsej 12 shkolla fillore në Komunën e Tetovës, të punësuar janë vetëm dy defektologë të diplomuar në këtë sferë. Vetëm njëri prej tyre zhvillon mësimin në katër shkolla. Komuna e Tetovës në bashkëpunim me UNDP kanë dërguar edukatorë special për të mbuluar këtë mungesë, por Portalb.mk mëson se jo të gjithë nga këta janë kompetent për trajtimin e këtyre fëmijëve.

Nga gjithsej 12 shkolla fillore në Komunën e Tetovës, të punësuar janë vetëm dy defektologë, një prej të cilëve zhvillon mësimin në 4 shkolla, edhe atë: Shkolla Fillore „Andreja Savevski-Kikish”, Shkolla Fillore „Bratstvo Migjeni”, Shkolla Fillore „Bratstvo Migjeni-Drenovec”, Shkolla Fillore „Kirili dhe Metodi”.

Për të plotësuar këtë mungesë, nga Komuna e Tetovës në kuadër të një projekti në bashkëpunim me UNDP, kanë dërguar për çdo vit, tanimë tre vite, persona të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.

Persona joadekuatë kujdesen për fëmijët

Portalb.mk mësoi diagnozat e disave nga këto fëmijë, ku u kuptua se jo të gjithë nga edukatorët e dërguar nga Komuna e Tetovës janë kompetent apo të denjë për të i trajtuar këta fëmijë.

Një nga prindërit që ka fëmijën me nevoja të veçanta, gazetarit të Portalb.mk ia tregoi dokumentin në të cilin ishte shënuar se djali i tij ka nevojë të trajtohet nga defektolog, e jo nga edukatorja e deritanishme, e cila me profesion është psikologe.

Ilustrim

“Kam dokument nga defektolog profesional ku thuhet qartë se djali im duhet të trajtohet nga logoped dhe defektolog, nga Spitali përkatës më thane se shkolla në të cilën e zhvillon mësimi i biri im e ka për obligim të ia sigurojnë një defektolog. Djali im dy shkolla i ka ndërruar deri tani si pasojë e kësaj, i ka humbur 3 vite. Ai aktualisht mësimin e zhvillon në proces të rregullt arsimor, trajtohet nga një psikologe, ajo është shumë e mirë por fatkeqësisht nuk është kompetente për të trajtuar fëmijë me diagnozën e birit tim” theksoi prindi Erdogan Selmani për Portalb.mk.

Përveç kësaj, gazetari i Portalb.mk zbuloi se në mesin e 20 edukatorëve special, të angazhuar nga Komuna e Tetovës për të i trajtuar fëmijët me nevoja të veçanta, ka edhe persona të cilët nuk janë as defektologë e as psikologë, por kanë të kryer Fakultetin e Pedagogjisë.

Nga Qendra për trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta “Aura” na thanë se është jashtëzakonisht e dëmshme që këta fëmijë të trajtohen nga persona jo adekuatë, kjo mund vetëm të përkeqësoje gjendjen e tyre aktuale”. Nga kjo shoqatë theksojnë se mungesa e defektologëve ndikon negativisht në mirëqenien e nxënësve me nevoja të veçanta, ata apelojnë deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të ndërmarrë masa në mënyrë urgjente.

“Mungesa e defektologëve ndikon negativisht në mirëqenien e nxënësve me nevoja të veçanta, krijon vështirësi për tejkalimin e barrierave në procesin edukativo arsimor që çon deri në diskriminim, bullizëm, keqpërdorim, izolim dhe humbje të vetëbesimit, që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin psikik të fëmijës me nevoja të veçanta.

Arjeta Limani
Arjeta Limani

Gjithashtu mungesa e defektologut ndikon në mos informimin e arsimtarëve për llojin e çrregullimi apo diagnozës që ka nxënësi me nevoja të veçanta, si dhe mënyrën se si ata duhet te ndihmohen, trajtohet dhe të pranohet nga nxënësit e tjerë në klasë.

 

Apelojmë tek autoritetet kompetente që në një të ardhme të afërt të ndërmarrin masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështje, që është një problematik në mbarë vendit, veçanërisht në qytetin e Tetovës ku ka një numër të konsiderueshëm të fëmijëve me nevoja të veçanta. Duke mos i ofruar kësaj kategorie të fëmijëve kushtet që domosdoshmërish u nevojiten për edukimin e tyre, verbazi shkelen të drejtat thelbësore të tyre dhe nuk respektohet gjithë përfshirja e tyre në institucionet arsimore të vendit”- tha Arjeta Limani nga Qendra për trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta “Aura”.

Arifi: Fajin e ka Ministria e Arsimit

Kryetarja e Komunës së Tetovës fajin për këtë e adresoi te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke shtuar se Komuna e Tetovës ka dërguar letër deri te Ministria me të cilën ka kërkuar që këta persona të cilët punojnë si asistent personal, të bëhen pjesë e procesit arsimor. Sa i përket jokompetencës e disa asistentëve personal për t’i trajtuar këta fëmijë, ajo u arsyetua se të njëjtit kalojnë një proces të veçantë trajnimi.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Sipas sistematizimit dhe parashikimit që është bë nga ana e Ministrisë së Arsimit, nëpër shkolla janë paraparë këto vende pune edhe ne ata i kemi plotësuar. Duke qenë të vetëdijshëm për faktin që nevojat janë shumë më të mëdha, kjo është arsyeja se pse Komuna e Tetovës ka shkuar përtej parashikimeve të Ministrisë së Arsimit dhe i ka mbuluar të gjitha shkollat me asistent profesional, disa nga ta janë defektolog kurse disa psikolog, këta persona kalojnë një proces të veçantë trajnimi që të mund të punojnë me këta fëmijë. Ne jemi drejtuar me letër dhe Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së RMV-së ku kemi kërkuar që këta persona të cilët aktualisht punojnë si asistent personal, të bëhen pjesë e procesit arsimor” tha Teuta Arifi për Portalb.mk.

MASH: Fajin e kanë shkollat

Nga ana tjetër, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se vetëm dy shkolla fillore në Tetovë, kanë informuar se kanë nxënës me nevoja të posaçme arsimore dhe për të njëjtit janë siguruar defektolog, ata potencuan se janë ndërmarrë një sërë hapash me qëllim të përmirësimit të gjendjes, si dhe krijimit të kushteve dhe mundësive më të mira për shkollimin e fëmijëve me nevoja të posaçme.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)

“Nga Komuna e Tetovës, na janë kërkuar 11 punësim të reja për shkollat fillore edhe atë: 1 logoped (ky profil nuk është i përfshirë në Marrëveshjen kolektive dhe një vend i tillë i punës nuk është i paraparë me Ligjin për arsim fillor), 3 psikologë, 1 punonjës social, 1 bibliotekist, 1 ndihmës drejtor dhe 4 defektologë. Sakaq, në nivel të komunës, vetëm dy shkolla kanë paraqitur se kanë nxënës me nevoja të posaçme arsimore (SHF “Liria” dhe SHF “Andreja Savevski Kikish”) dhe për të njëjtat ka 6 defektologë. Njëkohësisht, në Tetovë ka defektolog edhe në SHF “Rexhep Voka” dhe SHF “Naim Frashëri” si dhe punonjës social në “Bratsvo – Migjeni”” deklaruan për Portalb.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Deklarata të kundërta

Megjithatë, deklaratat e drejtorëve të shkollave të përmendura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk përputhen me atë çka e thonë këta të fundit.

Nga shkolla fillore “Liria” na thane se paralelja ku zhvillohet proces i rregullt arsimor nuk ka të punësuar defektologë, ndërkaq në shkollën fillore “Andreja Savevski Kikish” është e punësuar një defektologe e cila zhvillon mësimin në 4 shkolla tjera. Ndërsa drejtori i shkollës fillore “Rexhep Voka” tha se në shkollën e tij nuk ka të punësuar defektologë, përkundër faktit se kanë fëmijë me nevoja të veçanta dhe disa here kanë parashtruar kërkesë për punësimin e një edukatori special.

Ndryshe, në Universitetin e Tetovës dega Edukim special dhe rehabilitim gjithsej janë të diplomuar 72 defektologë dhe 80% prej tyre janë të pa punë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button