Apdejtim të alfabetit dhe reformë ortografike

Për Kongresin e Manastirit dhe peshën e tij nxënësit kanë shkruar mijëra detyra shkollore dhe politikanët kanë lexuar qindra fjalime, kështu që s’ka nevojë ta harxhojmë kohën time dhe kohën tuaj për një temë që është stërthënë.

Një kongres tjetër gjuhësor që është mbajtur në muajin nëntor por që nuk e ka pasur të njëjtin glorifikim si ai i pari është Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 që është mbajtur nga 20 deri 25 nëntori i atij viti.

Të dy këta kongresë kanë marrë vendime me pasoja që zgjasin deri në ditët e sotme. Megjithatë, pesha simbolike e tyre, në veçanti ajo e Kongresit të Manastirit, nuk duhet të na pengojë që të rishqyrtojmë disa vendime të marra në këto ngjarje historike.

E para ka të bëjë me alfabetin. Baza latine e alfabetit të cilin e përdorim nga viti 1908 e këtej duhet të qëndrojë sepse është zgjidhje më e logjikshme për gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar si popull që jeton në Evropë. Por nuk do të përbënte asnjë problem nëse vendosim t’i ndryshojmë disa shkronja të caktuara dhe ta bëjmë alfabetin tonë edhe më të logjikshëm dhe praktik!

Por cilat shkronja duhet të ndryshojnë dhe për cilat arsye?

Shkronja për të cilën jam definitivisht i bindur që duhet ndryshuar është shkronja “ç”. Kjo germë mundet pa kurrfarë problemi të zëvendësohet nga dyshkronjëshi “ch”. Por pse të bëhet një ndryshim i tillë? Aktualisht në alfabetin tonë janë dy shkronja që nuk i ka alfabeti anglez, e që nuk i ka as tastiera standarde e kompjuterëve, “ë”-ja dhe “ç”-ja, që është mjaft mirë krahasuar me disa gjuhë tjera që kanë alfabete me të cilat është shumë më e vështirë të shkruhet në tastierë (siç është për shembull rasti me gjuhën çeke ose polake). Por nëse “ç”-në e zëvendësojmë me dyshkronjëshin “ch”, atëherë si shkronjë e veçantë mbetet vetëm “ë”-ja, dhe kjo na e lehtëson edhe më tej shkrimin në tastierë. Ky ndryshim duhet kombinuar me rirenditjen e shenjave të pikësimit (dhe shenjave tjera) në tastierën shqip që t’i përshtatet sa më shumë tastierës standarde anglisht. Për shembull Shift+2 në tastierën shqip ta krijojë shenjën @ e jo shenjën siç është aktualisht. Nëse e bëjmë ndryshimin nga “ç” në “ch”, iu lehtësohet puna edhe pronarëve të smartfonëve që nuk e kanë opcionin e vendosjes së tastierës shqip (siç është rasti me celularin tim). Aktualisht aty ku duhet të shkruhet “ç” detyrohen të shkruajnë “q” ose “c”, gjë që nuk i bën nder gjuhës shqipe.

Si shkronja tjera për të cilat poashtu mund të diskutohet ndryshimi i tyre, por për arsye tjera nga ndryshimi i shkronjës “ç” për të cilën u fol më parë, janë shkronjat “x” dhe “xh”. Arsyeja pse duhet ndryshuar këto shkronja është se ndërkombëtarisht “x” lexohet si “ks”. Kjo bën që të huajt kur i lexojnë emrat dhe mbiemrat shqip që i përmbajnë këto shkronja, i lexojnë gabimisht. Unë për shembull te emisioni anglez për automobilizëm “Top Gear”, kur në një epizodë folnin për Mercedes-Benzat si vetura të preferuara të diktatorëve, diktatorin shqiptar Enver Hoxha e quajtën “Enver Hoksa”!

Por me çka të zëvendësohen shkronjat “x” dhe “xh”?

Shkronja “x” mund të zëvendosohet me “zz” ose “dz”. Personalisht e preferoj këtë të dytën sepse ajo që për ne është “x” për Alfabetin Ndërkombëtar Fonetik është “dz”. Pra, nëse e bëjmë një reformë të tillë, do të jemi në të njëjtën vijë me këtë alfabet ndërkombëtar.

Kurse sa i përket shkronjës “xh”, atë mund ta zëvendësojmë me “dzh”.

Reforma ortografike

Përveç reformës së alfabetit, duhet të bëhet edhe reformë ortografike. Gjuhëtarët mund të kenë edhe vërejtje tjera për standardin aktual të drejtshkrimit por për mua problemi kryesor është përdorimi tepër i shpeshtë i shkronjës “ë”. Për shembull, pse ka nevojë të shkruhet “ndërkombëtare” kur shumë më e logjikshme është të shkruhet “ndërkombtare”?! Askush nuk e shqipton atë “ë” në mes të fjalës, dhe nuk shkruhet “kombë” por “komb”, kështu që pse paska nevojë të shtohet ajo “ë” në mes dhe të shkruhet “ndërkombëtare”?! Përse u deshka të shkruhet “mijëra” në vend se thjeshtë “mijra”?! Përse të shkruhet “drejtësi” në vend se “drejtsi”?! Përse të shkruhet “fshehtësi” kur mund të shkruhet “fshehtsi”?! Dhe plot e përplot shembuj tjerë të shtimit të germës “ë” nëpër fjalë të cilat shumica e shqiptarëve nuk e shqiptojnë atë!

Diku tjetër ku mund të reduktohet përdorimi i shkronjës “ë” është te fundi i fjalëve. Për shembull, pse ka nevojë ta shkruajmë “është” kur mund ta shkruajmë ashtu siç e shqiptojnë shumica prej nesh këtë fjalë, pra thjeshtë “ësht”?! Përse të jetë “e shpeshtë” kur mund të jetë “e shpesht”?! Pa dyshim se për disa fjalë është e domosdoshme të shkruhet “ë”-ja në fund sepse ajo shërben t’i jepet theksi ndonjë zanoreje tjetër në fjalë, për shembull nuk mund të shkruhet “aleanc” por patjetër është të shkruhet “aleancë”, nuk mund të shkruhet “veçant” por patjetër është të shkruhet “veçantë”, por për shumë fjalë tjera nuk është e nevojshme të shkruhet “ë” në fund të fjalës!

Si përfundim do të thosha se reformat gjuhësore, edhe pse të rralla, nuk janë të pazakonta. Një rast i famshëm i dekadave të fundit është reforma ortografike e gjuhës gjermane që hyri në fuqi në vitin 1996 dhe që disa pjesë të saj u shfuqizuan në vitin 2006. Prandaj, nuk do të përbënte kurrfarë turpi nëse me pajtim të gjerë mbarëkombëtar bëhet reformë edhe e alfabetit dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe!

Autor: Rilind Dauti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button