Homazh për Robert Elsin në Ditën e Alfabetit Shqip

Në Ditën e madhe të ABC-së shqipe dua të përkujtoj albanologun më të shquar “të huaj” të kohës sonë; kanadezin me origjinë gjermane Robert Elsin; njeriun që studioi gjithçka me vlerë dhe gjithçka të bukur që kishte lidhje me shqiptarët, duke dashur ta zbulojë një Shqipëri tjetër prej asaj që e njohu nga armiqtë tanë dhe prej asaj që e njohu vetë; studiuesin erudit e poliglot me përmasat e një arkivi të paanashkalueshëm për cilindo që do të studiojë fushat që preku ai; titanin i cili respektin ndaj kulturës sonë e shpërfaqi me vepra konkrete, që kanë në tituj fjalët Shqipëri, Kosovë dhe Shqiptar:  “Fjalor i letërsisë shqiptare”, “Histori e letërsisë shqiptare”, “Përralla dhe legjenda shqiptare”, “Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare”, “Doracak i kulturës popullore shqiptare”, “Kanuni: e drejta zakonore shqiptare”, “Fjalor historik i Shqipërisë”, “Fjalor historik i Kosovës”, “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”, “Këngë kreshnikësh – poezi epike shqiptare”, “Stuhi në horizont: rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni”, “Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar”, “Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje”…

Kontributet e Robert Elsit për kulturën shqiptare janë ato të një akademie të mirëfilltë shkence, por, në 111 vjetorin e Kongresit të Manastirit, ne po sjellim në vija ta trasha qëndrimet e albanologut për prejardhjen e Gjuhës shqipe, shtrirjen gjeografike, Shqipen e sotme dhe dialektet e saj.

Për sa i takon prejardhjes së Gjuhës shqipe, Robert Elsi thoshte se ajo i takon familjes gjuhësore indoevropiane, brenda së cilës përbën një degë më vete. Sipas Tij, te Shqipja e vjetër hasen gjurmë të dukshme nga latinishtja, kurse më pak nga greqishtja e vjetër. Huazimet latine, që erdhën si pasojë e sundimit romak në bregdetin Ilir, ndikuan edhe në strukturën e Gjuhës shqipe. Më vonë Shqipja është ndikuar reciprokisht edhe prej gjuhëve sllave, turke e italiane, gjë që vin në shprehje në fjalor, morfologji e sintaksë, ku Shqipja ka afri me gjuhët tjera ballkanike. Roberti e shpjegon këtë me disa tipare të afërta, si: nyja shquese  në fund të fjalës, mbaresat e njëjta të rasës gjinore e dhanore, fjalëformimi i numrave 11-19 bazuar në teknikën “një mbi dhjetë, dy mbi dhjetë…” etj. Për Robertin, përkundër të dhënës se nga ilirishtja disponojmë pak gjëra të shkruara, ekziston qëndrimi i përgjithshëm se Shqipja është pasardhëse e Ilirishtes.

Lidhur me shtrirjen gjeografike të Gjuhës shqipe Ai pohon se, në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, ajo flitet pothuajse nga tërë popullata , përfshirë këtu edhe pakicat. Përveç kësaj, Gjuha shqipe flitet edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Greqi, Itali…

  • Në Maqedoni atë e flasin mbi gjysëm milion shqiptarë. Në këtë kontekst Roberti përmend dhe qytetet ku flitet gjuha jonë: Shkupin, Kumanovën, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, Strugën…
  • Në Mal të Zi e flasin mbi 50.000 shqiptarë – në Ulqin, Tuz, Guci…
  • Në Serbi: Preshëvë, Bujanoc, Medvegjë e gjetiu e flasin mbi 100.000 shqiptarë.
  • Në Greqi shqipja flitet në Epir – Pargë, Gumënicë… E gjallë është akoma dhe e folmja e arvanitasve (Arvanitika), që flitet në mbi 320 fshatra, kryesisht në Viotia (Boiotia), rreth Livadhiasë, në jug të ishullit Evia (Euboia), Atikë, Korinth dhe në veri të ishullit Andros. Robert Elsi përmend dhe numrin prej 100.000 folësve të shqipes në Greqi, pa llogaritur këtu shqiptarët që punojnë atje nga viti 1990…
  • Në Itali, kryesisht në Kalabri e Sicili, shqipen (të folmen e arbëreshëve) e përdrin mbi 100.000 arbëreshë.
  • Në Turqi, ku jetojnë mbi 5.000.000 shqiptarë, janë me mijëra ata që vazhdojnë të flasin shqip…
  • Numri jashtëzakonisht i madh i shqiptarëve që sot jetojnë e punojnë në shtetet e Evropës e mban të gjallë Gjuhën shqipe. Po kështu ndodh edhe në Amerikë e gjer diku edhe në Australi.
  • Falë një numri të vogël folësisht shqipja jeton akoma në Zarë të Kroacisë, në Mandricë të Bullgarisë, në Karakurt të Ukrainës, po jo dhe në Egjipt, Siri… ku hqiptarët janë asimiluar gati tërësisht.

Robert Elsi fliste me kompetencë si për të shkuarën ashtu edhe për shqipen e sotme, e cila ndahet në dy njësi dialektore:gegërisht në veri dhe toskërisht në jug. Ai kishte shëtitur në çdo cep të trojeve shqiptare dhe i njihte mirë edhe nëndialektet e shqipes. Prej nëndialekteve të gëgërishtes përmend: gegërishten veriperëndimore (të Shkodrës dhe rrethinës), gegërishten verilindore (të Shqipërisë  verilindore dhe Kosovës), gegërishten qendrore (të Matit, Dibrës, Tetovës…), gegërishten jugore (të Durrësit e Tiranës) etj.

Ndërkaq, për ndarjet e toskërishtes, për të cilën thoshte se është më homogjene, përmend: toskërishten veriore (të Fierit, Vlorës dhe të  një pjese të Shqipërisë në veri të Vjosës), variantin lab (të pjesës jugore të Vjosës gjer në Sarandë) dhe variantin çam (të cepit jugor të Shqipërisë dhe Epiri grek).

Gjuha shqipe, thoshte Roberti, është sintetike si gjithë gjuhët tjera indoevropiane.  Këtë e shpjegonte hollësisht me kategoritë gramatikore të emrit dhe të foljes: gjininë, numrin, rasën, trajtën, mënyrat e shumta të formimit të shumësit, përkatësisht: tri vetat, dy numrat, dhjetë kohët, dy trajtat dhe gjashtë mënyrat e foljes, prej të cilave më e pazakonta është mënyra habitore, që përdoret për shprehjen e habisë/ befasisë së folësit…

Lidhur me dialektet dhe nëndialektet e Gjuhës shqipe, albanologu Robert Elsi kishte bërë dhe një mori inçizimesh në krahinat e ndryshme shqipfolëse, të cilat dëgjuesit me vesh të stërvitur ia mundësojnë njohjen e ndryshimeve rajonale dhe format e të folmeve të ndryshme të shqipes.

Ndër interesimet e Robert Elsit qenë dhe alfabetet e shumta të shqipes para Kongresit të Manastirit të vitit 1908. Për çështjen në fjalë Ai shkroi dhe librin “Alfabetet shqip: të huazuar dhe të krijuar”, ku pohon se, përgjatë 100 vitesh (1750-1850), shqipja është shkruar të paktën në 10 alfabete, si asnjë gjuhë tjetër evropiane. Kështu, gjer në gjetjen e një alfabeti të vetëm, shqiptarët përdorën alfabetet e ndryshme latine, greke, arabe e cirilike, që sot janë harruar edhe prej vetë shqiptarëve.

Robert Elsi flet dhe për alfabetet origjinale, ndër të cilët bëjnë pjesë:

  • Alfabeti me 40 shkronja (35 të zakonshme dhe 5 të rralla) i përdorur në “Dorëshkrimin Elbasanas të Ungjijve”, që duhet të jetë vepër e Gregorit të Durrësit (një dorëshkrim me 30 faqe dhe 6113 fjalë, që ruhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
  • Alfabeti i Todhri Haxhifilipit nga Elbasani (1730-1805), i zbuluar nga konsulli austriak në Janinë dhe babai i Albanologjisë Johan Georg fon Hani (1811-1896).
  • Alfabeti i dorëshkrimit 154 faqesh me 37 shkronja i të ashtuquajturit Kodeksi i Beratit (supozohet se është shkruar midis viteve 1764 e 1798 nga Kostë Berati…), që është  sot pronë e Bibliotekës Kombëtare të Tiranës.
  • Alfabeti me 22 shkronja i Gjirokastrës ose i Vaso Beut, që u përpilua nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX.
  • Alfabeti i Jan Vellarait nga jugu i Shqipërisë (1771-1823) me 30 shkronja latine e greke.
  • Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça, që kishte 33 shkronja me të cilat u botua një abetare shqip në vitin 1844…

Gjithë këto përpjekje për të gjetur një alfabet të vetëm të Gjuhës shqipe për të gjithë shqiptarët, u kurorëzuan me ABC-në e Kongresit të Manastirit të vitit 1908. Pa këtë fitore të vonshme, po shumë të madhe historike, shqiptarët sigurisht nuk do të mund ta shpallnin më 1912 pavarësinë e shtetit të tyre. Të paktën kështu mendonte albanologu më i shquar “i huaj” i kohës sonë Robert Elsi, i cili i dha kulturës shqiptare atë që nuk arrijmë t’ia japim ne bijtë e saj biologjikë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button