Vetëm dritë e diturisë…

“Vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë” janë fjalët e Naim Frashërit që sot e kësaj dite nuk e humbin aktualitetin. Ky rilindës po ashtu ka theksuar se “Vetëm popujt e mësuar s’mund të jenë të robëruar”. Dhe ja ku jemi sërish në një përvjetor të rëndësishëm për historinë tonë, për gjuhën tonë, për arsimimin tonë. Dita e krijimit të Alfabetit shqip, dita kur kombi jonë vendosi që gjatë arsimimit të tij të përdorë alfabet të standardizuar dhe të përbashkët, dhe gëzimet e vuajtjet, përpjekjet, dështimet e fitoret t’i shprehë shqip, përmes shkronjave karakteristike dhe gjuhës autoktone.

Ishte kjo koha e Rilindjes Kombëtare, koha kur vite më parë kishin filluar me punë shkollat shqipe, koha kur kultivohej identiteti kombëtar në një vend të robëruar ku robëruesi me vite kishte mbjellë para së gjithash injorancë të përgjithshme dhe prapambeturi. Sepse është shumë e lehtë të udhëhiqet në robëri masa e pamësuar dhe e paarsimuar. Sepse ashtu si ka thënë edhe Mandela, arsimimi është arma më e fuqishme që mund të përdorni për të ndryshuar botën.

Një mbishkrim i bukur qarkullonte në rrjetet sociale para një kohe, ku thuhej që ky mbishkrim gjendet në tabelën e një shkolle diku në Afrikë. Mbishkrimi shumë domethënës thoshe që për të zhdukur dhe shkatërruar një komb nuk duhet domosdoshmërish që të luftohet fizikisht kundër tij. Mjafton që të shkatërrohet sistemi arsimor dhe kjo është më efikase se artileria më e avancuar ushtarake. Sepse një sistem i shkatërruar arsimor prodhon mësues të këqij që i lënë fëmijët analfabetë, pra ardhmërinë e popullit intelektualisht e shfarosin. Një sistem i korruptuar arsimor prodhon mjekë të korruptuar të cilët shkatërrojnë shëndetin e atij kombi, prodhon juristë të korruptuar dhe të paditur që shkatërrojnë drejtësinë e atij kombi, prodhon inxhinierë të paaftë që shkatërrojnë ndërtimin e atij kombi, e kështu me radhë. Pra i gjithë çelësi i përparimit por edhe i shkatërrimit të një kombi qëndron tek arsimi.

E megjithatë, arsimin nuk e trajtojmë shumë seriozisht ne, në këto anët tona. Nuk mërzitemi shumë për kualitetin e tij. Shohim si të kalojmë më lehtë. T’ia hedhim, sot për nesër. Prindërit t’ia hedhin, duke i marrë nga shkolla më herët fëmijët e tyre, sepse kanë obligime të shumta që nuk presin mbarimin e mësimit, mësuesit t’ia hedhin, duke i lëshuar së paku një orë më herët fëmijët në shtëpi e të “çlirohen” nga bara që e mbajnë mbi supe, nxënësit t’ua hedhin mësuesve e profesorëve duke ikur nga mësimi, ose duke preferuar telefonin para librit, studentët t’ia hedhin profesorit duke kërkuar një notë kaluese, politikanët e institucionet t’ia hedhin duke punësuar njerëz jokompetentë që dorëzojnë letra që quhen diploma e nuk dëshmojnë asnjë njohuri reale për punën që duhet të bëjnë. Dhe në fund çfarë ndodh? Në fund e kuptojmë që ia kemi hedhur vetes, dhe askush nuk na ka faj.

Kohët kur fajet janë hedhur tek pushtuesit kanë kaluar. Sot shumë gjëra varen nga ne, dhe ne jemi në krye të institucioneve që udhëheqin arsimin në të gjitha nivelet qendrore e lokale. E megjithatë, përskaj të gjitha gjërave të shkruara nga Naimi e nga rilindësit tjerë qindra vite më parë, vendet ku jetojnë shqiptarët paraqesin rezultate të tmerrshme në testimet ndërkombëtare si ai i quajtur PISA. Kush e ka fajin për këtë? Të gjithë ata që mendojnë t’ia hedhin duke anashkaluar mësimin.

Arsimimi nuk është diçka që realizohet shkel e shko ose në afat të shkurtër kohor. Arsimi kërkon kohë, investim dhe shumë durim e këmbëngulje. Arsimimi nuk arrihet duke u munduar t’ia hedhim dikujt, kushdo qoftë ai. Arsimimi kërkon shumë, shumë punë. Më shumë punë dhe më pak patetikë. Sepse patetikë dhe dramatikë mund të jemi sa të duam. Mund të flasim gjithmonë e gjithkund për atë se sa e duam gjuhën tonë, alfabetin tonë, kombin tonë flamurin tonë. Por një herë e mirë duhet ta kuptojmë se kjo dashuri nuk shprehet me fjalë por me vepra, me angazhim të mirëfilltë dhe pa hile, për të siguruar përparim të vërtetë përmes arsimit. Sepse nuk mundet në të njëjtën kohë edhe ta duam kombin tonë edhe t’ia hedhim duke shitur injorancë të maskuar si shkencë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button