“Metamorfozis” pjesë e trajnimit për siguri kibernetike për nxënësit, kuadrin arsimor dhe prindërit

Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë (MShIA), Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Fondacioni “Metamorfozis” kanë organizuar trajnim njëditor për siguri kibernetike për nxënësit, kuadrin arsimor dhe prindërit.

Qëllimi i trajnimit është të ngritet vetëdija për rreziqet në hapësirën kibernetike si dhe përgjegjësia e prindërve, institucioneve arsimore dhe organeve shtetërore gjatë ballafaqimit me incidentet kibernetike te nxënësit e arsimit fillor.

Në ngjarje, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski tha se duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të ballafaqohemi me këtë problem nëse bashkohemi të gjithë.

“MShIA-ja e ka vendosur sigurinë kibernetike në qendër të punës së saj, në përgatitjen e Strategjisë dhe Planit aksionar për siguri kibernetike. Ajo që është më me rëndësi në ballafaqimin me problemin e krimit kibernetik dhe rreziqeve me të cilat të gjithë ne ndeshemi në internet, është të kuptojmë se bëhet fjalë për problem global, i cili nuk njeh kufij. Nga ana tjetër, në nivel lokal duhet të jemi të vetëdijshëm se ne mund të ballafaqohemi me këtë problem nëse bashkohemi të gjithë. Këtu mendoj në institucionet shtetërore dhe arsimore, shoqërisë sipërmarrëse, sektorin joqeveritar, prindërit, arsimtarët dhe fëmijët të cilët që të vegjël duhet të mësojnë se si ta shfrytëzojnë internetin”, tha Mançevski.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi tha se tashmë ministria disa vjet ka konsistencë të politikave në mbrojtjen dhe sigurinë e nxënësve, dhe në përgjithësi të të rinjve gjatë shfrytëzimit të internetit.

“Janë futur ndryshime në sistemin arsimor të cilat vazhdojnë të plotësohen, kurse fusim edhe përmbajtje të reja, gjegjësisht realizojmë aktivitetet të reja në pajtim të Strategjisë nacionale dhe planit aksionar për siguri kibernetike 2018-2022”, tha Ademi.

Ndërkaq, drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari tha se qasja e përbashkët dhe inkluzive drejt temës së sigurisë kibernetike, është më adekuatja për ballafaqim me të gjitha rreziqet e mundshme gjatë shfrytëzimit të internetit.

“Fëmijët dhe të rinjtë sot jetojnë në një botë të transformuar nga teknologjitë digjitale. Prandaj, atyre ju duhet edukim adekuat i cili do t’u japë një përmbledhje të njohurive dhe aftësive të cilat do t’u ndihmojnë që në mënyrë kompetente të ballafaqohen me kompleksitetin e botës bashkëkohore digjitale rreth tyre. ‘Metamorfozis’ që nga themelimi, e ka hetuar këtë nevojë dhe kontribuon me trajnime, fushata për ngritjen e vetëdijes publike, përmbajtje multimediale dhe resurse të tjera arsimore për fëmijë, të rinj, prindër dhe arsimtarë të cilët fokusohen në sigurinë digjitale. Për shkak të kompleksitetit dhe dinamikës së zhvillimit të teknologjive digjitale, është e nevojshme që me resurse dhe ekspertiza të përbashkëta, institucionet shtetërore kompetente, organizatat joqeveritare dhe bizneset të përfshihen në rritjen e njohurive të të gjithë qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, ashtu që të përfshihen pozitivisht, me qasje kritike dhe me kompetencë në rrjetet digjitale, të komunikojnë në mënyrë efektive dhe të praktikojnë forma të pjesëmarrjes sociale me dinjitet, duke i respektuar të drejtat e njeriut, dhe duke shfrytëzuar teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme. Pikërisht për këtë, trajnimi i sotëm njëditor është shumë i rëndësishëm, sepse paraqet iniciativë të përbashkët të sektorit qeveritar atij joqeveritar dhe komunitetit ndërkombëtare. Shpresoj se do të vazhdojmë me këtë bashkëpunim dhe me trajnime të ngjashme do të përfshijmë numër më të madh të shkollave.” tha Jashari.

Në trajnimin e sotëm morën pjesë përfaqësues të MShIA-së, të MASh-it dhe nga institucione dhe organizata të tjera relevante, kuadri arsimor dhe administrativ i Shkollës fillore “Kiril Pejqinoviq” dhe Shkollës fillore “Hasan Prishtina”, nxënës dhe prindër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button