Kosovë: Aktakuzë ndaj një gruaje për vepra terroriste

Në Kosovë, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër një gruaje qytetare t# Kosovës për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, Prokuroria në njoftimin për medie thotë se “e pandehura me inicialet F.Z. më 23 gusht të vitit 2014, me dëshirë të plotë, me vetëdije përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë ka lënë vendbanimin e saj të përhershëm në Republikën e Kosovës për të vazhduar fluturimin për në qytetin Stamboll të Republikës së Turqisë, me qëllim që përmes territorit të Turqisë, të udhëtojë për në shtetet islamike Irak dhe Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”. Kjo organizatë, sipas prokurorisë së Kosovës ka shkaktuar dhunë, keqtrajtime dhe vrasje dhe është një organizatë e shpallur terroriste nga OKB-ja, njofton DW.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet më tej se “e pandehura F.Z. ka kryer veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, vepër kjo e dënueshme nga ligjet e Kosovës”.

E akuzuara kosovare është pjesë e grupit prej 110 personave që në prill të këtij viti u kthyen në Kosovë në një operacion të institucioneve të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova ka kohë që i është bashkuar Aleancës Globale Kundër Terrorizmit.

Thaçi:  shpërthim i mosdurimit vitet e fundit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë më parë gjatë konferencës ndërkombëtare në Tiranë “Feja si instrument për paqen”, tha se “Kosova ka dëshmuar dhe do të dëshmojë që mbështet aleancën kundër ekstremizmit fetar”, dhe shtoi se Kosova po punon për rehabilitimin e të kthyerve nga llogoret e luftërave ekstremiste.

“Vitet e fundit në historinë e njerëzimit anë e mban botës janë karakterizuar nga një shpërthim i mosdurimit. Ne të gjithë jemi para Zotit të njëjtë edhe kur ka paqe dhe mirëkuptim në mes nesh, në të kundërtën kur nuk ka tolerancë politike dhe fetare rrezikohet paqja, keqpërdoret feja në shërbim të qëllimeve ditore politike. Kombi shqiptar ka dhënë dhe jep një shembull pozitiv, të mirë dhe shumë të qëndrueshëm. Kjo vlerë tradicionale duhet të ruhet dhe të pasurohet çdo ditë. Kosova ka shumë arritje”, tha Presidenti Thaçi.

Presidenti tha se edhe Kosova është përballur me radikalizmin dhe e ka luftuar atë.

“Ne si shoqëri dhe si shtet kemi reaguar. Kosova do të jetë gjithmonë kundër ekstremizmit. Kemi marrë masa ndaj atyre që kanë nxitur urrejtje dhe pjesëmarrje në luftëra të huaja”, tha Presidenti i Kosovës.

110 personat që u kthyen në Kosovë në prill të këtij viti nga vatrat e luftës në Siri dhe Irak, janë 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Ata të gjithë u dërguan në një burg në afërsi të Prishtinës, ndërsa hetimet ndaj këtyre grave, pjesë e grupit të të kthyerve janë duke vazhduar. Një nga to tashmë është dënuar me kusht. Në zonat e konfliktit, sipas të dhënave të policisë së Kosovës janë edhe 30 luftëtarë meshkuj, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Sidoqoftë, në bazë të statistikave të mëhershme të policisë së Kosovës afro 400 qytetarë të Kosovës, kanë marrë pjesë në vitet e fundit në konflikte në Siri dhe Irak përkrah grupit militant të “Shtetit Islamik”, ISIS. Thuhet se më shumë se 70 prej tyre deri tash janë vrarë.

Kosova që nga viti 2015 është rreshtuar përkrah aleancës globale kundër terrorizimit. Në po të njëjtin vit, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe ligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit. Një valë masive e arrestimeve në Kosovë pati ndodhur dy vjet më parë, kur Prokuroria Speciale e Kosovës nisi hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë, arrestoi mbi 40 prej tyre, që ishin pjesë apo kishin lidhje me shtetin islamik ISIS. 37 nga ta janë dënuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button