Koncerti “URACult Ethno Jazz”, të dëgjosh “Bareshën” në mes të Kölnit

Me një “Faleminderit për këtë mbrëmje të mrekullueshme” përshëndetej çifti gjerman Ahrens të shtunën mbrëma nga anëtarët e shoqatës URACult duke dalur nga salla e shtëpisë “Altes Pfandhaus” në Köln, pas koncertit “URACult Ethno Jazz”. Ishte ky një koncert, i cili tingëllonte disi ndryshe nga koncertet tjera të kësaj shtëpie koncertale. Ky aktivitet, për të cilin kishin shkruar edhe gazeta të ndryshme Jazz-i në Gjermani, kishte zgjuar kureshtjen edhe të shumë miqve dhe artdashësve të jashtë Kölnit, si për artistët nga Ballkani, por edhe për Ethno Jazz-in që do të prezantohej në këtë shtëpi në këtë mbrëmje, përcjell Portalb.mk.

“Altes Pfandhaus” njihet si një nga adresat më të njohura të Jazz-it në Gjermani, ku qysh në hyrje, publiku i bien në sy muret e pasuruara me foto të yjeve botërore që janë paraqitur me koncerte në këtë shtëpi në dekadat e fundit. Të shtunën e kaluar, të ftuar në këtë tempull të Jazz-it ishin Rona Nishliu, Kiril Tufekcievski, Nesim Maxhuni dhe Edon Ramadani, të cilët të bashkuar në grupin “Rona Nishliu Quartet” dhuruan momente të paharruara për publikun që përbëhej nga shqiptarë që jetojnë e punojnë në Gjermani dhe pjesëtarë të kombësive të ndryshme.

Ky koncert erdhi pas promovimit të albumit “Mindil” në Prishtinë në prill të këtij viti e disa javë më vonë edhe në Shkup, ndërkaq, 16 nentori 2019 shënoi paraqitjen e parë të albumit në Evropën perëndimore. Shoqata URACult nga Köln, tashmë e njohur prej gati pesë vitesh si zhvilluese e organizimeve kulturore të nivelit të lartë në Gjermani, kishte bërë përgatitjet e duhura për paraqitjen koncertale të “Rona Nishliu Quartet”.

Koncerti "URACult Ethno Jazz"
Koncerti “URACult Ethno Jazz”

Për gati një orë e gjysmë, këngëtarja e njohur shqiptare dhe kolegët e saj ofruan një performancë të shkëlqyeshme. Kureshtja e atyre që për herë të parë dëgjonin këtë grup muzikor u shndërrua në ngazëllim. “Moj e mira te pojata” e Haki Misinit apo “Mallëngjimi”i Muharrem Qenës, sikurse edhe shumë këngë të tjera në këtë mbrëmje u shpërblyen me duartrokitje të gjata.

“Ta dëgjosh Bareshën në Prishtinë apo Tiranë është disi normale, por ta dëgjosh këtë këngë në mes të Köln-it, ishte diçka e veçantë dhe emocionale” shprehej një student i ri shqiptar i porsaardhur në Gjermani, pa fshehur befasinë që kishte gjetur një organizim të tillë kulturor nga komuniteti shqiptar në Gjermani. 

Harmonia në skenë e Rona Nishliut dhe kolegëve të saj por edhe pjesët solo të gjithë anëtarëve të grupit, ishin me të vërtetë mbresëlënëse dhe ngritën në këmbë gjithë publikun.

”Një grup i talentuar dhe i këndshëm, një hapësirë e bukur dhe elegante shfaqjeje ku kishim mundësinë që të jemi shumë afër artistëve dhe të shijojmë shfaqjen në maksimum” fliste australiania Jemima e shoqëruar nga miku i saj Anthony.

 

Mbresëlënëse ishte mbrëmja edhe për Rona Nishliun.

“Eksperiencën e kësaj mbrëmjeje, secili nga ne do ta mbajmë si një kujtim plot magji” përshkruan Nishliu mbrëmjen në Köln.

Këtyre fjalëve mbetet vetëm ti shtohet urimi për një performancë të shkëlqyeshme të një albumi, i cili është një kontribut i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë muzikore shqiptare. Si pjesë shoqëruese e koncertit “Rona Nishliu Quartet” shoqata kulturore URACult mbajti të hapur gjatë fundjavës së kaluar edhe ekspozitën “URA” me piktura të artistit mitrovicas Kushtrim Istrefi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button