Gjithmonë para zgjedhjeve premtohet veting në gjyqësor

Para zgjedhjeve të vitit 2016, e tani përsëri, LSDM e përmend vetingun në gjyqësor si një premtim. Sipas analistëve, ky proces jo vetëm se është i mundur, por është edhe i domosdoshëm, transmeton Portalb.mk.

“Do të ketë drejtësi për të gjithë. Ne garantojmë rizgjedhje të plotë në gjyqësor, “kjo fjali është pjesë e programit partiak të LSDM-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016.

Ndërsa gjatë këtyre dy vjet e gjysmë në pushtet, në pyetjen rreth vetingut kryeministri Zoran Zaev ka thënë vazhdimisht se me një procedurë të tillë mund të mbetemi pa gjyqtarë, duke theksuar se pas indikacioneve nga BE-ja ka ndryshuar mendje. Tani, nga tribunat në qytete të ndryshme përsëri premton të ketë veting të plotë në gjyqësor, përkatësisht edhe në gjyqësor edhe në prokurori.

Sipas profesoreshës Mirjana Najçevska, veting jo vetëm që është i mundur dhe i nevojshëm, por siç thotë ajo edhe i domosdoshëm. Por ajo thekson se ky proces nuk mund të shihet si mjeti i vetëm për përmirësim të punëve në gjyqësor, por si hap fillestar për ndryshime.

“Megjithatë, personalisht mendoj se asnjë nga partitë kryesore politike që janë duke luajtur aktualisht në skenën politike nuk janë në situatë, e as nuk kanë me të vërtetë dëshirë për të bërë diçka të tillë sepse korrupsioni në gjyqësor i përgjigjet mënyrës së funksionimit të politikës aktuale në Maqedoni”, thotë Najçevska.

Edhe sipas analistit politik Xhelal Neziri, vetingu është operacion që mund të realizohet, ndërsa si krahasim e merr Shqipërinë, e cila ka realizuar veting, i cili nga diplomatët e BE-së vlerësohet si arritje e veçantë. Duke folur për premtimet aktuale të Zaevit në kontekst të zgjedhjeve të ardhshme më 12 prill, Neziri thotë “nuk e di se cila është logjika të shkohet me të njëjtin premtim në dy cikle zgjedhore”.

“Nuk besoj se BE nuk paska lejuar të bëhet veting, për shkak s’do të kishte gjyqtarë. Nuk besoj se kjo është e vërtetë, pasi pikërisht BE-ja si kriter vendimtar për Shqipërinë e ka vendosur vetingun”, thotë Neziri.

Kryeministri tha këtë verë se rekomandimet që i kanë marrë nga BE kishin qenë se nuk kishte asnjë mënyrë për të mbushur boshllëkun që do të krijohej me vetingun. Ai në atë rast saktësoi se kishte vend për 750 gjyqtarë, ndërsa aktualisht kishin qenë të angazhuar 520 gjyqtarë.

“Për momentin nuk kemi gjyqtarë. Asnjë. Fakti që kemi njerëz të ulur në karriget e gjyqtarëve nuk do të thotë që kemi gjyqtarë dhe nuk është çështje nëse do të mbetemi pa gjyqtarë sepse aktualisht edhe ashtu jemi pa gjyqtarë”, thotë Najçevska.

Ndërsa Ministrja e drejtësisë Renata Deskovska thotë se ka shumë vende dhe shembuj që mund të ndiqen kur bëhet fjalë për vetingun, duke përmendur shqyrtimin e pasurisë, ndikimin e grupeve të lobimit dhe avokatisë në marrjen dhe vonimin e vendimeve të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button