Prindërit e fëmijëve të dhunshëm do të shkojnë në këshillim

Pasi që agjencia e lajmeve Meta i publikoi numrat për dhunë fizike, psikike dhe kibernetike në shkollat mes nxënësve, është pyetur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), nëse dhe çfarë ndërmarrin që e njëjta të zvogëlohet, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Prej atje janë përgjigjur se me Ligjin e ri për arsim fillor, i cili është në fuqi që nga fillimi i vitit të ri shkollor, është paraparë edhe edukimi në dhe jashtë mësimit, në të cilën, përveç të punësuarve dhe nxënësve, do të jenë pjesë edhe prindërit e fëmijëve. Është alarmante e dhëna se në shkollat fillore në kryeqytet, një e treta e nxënësve vazhdimisht vuajnë nga çfarëdo lloj dhune.

“Me ligjin e ri në nenin 5, është e rregulluar se të punësuarit në shkollat fillore janë të obliguar të promovojnë barazi mes të gjithë nxënësve dhe aktivisht t’i kundërshtojnë të gjitha llojet e diskriminimit dhe dhunës. Shkollat janë të obliguara që në programet vjetore për punë të planifikojnë edhe program për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjes nga dhuna, nga keqpërdorimi dhe mospërfillja, parandalim të diskriminimit. Aktivitet do të realizohen nëpërmjet aktiviteteve arsimore dhe jashtë arsimore me nxënësit, të punësuarit, prindërit, gjegjësisht kujdestarët e fëmijëve në bashkëpunim me komunat, në pajtueshmëri me nevojat e konstatuara nga ana e këshillit shkollor, këshillit të komunës ose shërbimit pedagogjik”, informojnë nga Ministria.

Në nenin 65 –a, shtojnë nga MASH, është konstatuar se drejtori i shkollës është i obliguar që ta paraqesë çdo lloj të dhunës, keqpërdorimit ose shpërfilljes, të kryer ndaj nxënësit nga ana e ndonjë nxënësit tjetër, prindërit, gjegjësisht kujdestarit, arsimtarit, bashkëpunëtorit profesional, ose çfarëdo personi tjetër i cili është i punësuar në shkollë, deri te Inspektoratin e Arsimit.

“Procedura për paraqitje dhe mbrojtje të nxënësit-viktimë nga cilado formë e dhunës, keqpërdorimit dhe mospërfilljes konstatohet me akt nënligjor të propozuar nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, ndërkaq i miratuar nga ministri. Gjithashtu janë të parapara edhe programet për këshillimin e prindërve, mes tjerash edhe nëse nxënësit marrin pjesë në forma të ndryshme të dhunës, me qëllim që e njëjta të eliminohet. Këto dispozita gjithsesi do të jenë pjesë e ligjit të ri për arsim të mesëm i cili është periudhën e ardhshme do të përpunohet”, thonë nga MASH.

Në periudhën e ardhshme do të vendoset fokusi, ashtu siç thonë nga MASH, në zhvillimin e klimës stimuluese shkollore dhe të bashkëjetesës në shkolla.

“MASH në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, komunat, shkollat, partnerët e huaj, organizatat civile, në vazhdimësi punojnë në ngritjen e vetëdijes te popullata e re për nevojën e sjelljes me tolerancë dhe tejkalimin e konflikteve pa dhunë. Një numër i projekteve të përbashkëta, por edhe projekteve për arsim integrues dhe projektit me OSBE – “shkolla të sigurta, ambient harmonik”, me karakter parandalues, kontribuon për plotësimin e prioriteteve të cilat janë të përfshira në kuadër të dokumenteve qeveritare strategjike të cilat kanë për qëllim pengimin e çdo lloj të dhunës, duke zhvilluar bashkëjetesë në shkolla, diçka që do të vendoset në fokus edhe në periudhën e ardhshme”, shtojnë nga MASH.

Profesoresha Sofija Arnaudova nga Fakulteti Filozofik, bashkë me këshilltarin familjar dhe psikologun e licencuar Frosina Denkova-Zafirovska, kanë hulumtuar se sa dhuna është pjesë e përditshmërisë së nxënësve. Më shumë se një e treta e nxënësve janë deklaruar se kanë qenë të ofenduar me emra fyes dhe kanë ngacmuar në mënyrë fyese, ndërkaq 17,7% e nxënësve kanë qenë viktimë e dhunës fizike, gjegjësisht kanë thënë se janë shtyrë, goditur me këmbë ose kanë qenë të mbyllur në hapësirë. Ajo që shqetëson është se 27% e nxënësve, tanimë disa vjet vazhdimisht janë të ekspozuar ndaj dhunës, edhe atë 34% prej vajzave dhe 23% prej djemve. Dhuna ndodh në shesh të lojërave, në mësonjëtore, në rrugën drejt shkollave, në shkallët e shkollave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button