Nuk mund të merret leja, ndërtesa barok në Shkup prej 15 milionë eurosh do të qëndrojë e pashfrytëzuar

Ndërtesa e re barok e Shoqërisë Aksionare “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) në vlerë prej 15 milionë euro, do të qëndrojë e zbrazët dhe e papërdorshme edhe për një kohë, sepse siç njofton portali “SDK”, nuk mund të merret leja e nevojshme. Me këtë, udhëheqësia dhe të punësuarit e EMV-së nuk mund të shpërngulen në objektin përballë Stacionit të vjetër Hekurudhor, transmeton Portalb.mk.

Ndërtesa është pjesë e projektit “Shkupi 2014”, ndërkaq procedurat janë bllokuar, ngaqë gjatë ndërtimit janë bërë një sërë ndryshimesh në projekt e kurse për të nuk kanë kërkuar aprovim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL).

Nga EMV-ja kanë deklaruar se “puna është e bllokuar”, sepse nga MTL-ja nuk ua miratojnë kërkesën për përdorim të objektit, sepse ndryshimet sipas ligjit janë dashur të bëhen pasi të ishte marrë miratimi nga kjo Ministri, e jo pasi të kenë përfunduar të njëjtat.

Objekti duhet të jetë në përdorim nga EMV-ja, e cila për momentin gjendet e vendosur në ndërtesën e kompanisë EVN në qendër të Shkupit, e cila gjithashtu filloi të rinovohet në stilin neoklasik, por ajo u ndërpre pasi nga pushteti u largua Nikolla Gruevski. Hapësira e tanishme e EVN-së do të shitet, ngaqë ajo do të shpërngulet në objektin e sapo blerë, Shtëpinë e Qytetit në bregun e lumit Vardar.

Nga EMV-ja kanë deklaruar, se nëse EVN-ja pasi të shpërngulet në Shtëpinë e Qytetit vendos t’i shesë hapësirat aktuale, ata janë të interesuar për t’i blerë.

Përndryshe, objekti barok në Stacionin e vjetër Hekurudhor që duhet ta shfrytëzojë EMV-ja, disa herë e ka shtyrë afatin për përfundimin e tij si dhe shumën për ndërtimin. Në fillim duhej të kushtonte 9.8 milionë euro, ndërkaq gjatë realizimit të punimeve shuma është rritur në 14.6 milionë euro. Në mënyrë shtesë janë edhe shpenzimet për përgatitje të projektit bazik, 50 mijë euro, mbikëqyrjen e ndërtimit, të cilin e kryen Instituti i Ndërtimtarisë SHA Maqedoni – Shkup për 30 mijë euro dhe mobilie në vlerë prej 470 mijë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button