NJOLLA

“Tuçi, na e la këtë njollë të zezë midis katundit” kishte thënë Hasa i Gurabardhëve në një ndenjë, që punonte si druprerës në kooperativë. Atëherë të gjithë kishin heshtur, përveç hoxhës i cili paska thënë vetëm: “Po, bre”, që ishte një vërtetim se fjala e thënë për Tuçin ishte e vërtetë.

Fjala, më mirë të themi sintagma “njolla e zezë” mori dhenë dhe arriti në veshin e Tuçit. Njolla? Nuk e zbërthente dot përmbajtjen figurative të kësaj fjale. “Pse e paskam bërë unë këtë njollë dhe ku e kam bërë”? Eci andej e këndej nëpër fshat ta shohë për çfarë njolle e kishin fjalën, sepse e mbante veten për njeri të ndershëm. Të pyeste, nuk pyeste. E si mund të pyeste ai, e si mos ta dinte ai, kur aq vite kishte punuar në komunë? Dhe, kë do ta pyeste? Këta fshatarë kokëtrashë që s’dinë gjë tjetër përveç draprit e shatit?!

Kërkoi, kërkoi e iu kujtua se Hasa kishte thënë që njolla ishte lënë midis katundit. “Epo mirë”, mendoi Tuçi, “pasi qenka midis katundit, unë shtëpinë e kam në mes të fshatit, prandaj nuk ka nevojë të kërkoj andej e këndej. Do ta gjej këtë njollë të zezë të mallkuar”. E tjerri, e tjerri, e bisedoi me të shoqen e cila ia kujtoi aksionin e grabitjes së stolive të grave të fshatit nga ana e pushtetarëve komunistë të pasluftës. “Mos lidhet me këtë punë”? “Kjo do të ketë qenë”. Mirëpo Tuçi, asnjë gjysmë lire nuk kishte marrë. Kështu edhe kjo dilemë ra në ujë. Nga ana tjetër fjala për njollën vazhdonte të sillej, të folej e të përfplej në fshat. Po halli? Tuçi nuk pa shteg tjetër përveç se ta pyes drejtpërsëdrejti Hasën e Gurabardhëve se cila ishte ajo njollë që e paska lënë Tuçi midis fshatit.

“Prit, Haso”, – i tha Tuçi një ditë –  desha të të pyes diçka…”.

“Fol”.

“A mos ke menduar se unë kam marrë diçka nga stolitë që u mblodhën pas lufte te ne”? A është ky dyshimi yt se unë kam marrë stoli nga aksioni i pushtetit pas lufte?

“Jo”!

“Po çka është pra ajo njollë”?

“Pyete të bijën e mësuesit? A të kujtohet, atë që e morën nga shtëpia e s’u kthye më vetëm për shkak se kishte recituar vjershën e “O moj Shqypni në një ndenjë vajzash”?

Tuçi mbeti pa fjalë sepse e dinte se e bija e mësuesit ra në burg “për këtë vepër” e humbi pa nam e nishan, për të mos u kthyer kurrë, kurse Hasa vazhdoi rrugën në punë të vet.

Tuçit iu tha pështyma në gojë. Ai thuajse e kishte harruar atë çast kur i kishte njoftuar organet shtetërore se e bija e mësuesit poe recituaka një vjershë për Shqipërinë. Mendonte se atë punë e kishte marrë lumi i kohës dhe e kishte hedhur në fund të detit të harresës. Mirëpo çdo gjë që merr lumi, një ditë e hedh në breg  dhe e nxjerr në shesh e në det e çon vetëm ujin.

“Tuço, pritëm këtu”… – tha Hasa pastaj dhe u largua. Pas një kohe të shkurtër u kthye me një zarfë të madhe. – “Urdhëro!” – i tha Tuçit që kishte mbetur ta priste. Hasa ia lëshoi zarfën pa fjalë dhe u largua përsëri. Tuçi e hapi. Ishte kopja e dosjes së tij aty brenda, e cila kishte kaluar dorë më dorë. Se kush do ta kishte nxjerrë në shesh, nuk e mori vesh e as që guxonte të pyeste se mund të bëhej edhe më keq. Tuçi e shfletoi me ankth dhe i ranë në sy disa nënvizime me laps të kuq. I lexoi me nxitim dhe e pa se lumi i kohës i paska nxjerrë të palarat e tij për të cilat mendonte se do të shkonin në varr bashkë me të.

Në dosje shkruante se ishin disa veta për të cilët Tuçi i kishte njoftuar organet e pushtetit duke pohuar sei kanë shkelur parimet e pushtetit “popullor”. Njëri nga ata fatkëqij kishte thënë: “Liria e popullit, taksirati i miletit”, tjetri kishte bërtitur: “Pusht pushteti” e kështu me radhë. Kaq!

“Njollën e nënës”! shau Tuçi dhe u fut në shtëpi. Gruaja e pyeti:

“Mos po të dhemb koka”?

Ai nuk iu përgjigj. Në ditët në vazhdim vetëm  heshtte. Pastaj thuajse çdo natë i shihte ëndërr të gjithë ata që i kishte çuar në udhën e pakthim. I dilnin si nëpër mjegull këta të shkretë duke thyer gurë me këmbë të lidhura me vargoj të rëndë. I shihte sytë e tyre të mekur dhe këmbët që mezi i zhargisnin.  Ndonjëherë e shihte të bijën e mësuesit e cila duke u munduar këmbëzbathur nëpër gurore kthehej kah Tuçi dhe e pështynte: phu! Pastaj i dëgjonte edhe klithmat e tyre pas fshikullimës së thuprave e të kamxhikëve që hanin të shkretët nga gardianët derisa mbanin gurë të rëndë ose duke mbajtur si ndëshkim nga dy kova të mëdha me fëllim me të cilat gjithë ditën e lume duhej ta kalonin një kodër e përsëri të ktheheshin me kovat e rënda në duar, herë andej e herë këndej, tërë ditën e lume, pa pushim fare.

Ditët kalonin, muajt dhe vitet, kurse Tuçi verështisej me njollën e cila iu shndërrua në zërin e ndërgjegjjes. Tash duhej ta kishte më lehtë sepse Hasa i Gurabardhëve edhe hoxha nuk ishin më në fshat që ta shikonin drejt në sy e t’i thoshin: “Si na e bërë këtë njollë, o Tuç? Po katundi ynë s’e ka pasur adet spiunimin”. Hasa kishte shkuar në Gjermani, kurse hoxha në një fshat të Sanxhakut të shërbente si imam.

Kot.

Ata kishin shkuar, mirëpo zëri i ndërgjegjes çdo ditë  bëhej më i theksuar.

Një ditë me diell, i rraskapitur nga ndjekja e këtij zëri, e mori një shkam dhe deshi të dalë te dera e oborrit. T’i shikojë njerëzit si kalojnë aty pari. I bëri disa hapa, u pengua dhe u rrëzua. Shikoi andej e këndej mos e pa kush. Jo. U ul në tokë.  Pastaj u alivanos.

Ndërkohë dikush i hodhi një bokall ujë. Tuçi e ngriti ngadalë kokën. Dridhej si purtekë.

“Po dridhesh, zotëri Tuç”, i tha një vajzë që u gjet aty e që donte t’i ndihmojë.

“Hiqma këtë shkam” – i tha me zë të mekur vajzës – se ma kujton njollën!

Pastaj ai zëri i ndërgjegjes i tha se vajza ishte e bija e mësuesit ajo që kishte ardhur t’i ndihmojë.

Vajza e largoi shkamin, pa u thelluar te fjalët e tij. Kur u kthye ta shohë, Tuçi e ngriti me vështirësi kokën:

“Më fal ti o bija e mësuesit. Të mora në qafë!

“Nuk jam unë vajza e mësuesit”, – i tha vajza. PoTuçi nuk e dëgjoi. Të shkretin Tuç po e prridhte njolla, thuajse po e shtrëngonte me dy duar të forta për fyti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button