Galloway: Maqedonia e Veriut ka punuar, por duhet të bëjë më shumë për të rikthyer besimin në gjyqësor (Intervistë)

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Rejçëll Gallouej (Rachel Galloway) në një intervistë për Portalb.mk flet për procesin e reformave në administratën publike dhe gjyqësor. Thotë se zbatimi i ligjeve dhe planeve është çelësi për të rikthyer besimin e njerëzve në institucione dhe se Maqedonia e Veriut duhet ta bëjë këtë në mënyrë sistematike. Ajo e përmend rastin “Reket” si zhgënjyes dhe flet për arsyet pse përfshihet në pastrimin e rrugëve tona dhe motivimin e saj për të ndihmuar të rinjtë.

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Rejçëll Gallouej (Rachel Galloway) në një intervistë për Portalb.mk flet për procesin e reformave në administratën publike dhe gjyqësor. Thotë se zbatimi i ligjeve dhe planeve është çelësi për të rikthyer besimin e njerëzve në institucione dhe se Maqedonia e Veriut duhet ta bëjë këtë në mënyrë sistematike. Ajo e përmend rastin “Reket” si zhgënjyes dhe flet për arsyet pse përfshihet në pastrimin e rrugëve tona dhe motivimin e saj për të ndihmuar të rinjtë.

Intervistoi: Elida Zylbeari 

Çfarë mendoni për reformat në administratën publike?

“Gjëja e parë që duhet të kuptojmë është se reforma e administratës publike nuk mund të jetë qëllim në vete, duhet të jetë një proces i reformave. Është bërë shumë, por e vërteta është, që ka ende shumë që duhet të bëhet. Disa institucione janë para të tjerëve, ndërsa disa prej tyre ende jo. Në vendin tuaj ka shumë institucione, ministri dhe agjenci, prandaj edhe reforma do të jetë një proces afatgjatë. Do të duhet ta analizoni atë në aspektin strategjik: a kemi nevojë për të gjitha këto institucione, a bëjnë disa prej tyre të njëjtën gjë? Nuk guxoni të merrni vendime të nxituara, do të ishte gabim, vendimet duhet të merren pas analizës dhe të menduarit strategjik.”

Raportet dhe ekspertët e BE-së thonë se administrata publike është e stërngarkuar duhet të zvogëlohet. Gjithashtu, ekziston problemi i ndikimit nga politika …

“Po, keni probleme të ndryshme në vende të ndryshme. Në disa, keni probleme me kapacitetin e në disa keni probleme strukturore. Andaj, mendoj që Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë po përpiqet t’i qaset problemit në mënyrë  gjithëpërfshirëse duke kërkuar mbështetje nga Mbretëria e Bashkuar dhe të tjerët. Problemit duhet ti qasemi strategjikisht, sepse njëkohësisht duhet të ballafaqohesh me probleme të ndryshme.
Për shembull, është sfidë për të tërhequr ekspertë të mirë dhe të aftë të IT-së për të punuar në administratë dhe të paguhen aq sa paguhen në sektorin privat. Administrata publike duhet të sigurojë kushte për ta. Dhe me qëllim që Maqedonia e Veriut të digjitalizojë shërbimet e administratës saj publike në mënyrë që njerëzit të mund të aplikojnë përmes internetit për dokumente, ajo ka nevojë për njerëz të teknologjisë informatike.”

Ka shumë plane dhe plane aksionare, por njerëzit nuk po e ndiejnë ndryshimin në jetën e tyre reale. Çfarë mendoni Ju për këtë?

“Zbatimi i këtyre ligjeve dhe planeve është elementi kryesor dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë sistematike. Do të arrihet aty, por nevojitet kohë që njerëzit të ndjejnë ndryshimin. Këmbëngulja është e nevojshme dhe të thuhet që tani që i kemi sjellë ligjet, le t’i zbatojmë, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në atë lokal.

Ne si Mbretëri e Bashkuar po mbështesim aktivitete të ndryshme në këtë nivel, për një kohë mjaft të gjatë kemi investuar në atë fushë dhe do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën.

Ne kemi parë që disa gjëra që i kemi mbështetur në të vërtetë janë realizuar, siç janë: Vlerësimi i ndikimit të rregullatorit, i cili u ndihmon të bëni vlerësime kur përgatitni legjislacion të ri; Sistem të kompetencës në administratë, për të siguruar që njerëzit të punësohen në bazë meritore dhe Metodologjia për analizën e funksionalitetit, që iu ndihmon institucioneve për të përcaktuar se çfarë duhet të bëjnë, si dhe kush duhet ta bëjë atë. ”

Një çështje tjetër e dhimbshme është edhe reformimi i gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut. Ligji i ri për Prokurorinë nuk është miratuar dhe ekziston afera e korrupsionit e quajtur “Reket”. Cili është qëndrimi juaj?

“Është fakt që besimi i njerëzve në sistemin gjyqësor është jashtëzakonisht i ulët dhe ka ca kohë që ata me të drejtë kërkojnë përmirësim. Kjo është një çështje kryesore e qeverisjes së mirë dhe njerëzit duhet të kenë qasje në gjyqësor të pavarur. Problemi është se, reformat, ashtu sikur te administrata publike, janë shumë të ndërlikuara dhe nuk mund të bëhen shpejt. Reformat duhet të bëhen të plota dhe me kujdes për të forcuar institucionet që ato të mund të sigurojnë drejtësi.
Përparim ka, kemi parë disa ligje të mira, Ligjin për Gjykatat, për Këshillin Gjyqësor.

Çështja “Reket” ishte zhgënjyese, por duhet të reflektojmë në faktin që u ndërmorën masa, se u ngrit aktakuzë dhe një proces. Nëse shohim disa vite më pas, do të shtronim pyetjen, a do të kishte ndodhur kjo gjë? Pra, po e shihni forcimin e sistemit por procesi nuk mund të realizohet shpejtë, dhe derisa ai zhvillohet, është shumë e rëndësishme që në të njëjtën kohë të ndërtoni besimin e publikut dhe kjo ka të bëjë me të qenurit transparent: duhet lejuar njerëzit të shohin çfarë po ndodh në gjykata dhe në sistem, të kenë më shumë njohuri për atë se çka po ndodh.

Shoqëria civile ka një rol shumë të rëndësishëm në të gjithë këtë, gjithashtu. Prandaj e mbështesim monitorimin e reformave gjyqësore nga shoqëria civile, kështu që kjo para së gjithash i jep publikut qasje te informatat, por edhe bën presion ndaj institucioneve për të vepruar në mënyrë të pavarur.

Gjithashtu, nuk ka asnjë arsye pse të mos mund të arrihet përparim në lidhje me ligjin tani, të rrumbullaksohet gjithçka që ka mbetur e hapur dhe, mendoj unë, të gjitha partitë politike duhet të bashkohen tani dhe të gjejnë një zgjidhje. Nuk është fjala për pranimin në BE, por ka të bëjë me besimin e njerëzve në sistem, për ata që duan sistem të drejtësisë që funksionon. ”

Njerëzit nuk kanë besim në gjyqësor sepse çështjet e Prokurorisë speciale publike nuk kanë aktgjykime…

“Ka disa dështime, raste që nuk mbarojnë si dhe ikja e njerëzve jashtë vendit nuk janë aq pozitive, dhe unë e kuptoj padurimin për të parë këto aktgjykime përfundimtare. Por, gjithashtu duhet të respektohen procedurat dhe rregullat, dhe çështjet duhet të përfundojnë, njerëzit duhet të shohin se çdo gjë është bërë si duhet. Nëse mund të shohim që procedurat dhe rregulloret janë ndjekur, atëherë ngadalë mund të rikthehet besimi i nevojshëm për të funksionuar sistemi gjyqësor. ”

Zylbeari dhe Galloway, intervistë me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar
Zylbeari dhe Galloway, intervistë me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar

Janë investuar shumë para për të mbështetur reformat tona, megjithatë ne ende jemi dëshmitarë të skandaleve korruptive, administratës joefektive, shërbimeve të këqija publike, arsimit të keq dhe kështu me radhë. Çfarë, sipas mendimit tuaj, duhet të bëhet ndryshe dhe kush duhet ta bëjë atë që të kemi ndryshime të qëndrueshme pozitive?

“Ka një numër procesesh që duhet të ndodhin për të krijuar ndryshimin që e kërkon reforma. Reforma ka të bëjë krijimin e ndryshimit në nivelin institucional por edhe për vetë njerëzit, të ndërmarrin përgjegjësi dhe ndryshojnë sjelljen e tyre. Si shembull, shikoni mjedisin jetësor , ka të bëjë me ndryshimin e qëndrimit të njerëzve dhe jo vetëm me institucionet që krijojnë ndryshime. Megjithatë transparenca është thelbësore, duhet kuptuar se çfarë po ndodh në agjendën e reformës.

Media ka përgjegjësinë për të raportuar për këtë, shoqëria civile ka përgjegjësinë par ta ndjekur atë që po ndodh dhe të bëjë trysni për ndryshime, duke u lejuar qytetarëve të kërkojnë reforma sepse ata e kuptojnë se çfarë ndodh dhe më pas ata mund të mbajnë politikanët të përgjegjshëm. Nëse politikanët kanë rezultate, ata do të rizgjidhen, e nëse jo, njerëzit do të kërkojnë ndryshim dhe ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse shohin dhe kuptojnë se çfarë po ndodh.”

Si mund procesi i reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE, t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut?

“Maqedonia e Veriut është vend kandidat për një kohë të gjatë dhe ka arritur shumë qëllime të reformave: bashkëpunim rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore. Vetë procesi ndihmon në përcaktimin e objektivave, ai jep një drejtim në fushat ku duhet të punohet dhe e shpërblen përparimin në këto fusha duke hapur kapituj. Si e kam kuptuar unë, Franca shqetësohet që pasi të mbyllet një kapitull dhe pastaj konstatohet që ka regres në reforma, nuk ka asnjë sistem për t’u marrë me atë çështje. Pra, nëse ka ndryshime në metodologji në lidhje me atë, kjo është me siguri pozitive, sepse nëse nënkupton që reformat të cilat duhet të zbatoheshin nuk zbatohen edhe më tej, kjo do të jetë një shtytje për t’i zbatuar ato në të vërtetë. Gjithashtu, kjo më sjellën në çështjen tjetër, në lidhje me informacionin, nëse keni këtu Komision që i bën këto vlerësime, kjo u ndihmon qytetarëve të shohin se çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë, i ndihmon qeverisë dhe institucioneve tjera për të kuptuar se çfarë duhet ende të bëhet. Kështu, vetë procesi duhet t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj për të përmirësuar jetën e tyre që edhe është qëllimi i reformave.”

E kemi parë që jeni pjesë e grupit të ambasadorëve që po i pastrojnë rrugët tona, pse?

“Ndryshimet klimatike dhe mjedisi jetësor janë lartë në agjendën e Mbretërisë së Bashkuar. Po përpiqemi të marrim një qasje strategjike dhe gjithëpërfshirëse për atë që në thelb është problem global. Në këtë vend, është e qartë se ka probleme dhe ne po përpiqemi të punojmë me qeverinë për të marrë një qasje strategjike ndaj këtyre problemeve. Nuk mund të zgjidhni shpejt problemet e mjedisit jetësor, kështu që në të kaluarën ne kemi mbështetur Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në zhvillimin e qasjeve të saj për të analizuar problemet për hapjen e kapitullit përkatës për BE. Krejt lidhet me investimet afatgjata dhe planifikimin. Ne gjithashtu po e mbështesim zhvillimin e strategjisë energjetike, e cila tani është në konsultim publik, kështu që është mundësi për publikun për të komentuar rreth asaj çfarë kanë ofruar ekspertët që Maqedonia e Veriut të ketë burime të qëndrueshme afatgjata të rinovueshme të energjisë. Ne e mbështesim edhe shoqërinë civile mbi mjedisin.

Për më tepër, ne besojmë në aksione të drejtpërdrejta, duke dhënë shembullin personalisht. Prandaj, ne bashkëngjitemi  kur njerëzit kërkojnë prej nesh të punojmë në këto fusha. Si ambasadë po përpiqemi të mos përdorim fare plastikë, nuk është e lehtë por po përpiqemi.

Veprimet dhe ndryshimet janë të nevojshme në shumë fusha, keni nevojë për strategji afatgjata siç janë gjetja e zgjidhjeve për energjitë e rinovueshme dhe veprime afatshkurtra siç janë gjobitja e kompanive që ndotin. Gjithashtu, përgjegjësia personale është shumë e rëndësishme. ”

Ju punoni shumë me rininë tonë. Ju kemi parë në ngjarje të ndryshme duke mbështetur projekte rinore, pse?

“Nuk ka të ardhme për vendin nëse të rinjtë nuk janë të angazhuar, të punësuar, aktivë dhe nuk qëndrojnë këtu. Ju nevojitet rini e arsimuar që mendon në mënyrë kreative dhe dëshiron të bëjë gjëra dhe të bëjë ndryshime.

Kemi shumë projekte, ndërsa kulmi është projekti që e filluam disa javë më parë, YouthHub.

Ky projekt u nis me presidentin Stevo Pendarovski, ai e dha qendrën, ndërsa janë përfshirë edhe MASIT dhe Këshilli nacional rinor. Ideja është që të rinjve t’u jepen aftësi digjitale që u duhen për punë në shekullin XXI. Por në të vërtetë kjo shkon më thellë se kaq, sa i përket përgjegjësisë dhe komunitetit, pjesëmarrësit duhet të bëjnë punë në komunitet për të paguar për këtë trajnim. Kjo do t’u ndihmojë edhe kompanive për të gjetur shkathtësitë e caktuara që atyre u duhen.

Projektet e tjera janë në fshatra dhe zona rurale, ku kemi mbështetur aktivitete sportive, debate lokale për të rinjtë, aktivitete kulturore, gara shahu. Gjithashtu, kemi mbështetur trajnime për të menduarit kreativ në komunitete të vogla dhe të rinj në zhvillimin e ideve të tyre krijuese për të arritur diçka që ka një vlerë praktike për ta. Ne mbështesim programe të ndryshme për qasje në kopshte dhe gjithashtu zhvillim të aftësive digjitale dhe, përmes programit që zhvillojmë përmes Këshillit Britanik, ligjërohet rreth kodimit në çdo shkollë në vend.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button