Feja dhe lidershipi: Konteksti global (II)

Falë presidentit Ronald Reagan,  “God bless Amer­ica” (Zoti e bekoftë Amerikën) është “shndërruar në moto të të gjitha fjalimeve presidenciale. Krishterimi i Trumpit nuk fokusohet vetëm te vetja, ai ka një ndjenjë të thellë të “nacionalizmit të baptizuar”; në botëkuptimin e tij kombi ka një qendërsi të dhuruar nga Zoti. George W. Bush besonte se ai ka qenë vegël e Zotit në luftën kundër terrori(zmi)t. Kevin Rood, i ndikuar nga Dietrich Bonhoeffer, e ka përvetësuar ungjillin social që t’u japë fuqi të dobtëve. Më 2013, Shinzo Abe, siç raportohet nga Hannah Beech në Time Magazine,  28 prill 2014, kryeministri japonez vizitoi tempullin në Yasukuni. Kjo vizitë duket të jetë pjesë e një agjende të rregullt zyrtare të kryeministrit. Bëhet fjalë për një vizitë të jazhtëzakonshme meqë gjashtë kryeminitrat pararendës i janë shmangur një veprimi të tillë. Fernando Lugo, president i Paraguajit, në luftën e vet për drejtësi për të varfrit dhe kundër korrupsionit ka treguar se teologjia dhe vizioni politik mund të përkojnë mes vete. (Philips, 2017)

Angela Merkeli pikëpamjen e vet politike e mbështet mbi principet e dinjitetit kristian dhe në mes të krizës së migrantëve do të pohojë se Gjermania nuk vuan nga islami i tepërt por nga “krishterimi tepër i paktë”. Sarkozy ka shenjar se feja është e dobishme për shoqërinë franceze në efektin e vet qytetërimor dhe në gjenerimin e optimizmit. Nga ana tjetër, një nga titujt e publikuar para do kohe në  Bloomberg Businessweek është “Jezusi, mbreti i qeveritarëve të rinj të Polonisë”, i cili ngërthen në vete pohimin se “qeveria populiste dëshiron që vendi t’i përgjigjet Zotit jo kritikëve në Europën Perëndimore” (Strzelecki & Bartyzel, 2018) Presidenti rus Putin deklaroi se orthodoksia është shumë politike, se Kisha Ortodokse luan një rol qendror në ligjëratën e tij për ritheksimin e fuqisë dhe të autoritetit të kulturës dhe nacionalizmit rus pas poshtërimeve të viteve 1990.  (Spencer, 2017) Kryeministri hungarez Orban është fetar, madje dy këshilltarët dhe ministrat e tij më të afërt janë teologë/pastorë (Zoltán Balog dhe Zsolt Semjén).  ”Ne besojmë se polakët dhe hungarezët kanë një rrugë, përpjekje dhe qëllim të përbashkët: të ndërtojmë dhe ta mbrojmë atdheun tonë në fomën që ne e duam …kristian dhe me vlera kombëtare” – është shprehur Orban gjatë shpalosjes së një statuje që përkujton aksidentin ajror në të cilin humbi jetën presidenti polak. (Khalili-Tari, 2018)

Njëri nga liderët më të mëdhenj të botës, presidenti turk, R. T. Erdoğan, fetarinë e vet e shfaq në mënyrë shumë transparente. Në raste të ndryshme vetë shfrytëzon një gjuhë fetare, me versete kur’anore dhe thënie profetike (hadithe), flet për bashkësinë islame gjithëbotërore (ummet), iu referohet figurave të mëdha të historisë islame, mbron mbulesën islame (hixhab), mësimin e fesë nëpër shkolla etj. Këtë vit, pikët politike të fesë e kanë detyruar kandidatin për kryetar të Stambollit  të partisë majtiste Partia e Lëvizjes Popullore që të shfaqet duke lexuar Kur’an në njërën prej xhamive më të rëndësishme të Stambollit (Eyüp Sultan), ndonëse fryma e kësaj partie është laike.

Aleksandar Vučić, president i Serbisë, konsideron se urdhri ‘duaje të afërmin si vetëveten’ është diçka që nëse do t’i pëmbaheshim vërtetësisht, do ta bënte botën më të mirë. Ndërkohë, Vučić i ka pagëzuar fëmijët e vet. Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarović në një deklaratë publike është shprehur: “Jam besimtare. Nuk shkoj në kishë aq sa do kisha dashur, thjesht për shkak të obligimeve të jetës, por për mua feja është vertikale e rëndësishme morale e jetës dhe kompas i brendshëm etik imi”. Sipas saj, feja e ndihmon edhe luftën kundër korrupsionit, sepse urdhëresat hyjnore janë themel i ligjvënësisë së përgjitshme, bazë e sistemit vleror, e parimeve morale dhe etike që mbajnë tok shoqërinë, që na lidhin si kristianë, muslimanë dhe hebrenj. (Čolak, 2018) Njëri nga politikanët me peshë në BeH, Bakir Izetbegoviq, praktikues i fesë, pohon se gjithmonë ka qenë besimtar, se ka gjithnjë qenë në anën e Zotit prej kur ka rënë në mendtë e veta. (Oslobodjenje, 2012)

Një studim i qz.com tregon se në pjesën dërrmuese të Europës kohërave të fundit kanë qeverisur liderë fetarë. Përjashtim bëjnë disa shtete si Greqia (Tzipras), Kroacia (Milanović), dhe Franca (Hollande).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button