Kali i Trojës në Paris dhe këtu

Në vitin 1966 në një mënyrë shumë të dyshymtë u përplasën nëndetësja bërthamore franceze “Le Triomphant” dhe nëndetësja bërthamore britanike “Vanguard”. Për pak sa nuk ndodhi shpërthim nuklear. Do të vdisnin të gjithë 240 anëtarët e ekuipazhit. Pastaj Sharl de Gol braktisi komponentin ushtarak të NATO-s duke paralajmëruar “rikthmin e sovranitetit francez”. Njejtë ashtu si Makroni,i cili tani ka vendos të kalërojë me kalë të tërbuar të cilit i ka hypur së mbrapshti. Asaj kohe Aleanca e braktisi selinë e saj në Paris dhe u transferua në Bruksel. De Gol, në emër të prestigjit kombëtar francez, NATO-n e trajtonte si një instrument hegjemon amerikan. Plot 42 vjet Franca ishte jashtë komponentit ushtarak të Aleancës, deri në rënien e Murit të Berlinit. Por, kur amerikanët ndërhynë në Irak, Zhak Shirak bëri një marrëveshje me Moskën për të kundërshtuar politikën e SHBA-ve. Më vonë Sarkozi e ktheu shtetin edhe në komponentin ushtarak të NATO-s. Megjithatë edhe sot e kësaj dite komanda mbi potencialin bërthamor francez mbetet jashtë NATO-s.

Çfarë dëshiron Franca?

Franca me shekuj të tërë ka qenë një fuqi botërore me shumë koloni, por tani më nuk është. Ai vend po vuan histerikisht si një zonjë e vjetër e Holivudit, e cila dikur ka qenë një yll i madh dhe më pas është zhgënjyer se nuk ka më vëmendjen siç kishte pasë më parë. Tani drejtuesit e saj, janë alergjik në epitetin “gjigand ekonomik” për Gjermaninë, xhelozojnë për fjalën “e Madhe” për Britaninë, dhe thjesht urrejnë Shtetet e Bashkuara. Francezët me vite të tëra kanë nevojë për trajtim që t’i shërojnë komplekset, andaj këtu u gjet Makron si një terapist shumë i mirë. Pra, vetëdija kolektive kur edhe i miri edhe i keqi  betohen në Zot. Testi i parë i “krenarisë” franceze ishin Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Por, sharra i hasi në gozhdë që në fillim, duke u përballur me kritika të forta në të gjitha nivelet, madje edhe brenda, kështu që të gjitha ato gjuajtje sikur ia goditën flatrat e tij me të cilat ai dëshironte që të fluturojë lartë. Duke rënë teposhtë ai mendoi se kishte një parashutë – “NATO gjendet në shtratin e vdekjes” dhe “Evropa është në prag të humnerës”. Me këtë ai rriti edhe më tej shpejtësinë e rënies! Kështu ndodhë kur dëshirat u ulërojnë, kurse mundësitë u rënkojnë. E tani atë për nga mendja e krahasojnë me Trampin, për të cilin shërbimet profesionale të Shtëpisë së Bardhë, djersiten çdo ditë duke ia korrigjuar budallakitë që ai çdo ditë i prodhon.

Por, ne duhet të kishim dijeni për këtë kompleks kolektiv te francezët dhe individual te Makroni. Stërzmadhimi i madh i Berlinit nga ne, në Paris u perceptua si poshtërim i tyre. Ne e pamë se si kaloi ai presidenti i çuditshëm brazilian i cili mburrej se kishte 27 vjet grua më të re, duke ia hedhur fjalët Makronit se kishte 24 vjet grua më të vjetër!

Gjeopolitika ka ndryshuar

Është fakt se UE po kalon përmes një krize më të rëndë që nga themelimi i tij, dhe se perspektiva e zgjerimit mbetet mjegull. Por, është larg nga humnera pasi që UE-në e mba tregu i fuqishëm i përbashkët . Duhet të kemi parasysh që shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, përfshirë prioritetet dhe politikat. UE do të jetë në një situatë edhe më të vështirë në vitet e ardhshme, por sërishdo të jetë larg nga humnera. NATO edhe me të gjitha problemet e saj është akoma aleanca më e fortë në planet. Në “shtratin e vdekjes” do të mbetet vetëm ëndrra e Makronit për t’u bërë një lider evropian, me rritje minore ekonomike në krahasim me shumë vende të tjera evropiane.

Hutime plotësuese kanë krijuar komentet dhe shpjegimet e më vonshme. Ambasadori francez në Serbi Zhan Falkoni tha se “marrëdhëniet midis Francës dhe Serbisë janë shumë të mira, bazuar në histori dhe vëllazëri”. Kurse eksperti qeveritar, Pier Pan, për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shkroi se ata po zhvillonin një “luftë të drejtë” për të ndërtuar “shtete mafioze”. Më e çuditshme është deklarata  e Makronit se Bosnja e Hercegovina  paraqet një “bombë të tempuar” dhe si e tillë është problemi më i madh për Evropën! Një budallaki të tillë në rajon nuk është hedhur që nga Lufta e Dytë Botërore. Këtu ka të drejtë, Tanja Fajon, kur thotë se Franca e mban peng tërë rajonin. Duket se francezët janë bërë alergjikë ndaj gjithçkaje të gjallë përveç vetes kur dalin para pasqyrës. Ajo është një ndihmesë e madhe për Rusinë, e cila nuk dëshiron zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në Ballkan. Ajo është ndihmesë edhe për dragonin kinez këtu në Ballkan. Prandaj, çdo performancë e tillë për Ballkanin Perëndimor reflekton në mënyrë të pashmangshme në marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve të rajonit. Dhe ajo mund të përfundojë me një destabilizim të madh në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. A dihet se në Ballkan e vërteta del në sipërfaqe, pasi që të jetë e mbytur.

Cfarë duhet të bëhet?

Ne nuk duhet të presim shpresa të mëdha te SHBA-të, për derisa Tramp është president. Kristofer Hill me të drejtë thotë – “Në të kaluarën, do të ishte e pritshme që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë, por në një kohë kur presidenti amerikan Donald Tramp ka një politikë të jashtme krejtësisht të papërcaktuar, problemi me shtetet e vogla si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të padukshme”. Por, koha do të tregojë nëse Kali i Trojës me të vërtetë ka arritur gjer në Shtëpinë e Bardhë.

Prandaj është shumë e rëndësishme të përcaktojmë një rrugë rajonale kohezive afatgjate, në të cilën do të ecim përpara. Integrimi rajonal është çështja më urgjente. Përndryshe, Serbia nën kushte pasigurie do të vazhdojë të sigurojë armë të sofistikuara ruse (përfshirë edhe S-400), kurse ajo është shenjë se rajoni po shkon drejt luftës. Mjeti më efektiv është integrimi evropian, por nëse ajo nuk është e shpejtë, a padyshim që nuk do jetë e tillë, duhet në mënyrë shumë serioze të punohet në integrimin rajonal, me hapjen e plotë të tregut rajonal. CEFTA këtu u tregua si një mekanizëm i dobët, kështu që vendet në rajon duhet të organizohen në favor të Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE), që do të thotë e kanë pothuajse të njëjtin trajtim si një anëtare e UE-së, por pa pjesëmarrje në organet e UE-së. Në po këtë rrugë kanë kaluar pothuajse të gjitha vendet përveç gjashtë shteteve themeluese të BEE.  Pëmes këtij procesi kanë kaluar Britania e Madhe, Suedia, Danimarka, Austria dhe pothuajse të gjitha vendet që u anëtarësuan në UE në vitin 2004. Prandaj, është një gabim shumë i madh për ata që e trajtojnë këtë si një alternative të UE-së. Thënë thjesht, kjo është një tren i shpejtë për në UE. Madje edhe sikur të fitojmë negociata, paralel duhet të punojmë edhe në dy integrimet e tjera. Nuk duhet të mbytemi në ujëra të cekta. Për më tepër, kur rajoni tani humbë rreth katër miliardë euro vetëm për shkak të zhvendosjes masive. Dhe pikërisht kur të afërmit e të larguarve mendojnë se është më mirë të qani në atdheun tuaj sesa të këndoni në një tokë të huaj. Nga politikat e gjertanishme, sidomos të komponentës shqiptare në Maqedoni, ekzod më të madhë shqiptar këtu s’do të mund të kishin bërë as falangat famkeqe serbe. Nga ta as ide e as udhëzim, e të mos flasim për projekte zhvillimore. Ndoshta Kali i Trojës më së shumti ka kalëruar te ne.

Shkruan:

Mersel Bilalli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button