Gjumi nuk mund të kompensohet

Ekziston mendimi se nëse njeriu fle pak gjatë javës, ai mund t’i zëvendësojë orët e humbura duke fjetur më gjatë në ditët e pushimit. Por sipas një studimi të kohëve të fundit, gjumi i humbur nuk mund të zëvendësohet dhe njerëzit që shkurtojnë orët e gjumit ndjehen më të lodhur dhe kanë më gjasa të pësojnë aksidente.

Njerëzit shpenzojnë rreth një të tretën e jetës së tyre në gjumë, kështu që ndoshta instinktivisht mendojnë se duke pakësuar gjumin, ata zgjasin jetën zgjuar dhe shkojnë vonë në shtrat.

Gjithashtu, shumë njerëz mendojnë se gjumi është si paraja, e kursen sot për ta shpenzuar nesër. Ata nuk flenë sa duhet gjatë javës duke menduar se sa kur të vijë e shtuna e diela, mund të flenë më shumë se zakonisht. Por disa studime të reja tregojnë se kjo është e pamundur.

Shkencëtarët pranë spitalit Brigham në Boston vëzhguan për tre javë një grup personash të shëndetshëm të cilët i mbajtën vullnetarisht në një laborator gjumi.

Pjesëmarrësit në studim ndoqën orarin e një mjeku të urgjencës i cili 33 orë qëndron zgjuar në gatishmëri dhe 10 orë i ka për të fjetur. Me një orar të tillë mjeku bën mesatarisht 6 orë gjumë në natë.

Gjatë vëzhgimit, shkencëtarët vunë re se pjesëmarrësit në studim ndjeheshin të çlodhur pasi flinin 6 orë natën, por me kalimin e kohës dalëngadalë filluan të ndjeheshin të lodhur gjatë ditës.

Shkencëtarët thonë se kjo erdhi nga humbja kronike e gjumit, dhe lodhja shkallë-shkallë ishte pasojë e kësaj humbjeje.

Studiuesit thonë se deficiti i gjumit krijon një situatë të rrezikshme për njerëzit që punojnë në turnet e natës, si dhe për shoferët ose ata që punojnë gjatë natës nëpër spitale. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button