Alfabeti dhe shkrimi shqip themel i përjetshëm i kombëtar

Këtu e 111 vite më parë, burrat e dheut, të kombit e të fesë, vendosën që ta jetësojnë angazhimin e shenjtë të rilindasëve tanë – një komb, një gjuhë dhe një alfabet e shkrim shqip! Rreth kësaj ideje pati shumë lëvizje, pati shumë angazhime, pati shumë grupe e personalitete, të cilët, nuk hezituan që t’i përgjigjen thirrjes së fundit të qenies kombëtare për t’u bashkuar, për t’u ulur kokë më kokë, për t’u mbyllur në një hapësirë prej nga nuk ka dalje derisa të dakortësohen rreth kërkesës gjithëkombëtare – një ALFABET dhe një shkrim shqip!

Duke filluar nga 14 e deri më 22 nëntor, patriotët, klerikët e intelektualët e kohës, u tubuan në Manastir dhe, vendosën në parim – të heqin dorë nga alfabetet e ndryshme që nuk i përkasin identitetit tonë kombëtar dhe, të angazhohen që të gjithë për alfabetin latin e cila, jo vetëm që përkon me lashtësinë tonë si etni por edhe na përafron dhe na mbanë fuqishëm të lidhur për trungun e familjes së madhe europiane.

Gjithësej 32 delegatë, që përfaqësonin 22 klube dhe shoqëri të ndryshme atdhetare e kulturore, brenda dhe jashtë vendit, jo vetëm që po mbanin Kongresin e parë mbarëkombëtar por edhe po dëshmonin për pjekurinë e tyre për ta kapur çastin e fundit në hedhjen e themelev të bashkimit kombëtar. Një popull me një gjuhë, me një alfabet e me një shkrim, sado që jeton i ndarë e i shpërndarë, megjithatë, realisht është popull i bashkuar. Ky është mesazhi që kumbon deri në amshim e që doli nga ky Kongres i Manastirit.

Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh atdhetari i madh dhe erudit, Mit‘hat Frashëri, kurse si nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qirjazi. Po ashtu, u zgjodhën edhe tre shkrues: Hilë Mosi, Nyzet Vrioni e Thoma Avrami. Ditën e tretë të punimeve të Kongresit u zgjodh komisioni i ABC-së: kryetar i Komisionit të Alfabetit u zgjodh Gjergj Fishta; ndërsa anëtarë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Bajo Topulli etj. Komisioni i Alfabetit punoi në 4 grupe dhe gjatë 3 ditëve punuan veçmas! Unifikimi i qëndrimeve pasoi vetëm pasi ndërhyri fuqishëm kleriku dhe poeti, Ndre Mjeda.

Në përfundim të punimeve, Kryetari i këtij Kongresi, Mit’hhat Frashëri do të theksonte: “Njësimi i ABC-ve, është pema e parë e Kongresit. Por ka edhe një pemë tjatër, akoma më të madhe dhe më të bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarët të ardhur nga veriu dhe jugu, nga lindja dhe nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë dhe toskë, të krishterë dhe muslimanë, hoxhë dhe priftër. Qoftë ky themeli i një bashkimi të përjetshëm të shqiptarëve”, përfundon Mit‘hat Frashëri.

Katër vite më vonë, pas bashkimit të të gjithë shqiptarëve, do të pasojë ngjarja më historike e kombit shqiptar – Pavarësia e Shtetit Shqiptar, më 28 Nëntor 1912!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button